Një udhëheqës, duhet të jetë më i dituri, apo më i shkathëti?
Asnjë interes nuk realizohet pa ekzistuar organizimi social, që evoluon kohë pas kohe. Dhe në këtë organizim, roli i individit është i madh dhe i pazëvendësueshëm. Që shoqëria të realizojë synimet dhe aspiratat e veta kolektive dhe individuale, duhet të drejtohet nga një individ. A duhet të jetë ai më i dituri? Apo thjesht më i “shkathëti”?
Kam përshtypjen se shoqëria, si një organizim mjaft i komplikuar dhe i vështirë, zgjedh nga kategoria e dytë, pra nga “të shkathëtit”.
Është vërtetuar katërcipërisht se të gjithë individët mbretër, princër, presidentë, etj., kanë ardhur në pushtet jo ndërmjet dëshirës, por inatit, duke kaluar edhe mbi trupat e të njohurve të tyre. Pse ka ndodhur kjo?
Sepse trysnia e kësaj shoqërie e ka bërë individin që do ta drejtojë, si ai metali i farkëtarit që kalitet në kudhër. Ai bëhet edhe dhelpër, edhe luan, më shumë i tillë apo i atillë, sipas modelit dhe cilësisë së shoqërisë që e “kalit” në kudhër.
Historia është e mbushur me të tilla figura, saqë nuk mund të mos biesh në ato konkluzione. Këto i ka përshkruar mjaft bukur, thellë dhe saktë, Makiaveli, qysh në mesjetën e hershme. Nuk mund të thuash gojëplot, se në historinë njerëzore ka pasur udhëheqës “të mirë” apo “të këqij”. Fakti i dhelpërisë apo i luanësisë, ka qenë diferenca e tyre më konkrete: Dominimi i njërit tipar apo tjetrit, ka qenë qasja më e vërtetë në personalitetet e tyre.
Makiaveli vetëm se e ka zbuluar dhe e ka shpërfaqur këtë të vërtetë evidente krejt të qartë dhe adekuate: Princi duhet të jetë dhelpër edhe luan.