Analiza:Kritika gjyqtarëve në Durrës, vonesa në dorëzimin e vendimeve
Vonesat në dorëzimin e vendimeve ka qenë një nga kritikat e bëra nga nënkryetari i KLD-së për gjyqtarët e Gjykatës së Durrësit, gjatë analizës vjetore të zhvilluar dje në këtë qytet. Gjithashtu, nga analiza u vërejt se ka një ngarkesë të madhe pune dhe për këtë arsye u deklarua se pritet që të ketë një dyfishim organike në Gjykatën e Durrësit, e cila prej disa kohësh është cilësuar si gjykatë karriere nga KLD. Sipas analizës së kësaj gjykate, më tepër vendime të lëna në fuqi kanë qenë ato civile sesa ato penale, ndërkohë që shumë prej këtyre të fundit janë ndryshuar apo prishur nga shkalla e dytë. Por, gjatë analizës iu mëshua më tepër faktit se qytetarët kanë mjaft ankesa për gjyqtarët e kësaj gjykate dhe situata në këtë gjykatë duhet të ndryshojë sa më parë. “Është fakt se ndaj gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës, ankesat janë të shumta dhe jo vetëm nga qytetarët. Veçanërisht janë konstatuar raste të dorëzimit të vendimeve me vonesë, kur palët kanë 15 ose 10 ditë afat për të bërë ankim; raste të mosparaqitjes në punë të gjyqtarit, pa asnjë shkak justifikues, madje dhe në mënyrë përsëritëse dhe me frekuenca të larta shpeshmërie”, - është shprehur nënkryetari i KLD-së, Spahiu.