E Diel, 1 Nëntor 2026

Të hënën, miratimi i kabinetit të ri qeveritar në Kuvend

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në marrëveshje me kryeministrin Berisha duhet të vendosë datën e seancën së miratimit të programit politik dhe përbërjes së qeverisë së re. Presidenti Bamir Topi ka 7 ditë afat për dekretim. 

TIRANE- Seanca plenare ku pritet të votëbesohet kabineti i ri qeveritar i kryeministrit Sali Berisha, pritet të jetë ajo e ditës së hënë. Lajmi konfirmohet nga burime pranë zyrës së shtypit në Kuvendit të Shqipërisë, që gjithsesi nuk preferojnë ta përcjellin zyrtarisht këtë informacion për mediat. E drejta për të përcaktuar ditën se kur duhet të zhvillohet seanca për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave, është kompetencë e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Pika 1 e nenit 110 të rregullores së funksionimit dhe organizimit të jetës parlamentare sanksionon se, për përcaktimin e datës së kësaj seance kryetarja e Kuvendit duhet ta vendosë në marrëveshje me kryeministrin. Mandej, ky i fundit duhet t’i paraqesë legjislativit programin politik të qeverisë dhe përbërjen e tij.
Pas paraqitjes së programit politik, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë të paraqesë pyetje për kryeministrin. Pas përgjigjeve të pyetjeve, kryetari i Kuvendit deklaron hapjen e debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Koha e debatit përcaktohet nga Konferenca e Kryetarëve. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë kryeministri jo më shumë se 10 minuta. Votimi nga Kuvendi i përbërjes dhe i programit politik të Këshillit të Ministrave bëhet sipas nenit 58 të Rregullores së Kuvendit, që sanksionon se në rastin e miratimit të programit politik dhe përbërjes së qeverisë, votimi bëhet i hapur me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike.
Kushtetuta
Referuar neni 97 të Kushtetutës së Republikës, kryeministri Berisha ka në dispozicion 10 ditë afat për t’i paraqitur për miratim Kuvendit programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij. Emrat e kabinetit qeveritar i paraqiten për miratim Presidentit. Neni 98 i ligjit themeltar sanksionon se: “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit, brenda 7 ditëve”. Fill pas emërimit, kryeministri Berisha së bashku me anëtarët e kabinetit të tij do të bëjnë betimin para Presidentit Bamir Topi. “Para fillimit të detyrës, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës”, - citojmë nga neni 99 i Kushtetutës.
Qeveria
Kryeministri shpalli dje emrat e kabinetit të ri qeveritar: Kryeministër, Sali Berisha, zëvendëskryeministër, dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, Ministër i Drejtësisë, Bujar Nishani,
Ministër i Financave, Ridvan Bode, Ministër i Brendshëm, Lulzim Basha, Ministër i Bujqësisë, Genc Ruli, Ministër i Mbrojtjes, Arben Imami, Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti
Ministër i Transporteve, Sokol Olldashi, Ministër i Arsimit, Myqerem Tafaj, Ministër i Punës, Spiro Ksera, Ministër i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, Ministër i Mjedisit, Fatmir Mediu, Ministër i Shëndetësisë, Petrit Vasili,Ministër i Shtetit, Genc Pollo,Ministre e Integrimit, Majlinda Bregu.
(s.g/GSH/BalkanWeb) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›