E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, Turqia financon qendër hemodialize për fëmijë



Qendra përfshin 8 shtretër aktivë dhe 2 rezervë

Kurimi në Turqi, Godo: Do të rritet numri

Në pavijonin e pediatrisë në QSUT do të hapet një qendër hemodialize. Ky shërbim do t’u vijë në ndihmë fëmijëve, të cilët e kanë të domosdoshme kryerjen e dializës peritonale. Godina do të ndërtohet në ambientet e pavijonit pediatrik në spitalet universitare në Tiranë brenda vitit. Fondi për çeljen e tij është siguruar nga Agjencia për Zhvillim dhe Koordinim në Turqi.

Godo

Konfirmimi për ndërtimin e kësaj qendre është bërë nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Gjatë vizitës dyditore në Turqi, ministrja Godo zhvilloi një takim me presidentin e Agjencisë për Zhvillim dhe Koordinim, agjenci kjo në varësi të Kryeministrit. Presidenti i saj ka komunikuar se është çelur fondi për hapjen e qendrës së hemodializës në pediatrinë e QSUT.

Ky projekt përfshin 8 shtretër aktivë dhe 2 rezervë, dhe bën të mundur kryerjen e dializës peritonale, rikonstruksionin e ambientit, si edhe pajisjen me materialet e nevojshme për funksionimin optimal. Ministrja Godo u shpreh: “Falënderoj institucionet turke për ndihmën dhe bashkëpunimin. E cilësoi aprovimin e këtij projekti, si një lajm mjaft të rëndësishëm për shëndetësinë tonë, veçanërisht për shërbimin tonë pediatrik”. Ky shërbim deri më tani nuk ka ekzistuar në vendin tonë. Qendrat e vetme të hemodializës në Shqipëri funksionojnë vetëm për të rriturit. Ndërsa fëmijët me probleme me veshka nuk është mundur t’iu gjendet një zgjidhje. Hapja e qendrës për kryerjen e dializës për fëmijët do t’u lehtësojë atyre dhembjet.

Marrëveshja

Gjatë dy ditëve të qëndrimit të saj në Turqi, ministrja Godo zhvilloi një takim me homologun e saj, z. Rexhep Akdag. Ajo ka diskutuar mbi zgjerimin e marrëveshjes që ekziston mes Turqisë dhe Shqipërisë, në kurimin e 100 pacientëve në vit në spitalet turke. Ministri turk shprehu gatishmërinë e plotë dhe ra dakord për shtimin e numrit të pacientëve që kurohen atje. Gjithashtu, homologu turk shprehu gatishmërinë e tij dhe institucionit që ai drejton edhe në projekte të tjera shëndetësore, trajnime e specializime të stafit mjekësor, për të cilat ministria jonë do të paraqesë së shpejti një draft marrëveshjeje. Ndërkaq vizita dyditore e ministres së Shëndetësisë vijoi në spitalin kërkimor “Ataturk” në Ankara, ku u njoh me shërbimet e këtij spitali dhe mori premtimin e drejtuesve të tij për bashkëpunimin në fushën e specializimit dhe trajnimit të stafit tonë mjekësor. Ndërsa u takua edhe me dekanin e Universitetit të Mjekësisë ne Ankara dhe shefat e shërbimeve kryesore në Qendrën Spitalore Universitare Ankara, me të cilët u ra dakord për bashkëpunimin në fushën e elektro-fiziologjisë, hematologjisë dhe kardiokirurgjisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›