E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të rinjtë, të harruar nga qeveria”

Autori i Lajmit: red.
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, merr pjesë në konferencën madhështore të Lëvizjes Rinore për Integrim në Njësinë bashkiake Nr.2 në Tiranë. Gjatë këtij aktiviteti, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shoqërohej nga kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Erisa Xhixho, nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së së Tiranës, Elez Gjoza, si dhe nga anëtari më i ri i LSI-së Luan Rama. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Meta tha se LSI-ja e ka rininë prioritet kryesor në angazhimin e saj politik në vend. Investimi tek rinia mbetet investimi kryesor për LSI-në tha Meta. Sipas tij, dy janë qëllimet e LSI-së në këtë drejtim: së pari, për të ndryshuar mënyrën e bërjes politikë në Shqipëri, dhe së dyti, rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë. “Të rinjtë sot janë të harruar nga qeveria, sepse ajo nuk ka një strategji të qartë në këto drejtime për rininë shqiptare. Kështu nuk është e rastësishme që sot në Shqipëri nuk i kushtohet asnjë rëndësi talenteve të reja, nuk nxiten nga ana e shtetit dhe e qeverisë si modele për të rinjtë, sepse talentet e reja, qoftë në sport, qoftë në kulturë, qoftë në shkencë, janë një pasuri kombëtare, nuk janë thjesht një pasuri personale apo familjare”, - tha ai. Në këtë kontekst, duke iu drejtuar të rinjve, Meta u shpreh i bindur se së bashku do të arrijmë të japim mesazhe shumë të fuqishme të ndryshimit dhe të rolit përcaktues që rinia do të luajë në të gjithë këtë proces.

Ky lajm është publikuar: 02/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›