E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të hiqet edhe parapagimi i tatimeve

Pak ditë pasi Gjykata Kush
tetuese shfuqizoi nenin
famëkeq të gjobave, biznesi
po planifikon të nisë një
betejë tjetër me qeverinë, atë
për ndryshimin e pikës së ligjit
që e detyron atë të parapaguajë
edhe 100 për qind të detyrimit
tatimor pa pasur mundësi të
ankohet në gjykatë. Ligji aktual i
jep kompetenca Tatimeve, që
nëse dyshojnë se një biznes ka
bërë evazion, të rillogarisin fitimin
e tij me metoda alternative,
duke i përcaktuar kështu edhe
detyrimin tatimor që ai ka për të
paguar në shtet. Por biznesi e
kundërshton këtë me argumentin
se përcaktimi i detyrimit nga
inspektorët e Tatimeve është
subjektiv dhe nuk mund të merret
si i mirëqenë pa u vërtetuar
më parë nga gjykata. Detyrimi
është edhe barra më e rëndë financiare,
në një konflikt mes Tatimeve
dhe biznesit, pasi ai
mund të jetë deri disa fish i
gjobës. Aq më tepër kur gjoba
parapaguhej vetëm 15 për qind.
Detyrimi
Gjykata me vendimin e saj i
hoqi biznesit barrën e
parapagimit të 15 për qind të
gjobës që i vendosin tatimorët
pa të drejtë apelimi në gjykatë,
por i la atij barrën e parapagimit
të detyrimit tatimor, që është
disa herë më i lartë se 15 përqindëshi
i gjobës. Parapagimi i
detyrimit sanksionohet në ligjin
aktual për procedurat tatimore,
por është lënë i detyrueshëm
edhe në projektligjin e ri, i cili
ndodhet për votim në Kuvend
dhe që pritet të hyjë në fuqi
shumë shpejt, duke zëvendësuar
ligjin e vjetër. Tri vjet më
parë, biznesi e apeloi këtë pikë
të ligjit që e detyronte atë të
parapaguante 100 për qind të
detyrimit, të përcaktuar nga tatimorët,
para se të ankimohej
në rrugë gjyqësore. Por Gjykata
Kushtetuese e rrëzoi
kërkesën. Për rrjedhojë, kjo
pikë nuk mund të apelohet më.
Në këto kushte biznesi kërkon
që qeveria të pranojë disa propozime
të tij, që synojnë të lehtësojnë
atë, ku më kryesorja
është ajo e të vënit garanci pasurore
të barabartë me
shumën e detyrimit deri sa të
mbarojë gjykimi dhe të zgjidhet
përfundimisht çështja. "Dhoma
Amerikane e Tregtisë ka
kërkuar që jo vetëm të lejohet
vënia e garancisë, të barabartë
me shumën e detyrimit tatimor,
por që të zgjerohet edhe
mënyra e pagimit të saj në
natyrë dhe në prejardhje", thotë
Floreta Luli-Faber, drejtoresha
ekzekutive e Dhomës Amerikane
të Tregtisë.
Projektligji
Qeveria ka dërguar në Kuvend
projektligjin e ri të Procedurave
Tatimore, i cili është në
fazë votimi. Fillimisht, kur ky
projektligj u diskutua me grupet
e interesit, qeveria i shpërndau
komunitetit të biznesit një kopje,
ku pranohej që të vendoseshin
garancitë bankare të
barabarta me shumën e detyrimit,
por më vonë ai u ndryshua.
Varianti përfundimtar i projektligjit
detyron biznesin që ta
paguajë menjëherë dhe me para
detyrimin tatimor të përcaktuar
nga Tatimet, pa i lënë mundësi
vendosjen e garancive pasurore.
Kjo është pika ku biznesi
kërkon të negociojë.
Garancia
Vendosja e garancisë e lehtëson
biznesin nga barra për
të paguar menjëherë dhe me
para në dorë detyrimin tatimor.
Biznesi propozon që të
lejohet jo vetëm vënia e pasurive
të patundshme si garanci,
por të zgjerohet madje dhe
prejardhja e saj. Kjo do të thotë
se nëse një biznes i caktuar, që
i është llogaritur detyrimi tatimor,
nuk ka para kesh për ta
paguar, apo pasuri të patundshme
për të vendosur si peng,
atëherë të mund të kërkojë ndihmën
e dikujt tjetër, i cili mund
të vendosë pasurinë e tij si
peng për këtë biznes. Por
qeveria nuk e ka pranuar këtë
dhe kërkon pagimin e menjëhershëm
dhe me para në
dorë të detyrimit.
Ndërkombëtarët
Përveç biznesit, edhe institucionet
financiare ndërkombëtare,
që monitorojnë ekonominë
shqiptare, janë shprehur
kundër vendimit për
parapagimin e gjobave dhe
detyrimeve. Misioni i fundit i
FMN-së, i cili ndodhet në Tiranë,
mbështeti vendimin e
Gjykatës Kushtetuese dhe ka
kërkuar riformulimin e ligjit.
Qeveria, e ndodhur nën presionin
e grupeve të interesit, ka
vendosur që në projektligjin e ri
të mos ta përfshijë parapagimin
e gjobave. Madje mund të
reduktojë deri në 50 për qind
edhe pjesën e detyrimit që duhet
parapaguar. Megjithatë deri
tani, edhe pas vendimit të
Gjykatës Kushtetuese, biznesit
iu hoq barra e padrejtë e
parapagimit të gjobës, por jo
barra tjetër, sërish e padrejtë e
parapagimit të detyrimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›