Bashkia e Vorës "përzë" 12 familje nga Konvaleshenca
Pushtetarët lokalë vendosin të kthejnë në shtëpitë e tyre një grup familjesh të prekura nga shpërthimi i Gërdecit. Tre nga dymbëdhjetë familje të prekura nga ky shpërthim janë detyruar të lënë Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës për t‘u rikthyer në shtëpitë e tyre. Vendimi është marrë nga Bashkia e Vorës pas verifikimit të shkallës së dëmtimit të banesave të familjeve që janë strehuar në qendrat e krijuara për pritjen e tyre në Durrës. Në bazë të Komisionit të Verifikimit, shtëpitë e këtyre 12 familjeve nuk janë shumë të shkatërruara dhe mund të riparohen me fondin e dëmshpërblimit të akorduar nga qeveria për këtë ngjarje. Në drejtorinë e Shtëpisë së Pushimit, ku vazhdojnë të strehohen 370 të prekur nga shpërthimi, ka mbërritur pak ditë më parë një shkresë ku thuhet se 12 prej familjeve të strehuara në këtë shtëpi i kanë kushtet për t‘u rikthyer. Drejtori i Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, Muzli Shala, tha se 3 prej 12 familjeve janë larguar dje, duke liruar dhomat në të cilat u akomoduan pas shpërthimit të Gërdecit. Me t‘u njohur me këtë vendim, familjarët kanë reaguar menjëherë, duke kundërshtuar urdhrin dhe drejtuesit e Shtëpisë në këto rrethana kanë kërkuar që vetë funksionarët e Bashkisë së Vorës të mundësojnë largimin e familjeve nga këto ambiente me forcën e argumentit. Por familjarët shprehen se vlerësimet janë të njëanshme dhe aspak objektive. Ata pretendojnë se shtëpitë e tyre dhe mjedisi në fshatrat ku jetojnë janë krejtësisht të pabanueshme, ndërsa fondet e akorduara për riparime janë të pamjaftueshme. "Ne nuk kemi ku të shkojmë dhe as nuk mund të jetojmë me fëmijë në çadra. Shtëpia ime, por edhe e të tjerëve, ka nevojë për rregullime të mëdha", - thotë një grua. Të tjerë kërkojnë me forcë rivlerësim.