E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja e Elbasanit kërkon shkarkimin e prefektit

"Nuk kanë kaluar më shumë se dy orë nga shkarkimi i drejtorit të spitaleve të Elbasanit, Shefqet Deliallisi dhe Partia Demokratike e Elbasanit ka kërkuar me ngulm shkarkimin e prefektit Rezart Kovaçi. Në një farë mënyre PD-ja nis hakmarrjen politike ndaj aleates së saj, PDK-në në këtë qytet. Kërkesa për largimin e prefektit Kovaçi është bërë e ditur nëpërmjet një konference për shtyp nga kryetari i degës së PD-së, Aurel Bylykbashi. "Do t‘i bëj me dije Kryeministrit Berisha prapaskenat e kryetarit Ndoka, dhe do t‘i propozoj atij shkarkimin e prefektit dhe në vend të tij të emërohet një funksionar i PD-së nga ky qytet", tha Bylykbashi. Në fakt, largimi i Deliallisit nga spitali i Elbasanit, që është në të njëjtën kohë edhe nënkryetar i degës së PD-së në Elbasan, është kërkuar edhe dy herë të tjera, por vetëm dje është ekzekutuar kërkesa. Në vend të tij është emëruar menjëherë nga ministri Ndoka, Artan Cankja, me profesion ekonomist. Duket se "zemërimi" i PD-së ndaj PDK-së nuk ka mbajtur më, përderisa kjo ishte e vetmja drejtori në qark që mbahej nga përfaqësues të PD-së, pasi të tjerat drejtohen nga PDK-ja. Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i vetë prefektit Kovaçi, i cili thotë se emërimet dhe shkarkimet po bëhen në bazë të marrëveshjeve mes PD-së dhe PDK-së për bashkëqeverisje. Sipas Kovaçit, partia që përfaqëson ka mbështetur çdo vendim të degës së PD-së për Elbasanin, ndërsa shkarkimi dhe emërimi i kreut të spitaleve është bërë direkt nga "lart". "Sa për kërkesën e deputetit Bylykbashi, dua të them se emërimi im është bërë nga Kryeministri dhe vetëm Kryeministri mund të më shkarkojë, në rast se gjen shkelje apo mungesë ecurie të punës në institucionin që drejtoj", tha Kovaçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›