E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja franceze: Ndryshimet kushtetuese, pozitive

Ambasadorja franceze në Tiranë, Maryse Daviet, ka deklaruar dje në Kuvendin e Shqipërisë, se "miratimi me konsensus nga Parlamenti i ndryshimeve kushtetuese dhe reformës zgjedhore ishte shumë pozitiv". Më tej, ambasadorja ka theksuar se për të vijuar rrugën e nisur duhet që të përfundohet reforma për sistemin e drejtësisë. "Sa më shumë të përparoni në afrimin drejt Evropës, aq më shumë do ju kërkohen gjëra të reja për të bërë, sidomos për atë që ne e quajmë acquis communitaire", është shprehur ambasadorja Maryse Daviet. Të njëjtin mendim me ambasadoren ka ndarë edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila, gjatë fjalës së saj në seancën e organizuar nën moton "Shqipëria në Evropë", në të cilën ndryshe nga herët e tjera në vend të deputetëve ishin ulur studentë e nxënës shkollash, Topalli tha se "Parlamenti, me gjithë punën e jashtëzakonshme që ka bërë, e pret edhe një punë tjetër e rëndësishme: ratifikimi i marrëveshjes me NATO-n. Duhet të punojmë me 26 parlamente, përfshi Kongresin amerikan, vendet anëtare të NATO-s, të cilat duhet të votojnë ftesën e marrë në Bukuresht, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota e Aleancës. Pas kësaj, përpjekjet tona do të jenë te projekti ynë më i madh: njohja si anëtarë të plotë të BE-së". Në emër të të rinjve përshëndetën studentë të Fakultetit Ekonomik dhe Shkencave Politike, të cilët vlerësuan kontributin e Kuvendit, në mbështetjen ndaj të rinjve dhe reformave integruese për zhvillimin e vendit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›