E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të hiqet taksa e çimentos nga qeveria e Kosovës

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, tha sot se tarifa e vendosur është arbitrare dhe dëmton rëndë biznesin shqiptar. Në analizat e DHTI-së, Odës Ekonomike të Kosovës (OTK) dhe përfaqësuesve të fabrikës së çimentos së Fushë Krujës, rezulton se 40 % e tregut të çimentos në Kosovë mbulohet nga prodhuesit shqiptarë, ku 33 % e mbulon fabrika e Fushë Krujës.

"Ne e ngremë këtë çështje për të sensibilizuar të dy qeveritë, atë shqiptare dhe atë të Kosovës, që të jenë më të ndjeshme për të stimuluar bizneset dhe prodhuesit e vendeve tona. DHTI dhe OTK kanë marrë edhe nismat për të patur një platformë të qartë të unifikimit të tregut fiskal ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe shpesh herë nga dy qeveritë përballemi me barriera dhe tarifa doganore të panevojshme, që cenojnë rëndë marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike të dy vendeve tona", deklaroi Jaka. 

Ai i bëri thirrje ministres së Ekonomisë dhe Tregtisë së Kosovës, Mimoza Lila-Kusari, të reagojë pozitivisht, siç reagoi për heqjen e tarifës së produktit të patates. "Vendosja e një tarife prej 35 % është jashtë çdo lloj logjike ekonomike apo politike që qeveritë përkatëse mund të nxisin prodhuesit dhe sipërmarrësit e tyre", tha Jaka, duke shtuar se "kemi një sipërmarrës shqiptar që qarkullon eksport nga Shqipëria në Kosovë mbi 15 milionë euro, shifër kjo që rëndon edhe në volumin e eksporteve tona"./Start/

                                                                                             2012-06-14 15:42
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›