E Diel, 1 Nëntor 2026

Të jesh, a të mos jesh… faktor në Ballkan!

Shqipëria është cilësuar si çelësi i stabilitetit në Ballkan nisur edhe nga shprehja europiane, padyshim e mbetur ``trashëgim`` nga vetë europianet se ``Shqipëria është i vetmi vend që kufizohet me vetveten…``. Liderë të ndryshëm shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni, e kanë kuptuar këtë duke i dhënë një rëndësi Tiranës zyrëtare, por edhe boshtit intelektualo-politiko-mediatik në krijim Tiranë-Tetovë-Prishtinë! Shqipëria nuk është e rëndësishme vetëm për 3.5 milionët brenda saj, por edhe për ata mëse 2.5 milionët që ka rrotull. Shqiptarët kanë pritur shumë për liderë të fortë, por mbi të gjitha të zgjuar dhe me këmbë në tokë. Çështja shqiptare, mbetet një nga çështjet më të koklavitura në Europën juglindore, e rrethuar nga një mbështetje amerikane në pikëpyetje dhe një paqartësi europiane në vazhdim. Është thënë se Kosova, nuk ka qenë kurrë më afër pavarësisë se këtë herë. Dhe duket se ajo që diskutohet tani nuk është më pavarësia, por sesi do të bëhet konkretisht kjo, nga cilat gjëra duhet të heqin dorë shqiptarët e Kosovës për të fituar disa të tjera… Gjithsesi, deklarata e ministrit të jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj, u tregoi të gjithëve, se Shqipërisë i dhemb dhe i djeg kur bëhet fjalë për shkëputje territoresh, ndarje që të kujtojnë vitin me numrin e mbrapshtë 13-të! Sido ta ketë thënë ministri Mustafaj dhe sido të jetë komentuar nga mediat, brenda apo jashtë kontekstit, shqiptarët gjetën në të një deklaratë që pak a shumë shpreh atë që ndiejnë ata të gjithë. Deklarata e tij, ndoshta mund të mos quhet kokë e këmbë diplomatike, por ajo mbetet deklarata e një politikani dhe shqiptari të ndërgjegjshëm për fatet e një kombi, që po vuan prej afro një shekulli nga padrejtësia që iu bë. Ndaj, mund të cilësohet e pavend frika e qarqeve politike shqiptare, madje ajo duket e motivuar politikisht. Deklarata e zotit Mustafaj, sido të jetë thënë ajo, e mbart Shqipërinë në rolin e një faktori në Ballkan. Natyrisht që do shkaktojë edhe reagime negative nga vende të ndryshme. Nganjëherë, edhe me gjuhën realiste dhe pa buzëqeshje të shtirura të diplomacisë, u duhen treguar të tjerëve ato që ti i konsideron të paprekshme. Gjatë një konference për shtyp në Shkup, rreth 2 vjet më parë, më bëri përshtypje zelli i kolegëve të mij gazetarë nga Maqedonia, kur pyesnin ish kryetarin e kuvendit Servet Pëllumbi se ``ç`kishte bërë shteti shqiptar për të drejtat e një pakice maqedonase thuajse "honorifike"në Shqipëri…``. Në atë kohë, faktori shqiptar në Maqedoni kishte dhënë alarmin, se marrveshja e Ohrit po zvarritej e bëhej tërkuzë… ndërsa kryetari i kuvendit maqedonas Jordanovski iu përgjigj me lakime dhe dredha si kthesat e Kërrabës pyetjes sonë lidhur me këtë çështje. Sa pak i mbrojmë ne, shqiptarët, ato që duhet të mbrojmë dhe sa shpejt që bëhemi ``më europianë se europianët`` duke hequr dorë prej atyre që duhet t`i ruajmë! Të jesh faktor në Ballkan do të thotë të përballesh edhe me përplasjet, kundërshtitë, krizat por të mundohesh t`i evitosh të gjitha këto. Të jesh faktor në rajonin tonë të trazuar, do të thotë të bësh të kundërtën e asaj që bëjnë radikalët në Beograd, Shkup apo Athinë, por edhe të mos heqësh dorë nga ato që ne shqiptarët i konsiderojmë të shenjta dhe të paprekshme. Nuk mund të sakrifikohen interesat kombëtare në emër të "marrdhwnieve tw shkwlqyera"që ne shqiptarët i kemi ushqyer njëanësisht. Deklarata e fundit e kryeministrit Berisha se Shqipëria është një nga vendet e para që ka njohur dhe respektuar integritetin e Maqedonisë, është një shenjë e pëgjegjshmërisë dhe jo-revanshizmit të klasës politike shqiptare. Gjithsesi, Kosova e ndarë, do të vendoste me të vërtetë në pikëpyetje edhe copëza të tjera kufinjsh funksionalë dhe jofunksionalë në rajon. Mendoj se shqiptarët, nuk duhet të kenë frikë nga termi Shqipëria e Madhe. Gjithë trojet shqiptare mund të bashkohen vetëm nën petkun e Bashkimit Europian. Dhe sado të mëdhenj të bëhen shqiptarët, nuk i kalojnë kurrë rreth 9 milionë serbët apo 10 milionë grekët. Të gjithë e kemi pranuar, se nëse është bashkuar edhe Gjermania që i shkaktoi botës dy gjëmat më të mëdha në historinë e njerëzimit, atëherë as Europa, Amerika apo fqinjët tanë, nuk duhet të tremben nga shqiptarët, që shekullin e fundit, kanë qenë viktima të mirëfillta të pacifizmit të tyre. Shqiptarët nuk bëjnë thirrje për luftë, por për realizëm dhe objektivitet, të drejta dhe demokraci, ndaj ata kanë filluar të bëhen faktorë në rajonin e kokave dhe kohrave të nxehta. Përcjellja e një prej kriminelëve më të mëdhenj të shekullit XX , Sllobodan Millosheviç, dhe përcjellja disa javë më parë e liderit kosovar Ibrahim Rugova, s`tregojnë asgjë tjetër vetëm një realitet të ri. Por s`duhet harruar, se shqiptarët do të jenë faktor në Ballkan, për aq kohë sa do jenë të përgjegjshëm e ndërgjegjshëm, dhe padyshim të zgjuar e me këmbë në tokë…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›