Greva në Greqi, bllokohen për 48 orë pikat doganore me Shqipërinë
GREQI- Përsëri kanë shpallur grevë doganat greke dhe njoftimi bëhet i ditur nga Ministria greke e Financës. Kështu prej datës 22 shtator, pra prej ditës së hënë, për 48 orë të gjithë doganat e Greqisë do të fillojnë një grevë të përgjithshme. Si pasojë do të ketë një paralizim të të gjithë mjeteve dhe mallrave në doganat me vendet kufitare të shtetit grek që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian. Problemi kryesor është në doganat që lidhen me Shqipërinë, kjo për arsye të shkëmbimeve të mëdha tregtare midis dy vendeve, por edhe lëvizjes së emigrantëve shqiptarë. Për këtë arsye si dhe për të shmangur kaosin në doganat e Kapshticës, Kakavijës, Tre Urat etj, Ministria greke e Financës ka publikuar njoftime me anë të të cilave lajmëron të gjithë ata që do të lëvizin në dy anët e kufirit të mbajnë me vete vetëm sendet më të nevojshme personale dhe jo bagazhe që kanë nevojë për kontroll doganor. Sipas kësaj ministrie në të gjitha pikat kufitare do të ketë personel sigurie. Brenda një jave, është hera e dytë që punonjësit e doganave të Greqisë shpallin grevë, duke reaguar ndaj premtimeve që nuk i ka zbatuar qeveria e z.Karamalis pas kërkesave të karakterit ekonomik që ata i kanë drejtuar kësaj qeverie, siç janë ato të pensioneve dhe të rrogave të tyre mujore.
Sherri mes vëllezërve për pronën, plagosen nga shpërthimi i granatës
BERAT - Një konflikt mes dy vëllezërve për pak ka përfunduar në tragjedi. Ngjarja ndodhi në Urën Vajgurore, në Berat, pas një sherri mes vëllezërve Zeqo. Sipas burimeve policore, vëllezërit Tomorr dhe Gramoz Zeqo kanë debatuar mes tyre për motive pronësie. Kaq është dashur që sherri të degjenerojë në përdorimin e lëndëve luftarake.
“Tomorr Zeqo, 40 vjeç ka tërhequr siguresën e nja granate të cilën e mbante me vete dhe e ka hedhur kundrejt vëllait të tij Gramoz Zeqo”- thanë burimet. Si pasojë e shpërthimit të granatës janë plagosur të dy vëllezërit, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital, për të marrë ndihmën mjekësore. Pak më vonë, në vendin e ngjarjes ka mbërritur menjëherë policia e cila ka kryer veprimet e para procedurale dhe është shoqëruar Gramoz Zeqo, 45-vjeçar, i cili kishte mbetur i dëmtuar lehtë.
Shpallen në kërkim 2 vëllezër, kërcënuan me armë fqinjët për pronën
KRUJË- Dy vëllezër janë shpallur në kërkim, pasi kanë kërcënuar me armë fqinjët, për shkak të një konflikti që kishin për çështje prone. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë nisën procedimin penal ndaj shtetasve Xhevahir dhe Durim Hushi, lindur dhe banues në fshatin Halilaj të Bashkisë së Fushë Krujës. Sipas tyre, vëllezërit Hushi, të njëjtën ditë, rreth orës 11.00, në fshatin Halilaj, kanë kanosur me armë zjarri për motive pronësie shtetasit B.V. dhe K.V.; të dy banues në të njëjtin qytet. Burimet e policisë vendore bëjnë të ditur se po punohet për kapjen e vëllezërve Hushi, pasi ata akuzohen për veprat penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake" dhe "kanosjes".
SHKURT
Arrestohet, e denoncoi 18-vjeçarja për përdhunim
LIBRAZHD - Një 21 vjeçar u ndalua nga policia në Librazhd, sepse akuzohet për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë me një 18-vjeçare. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje është bërë ndalimi i i shtetasit B.G., pas një denoncimi që kishe mbërritur në polici në adresë të tij. “Pas një urdhri të prokurorisë, u ndalua shtetasi 21 vjeçari, lindur e banues në fshatin Zdrajsh të komunës Orenjë, në rrethin e Librazhdit”,-thanë burimet policore. Nga hetimet e para ai dyshohet se ka përdhunuar 18 vjeçaren me iniciale D.B, lindur e banuese në fshatin Kuturman të rrethit të Librazhdit.
Defekti në rrjet lë në errësirë Jugun e Shqipërisë
GJIROKASTËR - Një defekt i rëndë ka lënë pa energji jugun e vendit që nga ora 15.00, e ditës së djeshme. E gjithë zona është pa energji elektrike, ndërkohë që nuk është thënë asgjë se sa kohë do të kërkojë riparimi i defektit. Sipas burimeve nga Gjirokastra, mësohet se energjia është ndërprerë në gjithë zonat, duke filluar që nga Ballshi e deri në Gjirokastër. “Shkak është bërë një defekt në linjën e tensionit të lartë 110 kilovolt, që nga Ballshi furnizon me energji elektrike jugun”- thonë burimet. Sipas tyre, grupet e angazhuara për avaritë mësohet se kanë mbërritur në vend dhe po merren me riparimin e defektit.
Ndalohet, dhunoi bashkëshorten e marrë në mbrojtje nga policia
DURRËS – Pas 48 orësh kërkimi, policia arriti të ndalojë 40-vjeçarin, i cili ishte denoncuar nga ish-bashkëshortja për ushtrim dhune në mënyrë të përsëritur. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy ditë më parë kanë ndaluar shtetasin Flamur Konesha, i cili ishte shpallur person në kërkim për ushtrim dhune ndaj bashkëshortes së tij, L.K., 27 vjeçe, e cila ishte marrë nën mbrojtje nga policia me vendim gjykate. “Pas kapjes dhe kryerjes së veprimeve të para hetimore, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprat penale të “veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës si dhe dëmtimeve te tjera me dashje në ngarkim të shtetasit Flamur Konesha”, - thonë burimet policore.
Luftë bandash në mes të qytetit, prangosen 4 të rinj
LEZHË - Luftë bandash me armë në mes të qytetit të Lezhës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se tre të rinj; Aleks Deda, Sajmir Ndoja dhe Bledar Deda, kanë qenë protagonistë të kësaj ngjarje, e cila ka tronditur qytetin e Lezhës, pas shkëmbimit të zjarrit, i cili mendohet të ketë ardhur nga makinat e Aleks Dedës dhe Sajmir Ndoja ndaj Bledar Dedës. Fatmirësisht, nuk ka pasur të plagosur, ndërsa dhjetëra kalimtarë të rastit janë tmerruar. Policia e Lezhës ka bërë e mundur arrestimin e tre personave: Aleks Dedës dhe Bledar Deda, Sajmir Ndoj. Burimet policore pohojnë se nën hetim është edhe shtetasi Indrit Kolgjokaj, i cili ndiqet penalisht për moskallëzim krimi.
Arrestohet autori i grabitjes me armë të tregtarëve
KURBIN - Policia e Kurbinit ka vënë në pranga personin që realizoi grabitjen me armë të dy vëllezërve tregtarë nga Dibra. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se është ndaluar shtetasi Arjan Lamaj, 22 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim me vendim të prokurorisë që prej datës 9 gusht të këtij viti. Sipas burimeve zyrtare, Lamaj, në bashkëpunim me persona të tjerë, më 7 gusht pasi i kanë bllokuar rrugën dy vëllezërve S. Çenga dhe A. Çenga nga Dibra, iu kanë zbritur nga makina në afërsi të fshatit Shullaz dhe iu kanë marrë rreth 10 milionë lekë të vjetra të cilat i kishin për të marrë furnizimin e dyqanit të tyre. Lama ka qenë arrestuar dhe dënuar më parë për vjedhje.
22 Shtator 2008