Pranga Nazmi Hykës, përgjegjës për tragjedinë e 9 janarit
Luan Kondi
TIRANË - Nazmi Hyka, një prej organizatorëve kryesorë të trafikut të klandestinëve që humbën jetën në tragjedisë së 9 janarit u arrestua në Itali. Mediat italiane kanë publikuar lajmin se dy ditë më parë u prangos në Borgo San Lorenzo, provincë e Firences në Itali, Nazmi Hyka, 45 vjeç, lindur në Golem të Komunës Rrethina të qytetit të Shkodrës. Hyka figuronte në listën e personave të shpallur në kërkim nga policia shqiptare, pasi Gjykata e Vlorës, më datë 24 janar të vitit 2005 e ka dënuar atë me 25 vjet burg për veprën penale të “trafikimit të qenieve njerëzore”.
Operacioni
Zbulimi i vendndodhjes së 45 - vjeçarit u bë falë informacionet e shkëmbyera mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve policore italiane. Karabinierët nuk e kanë pasur të lehtë ta vënë në pranga pasi i kërkuari u prezantua me gjeneralitete false. Informacionet e Policisë italiane zbardhin edhe detaje të operacionit “Moro 2007”, i cili mundësoi vënien në pranga të Hykës, edhe pse ai ishte paraqitur si Adem Çelaj, 51 vjeç. Nuk kanë vonuar vetëm disa minuta dhe karabinierët i kanë shtrënguar mashtruesit byzylykët, pasi ata kishin dyshuar se Çelaj ishte pikërisht Nazmi Hyka, të cilin homologët e tyre e kishin shpallur në kërkim. Policia italiane e kanë verifikuar shumë të kërkuarin nëpërmjet krahasimit të gjurmëve të gishtave. Në fakt operacioni policor synonte zbulimin e një rrjeti për trafikun ndërkombëtar të kokainës të importuar nga Spanja, që ka çuar në arrestimin e 15 personave mes të cilëve edhe shqiptari Nazmi Hyka. Ky i fundit ishte pjesë e organizatës kriminale dhe drejtonte një grup brenda saj të përbërë nga pesë shqiptarë, dhe që merrej kryesisht me transportin e drogës nga Spanja drejt Italisë. Po ashtu Policia e Firences ka sekuestruar edhe 12 kilogramë substancë narkotike me një vlerë prej 360 000 euro. Të gjithë të arrestuarit janë akuzuar për trafik ndërkombëtar dhe shpërndarje substancash narkotike. Pas prangosjes së Hykës Policia italiane njoftoi Policinë shqiptare për nisjen e procedurave të ekstradimit. Madje burime nga Policia e Shtetit thanë për gazetën “Albania” se në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme do të fillojnë procedurat për ekstradimin e Hykës me qëllim dërgimin e tij në qeli, ku do të qëndrojë për rreth 25 vjet, dënim i cili mori formën e prerë në dhjetor të vitit 2005 nga Gjykata e Apelit Vlorë.
Tragjedia
Hyka, në bashkëpunim me Cukal Delinë, Zef Markun dhe me persona të tjerë, kanë organizuar trafikun ilegal të qenieve njerëzore, duke iu premtuar atyre mbërritjen në Itali kundrejt pagesës prej 1500 euro për person. Pas përfundimit të rolit të sekserit, trafikantët organizuan edhe transportin nga Shkodra në Vlorë me një furgon. Pas mbërritjes në Vlorë, në bashkëpunim me persona të tjerë, ata kanë organizuar kalimin ilegal të kufirit me një skaf. Kështu, më datë 9 janar të vitit 2004, një skaf me 36 persona në bord u nis nga Vlora me destinacion Italinë. Por udhëtimi ilegal u kthye në një tragjedi ku 21 prej klandestinëve humbën jetën. Për ngjarjen nisën hetimet për të zbuluar organizatorët e këtij udhëtimi. Pas një vit hetimi, policia mundi të zbulonte emrat e 12 personave, të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nisën me skaf drejt Italisë 36 persona. Policia arrestoi 5 prej të akuzuarve ndërsa shtatë të tjerët u shpallën në kërkim, njëri prej të cilëve ishte dhe Nazmi Hyka. Ky i fundit, prej disa kohësh strehohej në Itali për t’i shpëtuar prangave të policisë.
22 Shtator 2008