E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të jetosh në mjerim mes skorieve dhe hekurishteve

17/11/2011  Dëshmi tragjike varfërie të familjeve që jetojnë me mbetjet e fundit të skrapit në Ish- Metalurgjiku

ELBASAN- Liria është 64 vjeç, ndërsa bashkëshorti i saj është 72. Të dy kanë 20 vjet që gërmojnë skrap për të nxjerrë pak hekur me të cilin ushqehet një familje me 8 pjesëtarë. Së bashku me ta gërmon edhe i biri e nusja e tij, por gjithçka ka ardhur duke mbaruar dhe hekuri nuk është i thjeshtë për t’u gjetur në grumbujt e skorieve të metalurgjisë. Liria tregon se së bashku gërmojnë dhe një herë në javë hekurishtet e mbledhura dhe i shesin me 80 lekë të vjetra deri në 150 lekë nëse hekuri është më cilësor. “Nëse arrijmë një sasi të mirë është fat për ne pasi në shumicën e rasteve e kemi të vështirë të rrumbullakosim faturat e të ushqehemi. Të ardhur tjetër kemi vetëm një pension minimal të burrit me të cilin nuk blejmë dot as bukë. Kemi 5 vajza dhe 3 djem. Djemtë kanë krijuar edhe familje. Të gjithë mbahemi me skrapin, por tashmë situata sa vjen e vështirësohet për ne. Na lejohet vetëm të grumbullojmë skrap në këtë territor, pasi pjesën tjetër e kanë marrë firmat. Se di deri kur do vazhdojmë, por ne do të jemi derisa të kemi frymë këtu”. Këto janë fjalët e Liries, ndërsa vazhdon të gërmojë për një copë hekur që do të sigurojë ushqim bashkë me familjen e saj. Ndërkohë pak më tej Nazmi Xhija, 64 vjeç bashkë me të birin është duke gërmuar në një tjetër gropë për të gjetur ca hekurishte të ndryshkura që për grumbulluesit e skrapit vlejnë shumë pak. “Ne nuk kemi mundësi të shkojmë atje ku derdhen mbeturinat e Kurumit pasi, aty e kanë vendin punëtorët e firmës së grumbullimit. Ne duhet të rrimë në këto grumbuj të derdhur kohë më parë dhe duhet të gërmojmë me krahë deri pasdite vonë. Në ditët më të mira fitojmë deri në 3 mijë lekë të vjetra, por shumica janë ditë të këqija.

Ndërkohë Lavdija, që kushdo do t’i jepte mbi 50 vjeç nuk është më shumë se 38 dhe ka 4 fëmijë, një prej të cilëve të mitur. Ajo thotë se grumbullon qymyr guri dhe e shet për kovaçhanat. “Skrap s’ka më prandaj po mbledhim qymyr. Ky shitet shumë pak, por s’kemi ç’bëjmë duhet të ushqehemi”. Pasi grumbullon qymyrin bashkë me të birin ajo largohet për të shitur sasinë e qymyrit që do t’i sigurojë drekën e darkën për familjen.

Si këto personazhe të kësaj dite pune në grumbujt e skorieve të metalurgjikut ka me dhjetëra. Të gjithë ankohen se tashmë puna e tyre këtu është e kotë, por s’kanë ku të shkojnë, nuk kanë zgjidhje tjetër. U mbetet të presin mbarimin e skrapit duke gërmuar me shpresën se një ditë do të ndihmohen nga dikush, do të kenë një punë tjetër, do të jetojnë më mirë.

Veresie gjithandej

Jetojnë me borxhe, ndërsa grumbullojnë skrapin 200 familje

Rreth 200 familje që banojnë në fshatin Bradashesh tek vendi i quajtur “Pallatet” mbahen me grumbullimin e skrapit në Metalurgji. Sipërfaqja ku mbledhin hekurishte për skrap sa vjen e ngushtohet. Fejzo F. tregon se ai ka 5 fëmijë dhe dikur bashkë me djalin punonin për grumbullimin e skrapit dhe fitonin, por tani sa vjen e kjo gjë është ngushtuar. “Objektet në ish metalurgjik janë privatizuar dhe janë vënë roje, të cilët kanë në dorë të na lejojnë apo jo që të gërmojmë hekurishte. I vetmi vend i lirë për ne mbetet grumbulli i skorieve ku tashmë duhet të gërmojmë për të gjetur pak kilogram në ditë që të fitojmë pak para. Një kg skrap kushton 200 lekë të vjetra dhe një personi i duhet të mbledhë të paktën 50 kg që të grumbullojë paratë që i duhen për të mbajtur familjen me ushqime. Në ditë shiu ne nuk mund të punojmë dhe presim që koha të hapë. Ndërkohë marrim veresie në dyqanin afër pallatit. Listat janë të gjata, por s’kemi çfarë të bëjmë e si ti paguajmë. Marrim vetëm ndihmë ekonomike 30 mijë lekë të vjetra. Mua më kanë shkëputur energjinë elektrike e s’kam para të paguaj. Vuajmë për të ngrënë. Nuk kemi asnjë zgjidhje. Punë në ndërtim nuk ka. Ju vetë e shikoni në çfarë gjendje jemi. Skrapi po mbaron dhe do të vijë dita që nuk do të kemi mundësi të nxjerrim asnjë kile skrap. Ka pasur raste kur të rinj janë arrestuar pasi kanë kërkuar skrap në godina të privatizuara. Madje edhe në një rast një të ri e kapi korrenti teksa ishte duke mbledhur pjesë hekuri. As firma turke nuk na merr në punë. Nuk dimë çfarë do të bëhet me ne”.

Listat e gjata veresie, shitësi: Ne falimentuam

Farmacistja: U kam dhënë kur kanë qenë në gjendje të rëndë

Pak metra më tej, pas pallateve të vetme që strehojnë me qindra familje të komunitetit egjiptian është një dyqan. Teksa hyn brenda shitësi i nervozuar dhe i stresuar të tregon vetëm listat që mbajnë shifra të frikshme. Ai thotë se është i vetmi që ka licencë në lagje nga shumë dyqane të tjera të hapura dhe i vetmi që ka dhënë veresi. Listat e banorëve të pallateve janë të gjata. Disa prej tyre kapin edhe shifrën 1 milion lekë për një familje. Ismail Lleshanaku thotë se këto lista janë zgjatur në vite deri në këtë gjendje. “Varfëria që ka kap këto familje është ekstreme sa as ne nuk dimë çfarë të bëjmë. Kam bërë vetëm 10 mijë lekë xhiro gjithë ditën. Kryesisht këtu blihet me 200 lekësh të vjetër dhe në shumë raste merret veresie. Tani nuk jap më, por në rastet kur vijnë familje që s’kanë bukë do të jap skam çfarë bëj. Situata është kjo që është. Ne jemi në faliment. Kam 20 milionë lekë borxh tek këto familje. Nuk di a duhet të shpresoj ti marr ndonjëherë. Nuk ka asnjë zgjidhje”. Në atë kohë afrohet një prej personave që ka mbushur listën me veresi. Ai thotë se ndjehet mjaft keq pasi i vjen turp të dalë përballë shitësit. “Kam familjen e fëmijët. Kemi punuar me skrap dikur kurse tani ka rënë. Gërmojmë për disa metra për të gjetur pak hekur. Kemi pasur raste edhe kur i ka zënë dheu në gërmim e sipër. S’kemi zgjidhje tjetër. Marrim vetëm 30 mijë lekë asistencë. Si do të mund të jetojmë me kaq. Nuk ka punë në ndërtim. Emigracioni është mbyllur pasi as në Greqi nuk kërkohen punëtorë sezonal. Na thoni çfarë të bëjmë për të paguar këto para”. Ai ka jo pak borxh, por 800 mijë lekë të vjetra në listat e shitësit.

Veresi edhe në farmaci

Në farmacinë e komunës lexohet me shkronja të mëdha: “Nuk japim veresi”, por kur gjendet përballë rasteve me temperaturë e në gjendje të rëndë sidomos të fëmijëve, farmacistja detyrohet të plotësojë ilaçet dhe të shënojë emrin. Ajo tashmë ka nxjerrë në një listë të gjithë ata që kanë para borxh në farmaci dhe do t’ia dërgojë listën zyrës së Ndihmës Ekonomike që ato t’i mbajnë atje paratë e ilaçeve. E shqetësuar për shtimin e listës, ajo thotë se ka vendosur këtë tabelë, por kur gjendet përballë rasteve të rënda nuk ka ç’të bëjë tjetër vetëm të thyejë rregullin e të plotësojë recetën.

Mbledhja e skrapit dhe grumbullimi

Familjet që jetojnë përreth ish metalurgjikut, në fshatin Katund i Ri, Bradashesh e Vidhas në një pjesë të mirë mbahen me grumbullimin e shitjen e skrapit. Ata vetë që tani nuk duan të flasin shumë për këtë pasi i është dashur të thyejnë rregullin e të futen në objekte të privatizuara thonë se skrapi po shkon drejt fundit dhe ata nuk kanë më asnjë të ardhur nga kjo gjë që ishte kthyer edhe punë të përhershme të tyre. Në fshatin Vidhas shumë të rinj detyrohen të rendin pas trenit në lëvizje duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Në shumë raste ata janë arrestuar duke shkelur zonën e privatizuar. Shumë prej tyre edhe pse në varfëri dhe me shumë probleme dëshirojnë të mbeten anonimë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›