E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhet një tjetër kryetar i Këshillit të Qarkut Fier

17/11/2011  Me vota të këshilltarëve demokratë. Socialistët bllokuan sallën: Gjykata e pezulloi

FIER- Edhe pse me një maratonë zhvillimesh në qytetin e Fierit përgjatë gjithë ditës, në orët e pasdites është zgjedhur një tjetër kryetar për Këshillin e Qarkut Fier. Ai është Artur Shehu, i cili u zgjodh dje me 56 votat e këshilltarëve të djathtë nga 96 që janë gjithsej të zgjedhur të qarkut. Artur Shehu ishte kandidati që u përball me kandidatin e majtë Vangjel Ndreko në konstituimin e Këshillit të Qarkut më datë 21 shtator 2011.

Mbledhja e kontestuar

Ka qenë pikërisht kjo mbledhje e paralajmëruar nga e djathta, por e pezulluar nga një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, arsyeja që dje qysh në orët e para të mëngjesit të krijohej një situatë e pazakontë. Kështu qyteti në afërsi të prefekturës është zgjuar nën hijen e dhjetëra policëve të shtetit, të bërë gardh përpara institucionit të prefekturës. Pak minuta më vonë në sheshin përpara prefekturës u mblodhën edhe anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste, të cilët të njoftuar për zhvillimin e mbledhjes kanë protestuar duke kërkuar që kjo mbledhje të shtyhej pasi Gjykata e Apelit në Vlorë të merrte një vendim. Ky i fundit pritet të merret nesër më datë 17 nëntor. Në këto kushte deputetë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste nuk kanë lejuar që të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Qarkut për konstituimin dhe zgjedhjen e kryetarit tjetër të qarkut. Ata e kanë quajtur të paligjshme zhvillimin e mbledhjes, pasi është shkelur vendimi i gjykatës për pezullimin e saj. “Vendimi i gjykatës së dy ditëve më parë u heq të drejtën këshilltarëve të mblidheshin derisa organet e drejtësisë të shpreheshin mbi çështjen e Këshillit të Qarkut, e cila tashmë vazhdon të jetë në gjykatë. Anëtarët e PS kanë ardhur këtu që të jenë pjesë e kësaj masakre që po bën prefekti i qarkut Fier dhe deputetët e PD-së. Këta qytetarë kërkojnë ta shohin në sy çdo palaçollëk që po bëjnë këta, të cilët nuk njohin asnjë ligj”, ka deklaruar deputeti i PS, Armando Subashi.

Përplasjet mediatike

Ndërkohë gjatë kohës që të majtët hynë në sallën ku do të zhvillohej mbledhja, në ambientin që sot njihet si teatri i kukullave, prefekti i qarkut Fier, Bujar Hasaj ka deklaruar se mbledhja do të zhvillohej në çdo ambient ku të mundeshin, edhe pse ky ambient u uzurpua, sipas tij, nga të majtët. Ai u ka bërë thirrje deputetëve socialistë të tërhiqen, ndërsa nuk ka arritur të shprehet i qartë nëse e respekton në këtë formë vendimin e gjykatës dhe nëse i njoftoi këshilltarët të mblidhen sot apo të mos mblidheshin në respektim të vendimit të gjykatës. “Unë e respektoj vendimin e gjykatës, por mbledhja do të zhvillohet kudo që të mundemi. Iu bëj thirrje deputetëve të PS-së të heqin dorë nga uzurpimi. Vendimi i gjykatës i datë 12 nëntor pezullonte vetëm njoftimin dhe skishte në brendësinë e vetë anulimin e mbledhjes dhe heqjen e të drejtës së këshilltarëve të mblidhen për organet e tyre drejtuese”, ka theksuar prefekti në një dalje publike.

Në lidhje me këtë ngjarje ka pasur edhe një reagim të Kreut të Këshillit të Qarkut, Vangjel Ndreko. Në një konferencë shtypi ai ka akuzuar prefektin se po shkel ligjin.

“Prefekti i Fierit po shkel ligjin, nuk respekton vendimin e gjykatës. Ai po kërkon të ndërtojë struktura paralele. Deri në formën e prerë askush nuk ka të drejtë të marrë iniciativa për thirrjen e Këshillit të Qarkut, qoftë edhe nga prefekti, për arsye se çështja është në gjyq. Unë respektoj ligjin. Madje kjo iniciativë është arsyeja që njerëzit u futën në sallë në shenjë indinjate”, tha Ndreko. Rreth mesditës të djathtët e kanë zhvendosur mbledhjen në sallën e Hotel Fierit. Por debateve përgjatë gjithë paradites për mbajtjen apo jo të mbledhjes së Këshillit të Qarkut, mes të majtëve dhe të djathtëve gjithçka merr fund me zgjedhjen e kreu i Këshillit të Qarkut. Të pranishëm gjatë votimit të tij ishin vetëm këshilltarët e “Aleancës për Qytetarin”, ndërsa ata të “Aleancës për të Ardhmen” e quajtën mbledhjen të jashtëligjshme. Në këtë mbledhje zgjidhen edhe nënkryetari dhe kryesia e Këshillit të Qarkut, ndërsa u la për një mbledhje tjetër zgjedhja e sekretarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›