E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të krijohet një dikaster për mbrojtjen e trashëgimisë

Do të ishte për t’u përshëndetur, nëse projekti i Udhëheqjes së Re të vendit, do të parashikonte për herë të parë në historinë e Shqipërisë një institucion shtetëror qendror në rang dikasteri, i cili do të komandonte tërë Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Shqipërisë. Do të ishte një hap, që do ta bënte qeverinë të ndërhynte vetë direkt në fatin e thesarit kulturor historik, i cili, siç e shohim përditë, po përjeton shansin e fundit të ekzistencës së vet. Veçanërisht jam përpjekur të tërheq më shumë vëmendjen për çështjen e mbrojtjes së pasurisë arkeologjike dhe të monumenteve të kulturës, ku masakra e dekadës së fundit mbi ato është bërë e frikshme. Rreth katër javë më parë, pata propozuar skemën se si duhej ndërtuar struktura dikasteriale për shpëtimin e pasurisë arkeologjike dhe të monumenteve të kulturës në realitetin e sotëm në Shqipëri - një Komitet i Trashëgimisë Kulturore nën varësinë direkt të kryeministrit. Në këtë përfundim vihet duke pasur parasysh rezultatet negative që po japin prej kohësh institucionet ekzistuese shtetërore dhe qeveritare që merren me mbrojtjen e kësaj trashëgimie, por edhe kërcënimi i pandalshëm që po i bën këtyre thesareve të trashëgimisë, shthurja politike e shtetit dhe niveli i ulët aktual qytetërues i shoqërisë sonë në dyndje të vazhdueshme. Prandaj mendoj, se fati i thesareve historike në Shqipërinë e sotme, duhet të jetë në duart e kryeministrit për aq kohë, derisa të ndërtohet dhe të vihet në funksion reformimi ideor, struktural dhe ligjor për mbrojtjen e saj në përputhje me marrëveshjet (konventat) evropiane bashkëkohore. Qëllimi është, që qeveria të marrë seriozisht dy gjëra direkt në dorën e saj: të parën, ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si thesar historik, dhe të dytën, shfrytëzimin e saj si thesar ekonomik, gjithnjë duke respektuar kufijtë e ruajtjes dhe mbrojtjes së autenticitetit të saj si dokument historik. E para është çështje e organizimit profesional tekniko-ligjor (edhe policor) për ruajtjen dhe mbrojtjen e monumentit. E dyta i përket veshjes muzeore, krijimi i mjedisit shkencor historik për qytetarin (edhe vizitorin e turistin) për ta bërë monumentin faktor ekonomik. Shqiptarët që njohin nga afër vendet fqinje si Italinë, Greqinë apo Turqinë, kanë vënë re përgjegjësinë shtetërore dhe private që trajtohen atje, veprat e trashëgimisë kulturore si dëshmi të identitetit të tyre kombëtar. Por jo vetëm kaq. Ata kanë vënë re njëkohësisht, se këto vepra janë institucionalizuar, infrastrukturuar dhe integruar ndjeshëm ashtu si lëndët industriale në ekonominë madhore të vendit. Mbrojtja dhe paraqitja e trashëgimisë kulturore në këto vende është bërë prej kohësh burim të ardhurash të konsiderueshme të buxhetit kombëtar. Nuk ka dyshim, se Shqipëria pjesë e të njëjtit areal gjeografik dhe historik, trashëgon të njëjtin potencial dhe intensitet veprash të trashëgimisë kulturore si fqinjët, në të gjithë spektrin e tyre, në ato të pasurisë arkeologjike, etnografike dhe ato të kulturës popullore në tërësi, në monumentet e kulturës, në dokumentet arkivore historike etj. Por mjerisht trashëgimia kulturore në Shqipëri nuk është faktor të ardhurash në buxhetin kombëtar. Përkundrazi, në vend që ajo në dy dekadat e fundit për hir të hapjes së kufijve të kishte fituar statusin e protagonistit të ekonomisë kombëtare të vendit, ajo është përfshirë në dëme të pareshtura anekënd vendit nga mungesa e ligjit dhe e kontrollit shtetëror (policor), - madje po zhduken përditë dëshmi kombëtare. Në një histeri shkatërrimi të paparë janë përfshirë veçanërisht monumentet e kulturës dhe pasuria arkeologjike, qoftë ajo e zbuluar, po ashtu edhe ajo që njerëzit po gërryejnë përditë prej nëntokës. Kështu, veprimtaria e mbrojtjes, studimit dhe paraqitjes muzeore të trashëgimisë kulturore në Shqipëri nuk gëzon sot as infrastrukturën ideore, as logjistikën teknikoorganizative dhe as kuptimin profesional për t’u bërë potencial i rëndësishëm ekonomik. Pikërisht iniciativa që mund të merrte udhëheqja e re e vendit, për përqendrimin e qeverisjes së trashëgimisë kulturore nën një institucion dikasterial shtetëror, do të ishte në këto kushte hapi vendimtar për ruajtjen, mbrojtjen dhe shpëtimin e veprave të saj. Sidoqoftë mendova, se është koha për ta plotësuar më tej propozimin tim, me disa koncepte skeletore mbi të cilat duhet reformohet institucioni në fjalë, me qëllim që mbrojtja e trashëgimisë kulturore të bëhet burim potencial për ekonominë e vendit tonë. * * * Trashëgimia Kulturore e Shqipërisë është tempull i dy vlerave kombëtare. Së pari është tempull i madh i dëshmisë historike të kombit tonë dhe i identitetit të tij në rrugën e bashkimit në familjen evropiane. Së dyti, në kulturën bashkëkohore, trashëgimia kulturore për ardhmërinë kombëtare është pjesë e jetës së përditshme qytetare, pra është pjesë e ekonomisë së vendit. Vlerën e veprave të trashëgimisë kulturore dhe historike për ardhmërinë e begatë kombëtare shqiptare e kanë zbuluar fillimisht rilindësit. Sami Frashëri në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, e ka vënë trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar në Tempullin e Kombit – Diturinë, të cilën e shikon si gjënë që shqiptarët duhet ta njohin dhe të kujdesen më tepër për ta ruajtur. Jo vetëm kaq. Në konceptin e tij ekonomik mbi prioritetet, pasuritë dhe rezervat që ka Shqipëria për të ndërtuar ekonominë e saj të pavarur, është edhe ngritja e institucioneve muzeore, që do të mbledhin, ruajnë e studiojnë veprat e trashëgimisë kulturore e historike. Ai e rendit trashëgiminë kulturore përkrah burimeve kombëtare të Shqipërisë për zhvillimin e përgjithshëm të vendit, që siç thotë vetë ai “do të sjellin begati dhe pasje të madhe në Shqipëri”, siç janë ndërtimi i rrugëve, i hekurudhave dhe i limaneve (skelave), shfrytëzimi i pyjeve dhe i mineraleve, zhvillimi i bujqësisë dhe i bagëtisë, si dhe mjeshtëritë vendase që rrjedhin nga produktet e tyre, si leshi, liri, pambuku, mëndafshi, hekuri, druri etj. Pra, qeveria e re ka shansin ta bëjë Trashëgiminë Kulturore një nga Tempujt e Ekonomisë sonë së ardhshme? Ku qëndron potenca ekonomike e veprave të trashëgimisë kulturore dhe në veçanti ajo arkeologjike dhe e monumenteve të kulturës? Siç u tha, vlera e trashëgimisë kulturore, është jo vetëm thesar shpirtëror-historik, por edhe thesar ekonomik për pasurinë e përgjithshme të Republikës sonë. Natyrisht çdo vepër e trashëgimisë kulturore e shpallur monument kulture mund të shitet në vetvete, por kjo nuk është vlera ekonomike e saj për konceptin modern. Vlera ekonomike bashkëkohore e monumentit është e lidhur me vënien në funksion të saj për interesat e shoqërisë, për edukimin e saj me kulturën historike. Pra monumenti duhet të marrë statusin shoqëror e ligjor të shoqërisë, që masa e qytetarëve të marrë kontakt me të, të mësojë prej tij, por duke i siguruar edhe mbrojtjen e tij prej tyre. Që të ruhet dhe të mbrohet vepra e trashëgimisë, pra që të sigurohet jetëgjatësia e saj në shekuj, është themelore të zbulohet dhe të inventarizohet me vërtetësi vlera e saj, e cila në fund të fundit shprehet në një shifër, e cila është e krahasueshme edhe me të tjerat. Çdo vepër e trashëgimisë kulturore merr si të thuash një çmim, i cili nxirret nga studimi dhe peshimi i vlerave të saj në katër aspekte: SË PARI, vlera kryesore e veprës së trashëgimisë kulturore qëndron si Dokument Historik. Ajo çmohet për vlerën e saj historike në gjininë që përfaqëson, në art, arkitekturë, arkeologji, etnografi, etj. Si e tillë ajo duhet Ruajtur dhe Mbrojtur nga një brez në tjetrin. Çdo brez është përgjegjës për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj, qëkurse e merr e derisa ia dorëzon gjeneratës pasardhëse. Ruajtja e veprës do të thotë sigurimi i ekzistencës fizike të saj ashtu siç e kemi sot, ashtu si ka ardhur nga epokat historike, domethënë të mos dëmtohet më tej, të mos vidhet, të mos digjet, të mirëmbahet. Mbrojtja do të thotë që vepra të mbetet e shëndetshme për të jetuar pafundësisht, të shërohet edhe kur e kapin sëmundje. Mbrojtja kryhet nëpërmjet veprimtarisë shkencore për zbulimin e veprës, njohjen dhe vlerësimin e saj shkencor, dhe sipas nevojës kryhen edhe ndërhyrjet e jashtme të konsolidimit, konservimit dhe restaurimit. Për zbulimin, vlerësimin historiko-shkencor të saj dhe propozimet për mbrojtje merren institucionet shkencore të specializuara të arkeologjisë, të monumenteve arkitektonikë e artistikë, ato të kulturës materiale dhe etnografike, laboratorët e specializuar etj. Ato e përcaktojnë vlerën shpirtërore dhe dokumentare historike të saj. Nga pikëpamja ekonomike, e gjithë veprimtaria për ruajtjen dhe mbrojtjen e veprave të trashëgimisë i takon fazës së investimit. SË DYTI, çdo vepër e trashëgimisë kulturore ka Vlerën e Prodhimit të saj, domethënë vlerën financiare që është dashur për ta prodhuar veprën. Kjo është e dallueshme nga vlera historike. Vlera e prodhimit të veprës është shumore e dy komponentëve financiarë, njëra është Vlera e të gjithë Materialeve që përbëhet vepra dhe tjetra është Kostoja e përgjithshme e Punës, që është dashur për realizimin e saj. Nga shumimi i këtyre dy komponentëve rezulton vlera financiare e prodhimit të veprës, ose siç quhet ndryshe Çmimi Prodhues i veprës. Të gjitha veprat e trashëgimisë kulturore të shpallura në mbrojtje të shtetit duhet të kenë çmim prodhimi. Për shembull, një kostum kombëtar i shpallur monument etnografik duhet të ketë një çmim prodhimi, ku përfshihet vlefta e gjithë materialeve që mbart kostumi, plus puna e rrobaqepësit, e argjendarit etj. për qepjen e stolisjen e tij. Për një kështjellë apo një park arkeologjik, çmimi i prodhimit përllogaritet nga vlera e materialeve që i kanë mbetur asaj ‘in situ’ (të mureve e kullave rrethuese, të ndërtimeve të tjera që ndodhen në hapësirën e përcaktuar të saj, gjithashtu vlera e tokës që ka zaptuar etj.), duke i shtuar koston e punës së inxhinierëve, muratorëve, karpentierëve etj. që u është dashur atyre për ndërtimin e saj. Po kështu, vlera e prodhimit të një kishe do të dilte nga vlera e materialeve të strukturave ndërtimore, e veprës artistike të palëvizshme me të cilën ajo është dekoruar (piktura murale, mozaikë etj.), plus vlefta e tokës, plus kostoja e punës që duhet për realizimin e të gjithë substancës ndërtimore dhe artistike të mësipërme. Me të njëjtën mënyrë përllogaritet vlera e prodhimit edhe për veprat e lëvizshme të trashëgimisë, gjetjet arkeologjike, ato ikonografike, etnografike, të kulturës popullore etj. Natyrisht, për llogaritjen e çmimit të prodhimit të veprës historike nuk merren çmimet e materialeve dhe kostot e punës të epokës kur vepra është prodhuar. Jo vetëm se është e pamundur që këto çmime të konvertohen, por sepse qëllimi i nxjerrjes së çmimit të prodhimit të veprës është për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj në ditët e sotme. Domethënë, me inventarizimin e saj në vleftë financiare, paralajmërohet dëmtuesi i mundshëm i saj në formën e një parakërcënimi për zhdëmtimin financiar të veprës penale, që atij mund t’i shkojë në mendje të kryejë. Nxjerrja e vlerës së prodhimit të veprës është aspekt i ruajtjes dhe i mbrojtjes së saj, paralajmërues për dëmtuesin. Prandaj merren çmimet e sotme të materialeve dhe kostoja e sotme e punës. Kështu, nëse do të vendoset një ditë të bëhet inventarizimi bashkëkohor i veprave të trashëgimisë kulturore, atëherë për llogaritjen e çmimit të prodhimit të këtyre veprave duhet të përdoren manualët teknikë aktualë, për çmimet e materialeve dhe të kostove të prodhimit. Pra vlefta e prodhimit të veprës e çfarëdo epoke historike që i takon, përllogaritet se sa do të kushtonte po të prodhohej sot. Koncepti parashikon sikur për një çast vepra ka humbur ose është dëmtuar, atëherë sa do të kushtonte po të prodhohej sot duke arritur formën besnike të origjinalit. Për shembull, vlefta e një kolone mermeri romake e nxjerrë nga gërmimet arkeologjike, llogaritet duke marrë çmimin që kushton i njëjti mermer sot, plus kostoja e punës së gdhendësit të sotëm (ose e makinerisë moderne gdhendëse) që nevojitet për prodhimin e kolonës, pra çmimin e kolonës sikur ta prodhonim atë sot me kualitetin origjinal që ajo na vjen nga historia. Kjo bëhet për të gjitha veprat, deri edhe kalatë apo parqet arkeologjike të mëdha. Shpenzimet e kërkuara për realizimin e dy aspekteve të para që përshkruam, njëra për ruajtjen dhe mbrojtjen e veprës dhe tjetra për inventarizimin dhe nxjerrjen e çmimit të prodhimit të saj, i takojnë fazës së investimit. Shlyerja e këtij investimi dhe sigurimi i fitimit të qëndrueshëm realizohet ne një spektër tjetër, në shfrytëzimin e veprës së trashëgimisë kulturore si burim social ekonomik. Zbulimi dhe shfrytëzimi i energjisë socialekonomike për secilën vepër të trashëgimisë kërkon në njërën anë, hartimin e një koncepti profesional mbi veshjen (kozmetikën) muzeore të paraqitjes së monumentit tek vizitori, dhe në anën tjetër, kërkon një strategji punësimi për qeverisjen e infrastrukturës turistike për secilën vepër si rast i veçantë. Kemi kështu pra, edhe dy aspekte të tjera të vlerës së veprës së trashëgimisë: vlera ekonomike dhe vlera sociale. Vlera ekonomike vjen si aspekt i tretë i vlerës së veprës së trashëgimisë. Çdo vepër e trashëgimisë kulturore, me potencën e vet historike-dokumentare mbart mundësinë që të bëhet tërheqëse, deri edhe magjepsëse, me fshehtësirat e veta historike, duke e thithur qytetarin nga kureshtja apo interesi i tij kulturor, pra të bëhet një faktor ekonomik me vlerë të përjetshme për qytetin apo për të gjithë rajonin ku ndodhet.
*Arkeolog (Vijon nesër)
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›