Të majtë dhe të djathtë bashkohen në protestën e së shtunësNga Tema Partitë e koalicionit të majtë bashkë me partitë e së djathtës mblidhen në një aleancë kundër qeverisë Berisha-Meta. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, thirri dje në
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Të majtë dhe të djathtë bashkohen në protestën e së shtunësNga TemaPartitë e koalicionit të majtë bashkë me partitë e së djathtës mblidhen në një aleancë kundër qeverisë Berisha-Meta. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, thirri dje në një takim krerët e partive politike dhe sindikatave për t’i ftuar ata në protestën e nesërme, ku do të kërkohet hapja e kutive të votimit të 28 qershorit.
Në një nga ambientet në qendër të Tiranës u mblodhën dje kryetarët e koalicionit opozitar, Skënder Gjinushi i PSD, Vangjel Dule i PBDNJ, Paskal Milo i PDS, Erion Veliaj i G99, si dhe krerët e partive të tjera të djathta Nard Ndoka i PDK, Spartak Ngjela i PLD, Ylber Valteri i PBD, si edhe ish-drejtuesit e LSI, Ndre Legisi e Mustafa Muçi. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe ish-deputeti i PD, Preç Zogaj.
Në takimin e djeshëm, të thirrur nga kreu i PS ishin të ftuar edhe Kol Nikolla, përfaqësues i Konfederatës së Sindikatave, Fiqiri Xibri, përfaqësues i Sindikatës së Minatorëve, Isa Gorica, përfaqësues i Sindikatës së Pensionistëve, si edhe një përfaqësues nga ish- ushtarakët.
Përfaqësuesit në takim kanë vendosur që të quhen Forumi për Demokraci, nismë e përdorur 12 vite më parë, kur sërish synohej të kthehej legjitimiteti i zgjedhjeve në vend. Edhe në atë kohë protagonist i dhunimit të zgjedhjeve ishte kryeministri aktual, Sali Berisha.
Pas takimit Rama tha se prania e krerëve të partive të djathta dëshmon se PS dhe koalicioni i majtë nuk janë të vetëm në pretendimin për transparencë të zgjedhjeve. Kreu i PS tha dje se protestat nisin më 10 tetor në bulevardin kryesor të Tiranës, për të vazhduar më pas me takime në të gjitha bulevardet e sheshet e Shqipërisë.
“Nga ana tjetër unë jam po ashtu shumë i kënaqur që rruga jonë e mos-hyrjes në parlament dhe e rezistencës demokratike në shfaqjen e këtij refuzimi përmes protestave, nuk është vetëm rruga e PS, por është rruga e asaj shumice të madhe që sot përfaqësohej në tavolinën ku ne u takuam. Është një rrugë që nis të shtunën pasdite, në këtë bulevard dhe që nuk mbaron, por përkundrazi vazhdon në të tjera sheshe të Shqipërisë dhe shtrihet në të gjitha rrugët e Shqipërisë”, - tha Rama.
Në takimin e djeshëm, Rama ka paraqitur te krerët e partive dhe të shoqatave të ftuara në takim platformën për organizmin e protestës, por ka paraqitur edhe një tjetër platformë, e cila i fton në koalicion krerët e të gjitha partive politike, përtej së majtës dhe së djathtës, të cilët janë pozicionuar kundër qeverisë Berisha-Meta dhe janë pro qëndrimit për hapjen e kutive të votimit. Kryetari i PDS, Paskal Milo, tha dje pas takimit se biseda u përqendrua pikërisht në këto dy pikat, për të cilat do të vijojë bashkëpunimi mes PS dhe partive të tjera. “Ajo çka biseduam ne sot kishte të bënte me një bashkëpunim në funksion të protestës së ditës së shtunë, ku iu bëjmë thirrje gjithë forcave politike, që janë në opozitë, që të dalin së bashku me anëtarët e simpatizantët e tyre dhe të protestojnë për manipulimin e votave dhe të kërkojnë hapjen e kutive të votimit, me qëllim që të dalë në shesh e vërteta elektorale. Niveli i dytë i bisedës tonë, që është edhe më afatgjatë, ka të bëjë edhe në lidhje me hartimin e një platforme të përbashkët të të gjitha forcave opozitare, për të përballuar këtë trysni të pushtetit që nuk dëshiron që në Shqipëri të vendoset demokracia reale dhe që qytetarët shqiptarë të jenë të sigurt, që vota që ata hedhin në kutinë e votimit do të lexohet drejt”, - tha Milo.
PS, Edi Rama: Vendimi ynë përfaqëson shumicën e shqiptarëve
“Unë jam shumë krenar që vendimi ynë për mos-hyrjen në parlament nuk përfaqëson thjesht Partinë Socialiste, por përfaqëson shumicën e shqiptarëve, majtas e djathtas që janë grabitur më 28 qershor dhe që përmes gjithë përfaqësuesve të tyre, qofshin përfaqësues politik apo përfaqësues të interesave dhe grupeve të ndryshme, shprehën qëndrim të palëkundur ndaj këtij parlamenti pa legjitimitet deri në plotësimin e kërkesave legjitime që kanë të bëjnë me transparencën e një procesi zgjedhor të turpshëm, pa standarde. E një procesi zgjedhor që nuk është një proces zgjedhor që bëhet në një vend anëtar të NATO-s, një vend që troket në BE, një vend ku jetojnë qytetarë e qytetare të Evropës nga Tropoja në Konispol.
Nga ana tjetër, unë jam po ashtu shumë i kënaqur që rruga jonë e mos-hyrjes në parlament dhe e rezistencës demokratike në shfaqjen e këtij refuzimi përmes protestave, nuk është vetëm rruga e PS, por është rruga e asaj shumice të madhe që sot përfaqësohej në tavolinën ku ne u takuam. Është një rrugë që nis të shtunën pasdite, në këtë bulevard dhe që nuk mbaron, por përkundrazi vazhdon në të tjera sheshe të Shqipërisë dhe shtrihet në të gjitha rrugët e Shqipërisë.
Ne jemi të vendosur të jetojmë në një vend evropian, që as nuk mund të merret peng dhe as nuk mund të kthehet në pronë të atij që qeveris. Çdo pushtet i lindur jo nga vota e lirë, jo nga vullneti i lirë, jo nga aspiratat që lirisht shprehen përmes votës së popullit, është i destinuar të përfundojë keq. Unë uroj që ky pushtet, i cili sot qëndron në këmbë falë manipulimit, falë korrupsionit elektoral, falë një mashtrimi të madh, të mos zgjedhë arsyen e forcës, por të zgjedhë forcën e arsyes, të mos ndjekë verbërisht vijën që deri më sot ka bërë të ditur duke zhvlerësuar kërkesat tona legjitime, duke luajtur rolin e shurdhit përballë alarmit që kemi vënë, sepse ne duam një zgjidhje të arsyeshme, duam që rrugët tona të kryqëzohen në parlament dhe jo gjetkë.”
PBDNJ, Vangjel Dule: Është momenti për kompromise të guximshme
Është një shqetësim politik, është një shqetësim shoqëror, i cili shpresojmë që të na çoj në ato lëvizjet e duhura që do krijojnë premisat për daljen nga impasi politik, në të cilin ndodhet vendi. Nuk është momenti për veshë të shurdhër, është momenti, i cili kërkon kompromise të guximshme, historike, të cilat do kenë në fokusin e tyre interesat strategjike të vendit, jo interesat mikro-partiake të momentit. PBDNJ që në momentet e para të zgjedhjeve të 28 qershorit, ka shprehur shqetësime shumë jetike në lidhje me mënyrën e zhvillimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit, dhe natyrisht që është pjesë e këtij shqetësimi.
PSD, Skënder Gjinushi: Tryeza jonë përfaqëson 900 mijë vota
“Ka një bashkim të majtë, të djathtë, të të gjithave forcave që janë për një demokraci të vërtetë, që janë për rikthimin e votës së lirë, e kujtoj që tavolina e mbledhur sot, dhe që i bën apel qytetarëve për protestë të shtunën, këtu në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përfaqëson 900 mijë vota të shqiptarëve në zgjedhjet e 28 qershorit. Pra protesta nuk bëhet në emër të humbësve. Bëhet në emër të atyre që përfaqësojnë shumicën e popullit shqiptar e që padrejtësisht ndodhen në opozitë nga deformimi i votës dhe nga shitja e votës që ka bërë LSI. Prandaj PSD do të jetë një faktor aktiv në këtë front të krijuar për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri.”
Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla: Ne do të marrim pjesë të gjithë në protestën e ditës së shtunë
“Sot ishte një takim me të gjithë aktorët politikë e shoqërorë për sa i përket problemit të protestës. Të gjithë njëzëri vendosëm që do ta mbështesim protestën e PS të shtunën. Njëkohësisht na vjen keq që po ne kthehemi mbas 12 vjet në një Forum për Demokraci. E vendosëm që të quhet Forum për Demokraci e Drejtësi, sepse në Shqipëri mungon dhe demokracia dhe shteti ligjor. Konfederata e Sindikatave, një aktor kryesor i shoqërisë civile dhe i lëvizjes punëtorëve i bashkëngjitet kësaj nisme të madhe dhe e mbështet PS në bojkotin e saj dhe duke e parë si një lëvizje demokratike e zgjuar dhe vendimtare për fatin e demokracisë në Shqipëri. Ne do të marrim pjesë të gjithë në protestën e ditës së shtunë dhe do të përkrahim gjithë këtë lëvizje përtej të majtës dhe të djathtës, në bashkim të forcave të majta dhe të djathta politike që duan një demokraci të vërtetë, që duan një demokraci që t’iu shërbejë punëtorëve, jo që t’iu marrë pronat, t’iu marrë zyrat, t’i nxjerrë në rrugë, të rrisë çmimin e energjisë elektrike, të mos pranojë krizën, të rrisë varfërinë.”
Ish-drejtuesi i LSI, Ndre Legisi: Në këtë takim kemi ardhur si socialistë
Shkëputja jonë nga LSI ka ndodhur që me refuzimin e kërkesës së një grupi anëtarësh të Kryesisë së LSI, se nëse Meta e LSI do të bashkëpunonte me Berishën, ne nuk do të ndiheshim më anëtarë të LSI e për pasojë mbeteshim socialistë. Si të tillë jemi përfaqësuar edhe në këtë takim. Duke ruajtur atë linjë që kemi pasur edhe në vitin 2005, gjë e cila nuk u bë, pasi të dyja forcat politike, PD dhe PS, në atë kohë refuzuan të hapin kutitë e votimit, ku ishte fshehur dhe krimi dhe vjedhja e votave të LSI në vitin 2005.
Ne po bëjmë marrëveshje për të ndryshuar gjithçka që është e gabuar në këtë vend, gjithçka që ka dëmtuar demokracinë në Shqipëri. E askush nuk ka të drejtë të paragjykojë mundësinë për të ndryshuar të cilitdo, që është penalizuar, siç është penalizuar në rastin konkret nga vjedhja e votave PS. Duhet të ketë një fund edhe kjo gjë, e unë mendoj që ka ardhur koha që t’i vijë fundi edhe momentit të vjedhjes së votave të shqiptarëve, e numërimit të votave, ashtu siç e do populli qeverisjen, e jo të marrin vota nga e majta e të qeverisin nga e djathta.”
G99, Erion Veliaj: Ftojmë të gjithë të rinjtë në protestë
Do t’i bashkohemi protestës. Ftojmë të gjithë të rinjtë që t’i bashkohen protestës. Ka disa cinikë që kujtojnë se bëhet fjalë për një protestë për ca kuti kauçuku me ca letra brenda. Në fakt, kur një njeri voton, voton aspiratën dhe ëndrrën e vet për të ndryshuar disa gjëra, kështu që nuk guxon njeri që të thotë që ne do djegim kutitë me ëndrrat e shqiptarëve, sepse kjo do të ishte e pafalshme. Ndaj i ftojmë gjithë të rinjtë shqiptarë, ndaj unë besoj që askush nuk guxon t’iu thotë të rinjve shqiptarë që ju nuk do të ëndërroni më, sepse babi i Argitës dhe i Shkëlzenit do ëndërrojë vetëm për fëmijët e vet.
Di t’ju them këtë që kjo ishte një tryezë e liderëve të shumë partive. Por ajo tryezë kishte mbi 900 mijë vota shqiptarësh, që sot fatkeqësisht gjenden në këtë bulevard të drejtuar nga njerëz që përfaqësojnë pakicën e qytetarëve të këtij vendi, ndaj ftoj gjithë qytetarët të shtunën, besoj që do të jetë protesta e parë e një vale protestash në të gjithë territorin e Shqipërisë.”
PDS, Paskal Milo: Do dalim në protestë paqësore
“Ne do të vazhdojmë aksionin tonë politik, dhe në një moment të caktuar, shumë afër, do të përcaktojmë platformën me pikat kryesore, të cilat do të kenë të bëjnë me bashkëpunimin afatgjatë, për të realizuar vërtet një demokraci funksionale në Shqipëri. E dëshiroj të theksoj dhe njëherë tjetër, që ditën e shtunë ne nuk do të dalim këtu në bulevard për të rrëmbyer pllakat e bulevardit, për të sulmuar institucionet, as nuk do të dalim me vete me shishe molotov që të godasim zyrën e kryeministrit, por përkundrazi do të dalim me një mesazh shumë të qartë, paqësor të qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkojnë që të ndalet deformimi i votës dhe i vullnetit të tyre politik njëherë e përgjithmonë në Shqipëri. Do të kërkojmë që Shqipëria të jetë përfundimisht një vend demokratik, ku çdo qytetar ta ndiejë veten e vet, zot të votës së vet e të vullnetit të vet politik, pra kërkojmë atë çka është baza e demokracisë në gjithë vendet demokratike evropiane, kërkojmë dinjitetin e qytetarit shqiptar, kërkojmë që vullneti i tij politik të mos deformohet. Pra ky do të jetë thelbi, substanca e protestës sonë.”
Kreu i sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri: Është vjedhur vota e minatorëve
“Mbështesim protestën e votës së PS për arsye se, pas marrëveshjes që bëmë me Partinë Socialistë përpara zgjedhjeve, shumica dërrmuese e minatorëve kanë votuar për PS, ndërkohë që vota e PS është vjedhur. Vota e vjedhur është votë që i është vjedhur minatorëve, që i është vjedhur statusit të minatorëve, prandaj ne e mbështesim totalisht protestën e ditës së shtunë.”