Të mbrohet Mozaiku i Tiranës!
Përurimi
Prezantohet restaurimi i fundit dhe propozimi për t’u futur në kategorinë A
Përurohet sot paradite Mozaiku i Tiranës. I vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës, me vlera të shumta sa i përket trashëgimisë së kryeqytetit do të përurohet në praninë e ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferri. Ky mozaik i cili fillimisht u zbulua në 1972, kishte disa vite që nuk restaurohej. Arkeologet mendojnë se kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit, që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (vila rustika). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë, ishte ambienti kryesor i saj. Ata mendojnë që në shek. V-VI, vila u zëvendësua me një bazilikë paleokristiane. Gjatë viteve 2003-2004, punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit. Siti arkeologjik, është një dëshmi shumë e rëndësishme për identitetin historik të vendbanimeve të hershme në kryeqytet. Duke pasur parasysh që në Tiranë dhe veçanërisht pranë këtij monumenti ka rrënoja arkeologjike, Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës pritet të paraqesë një propozim për shpalljen e zonës rreth Mozaikut si Zonë Arkeologjike A. Dhënia e këtij statusit do ta mbrojë me ligj këtë zonë.
#