E Diel, 1 Nëntor 2026

Të mbyturin s’e shpëton shkuma

TIRANE- Edhe pasi hyri gushti, si muaji përgjithësisht i një vape të padurueshme që i detyron njerëzit më së shumti të kridhen në ujë, ende përfaqësuesit e maxhorancës sonë parlamentare të mbytur në skandale tentojnë të shpëtojnë duke u kapur pas shkumës. Asaj shkume, e cila dihet që shpeshherë shndërrohet në flluska. Te kjo shpërbërje duket që e ka fatin edhe nisma më e re e saj: T’i tregojë vendin Presidentit të Republikës, që për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese nuk përfillka Kushtetutën dhe ligjin organik të këtij organi të rishikimit të saj.
Me gjithë përgjigjet e arsyetuara që këshilltari i Presidentit, Spiro Peçi u dha publikisht sulmeve në këtë drejtim të ca deputetëve maxhoritarë dhe kasnecëve të tjerë, që tregohen me gisht si të rënë në shumë borxhe me ligjin tonë themelor, këta të fundit nuk rreshtin së përhapuri opinione luftarake. është e vërtetë që Ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa parashikon që anëtarët e kësaj Gjykate, të cilët kanë përfunduar mandatin, mund të qëndrojnë në detyrë derisa të zëvendësohen, për Kryetarin e saj nuk shpreh të njëjtin përcaktim, çka të shtyn të mendosh se, mosriemërimi, ose moszëvendësimi i menjëhershëm i tij përbën një shkelje, por thjesht formale të Kushtetutës. Madje, edhe kjo lloj shkeljeje mund të shqiptohet me rezerva, në kushte të caktuara si këto ku ndodhet Kryetari i Shtetit.
Pra, vështirë të thuhet se do të ishte i nevojshëm nxitimi i tij, përderisa Kryetari aktual i Gjykatës Kushtetuese ka refuzuar rinovimin e mandatit 3 vjeçar në këtë post; përderisa katër anëtarë të tjerë nuk mund të pranonin që të viheshin në krye të këtij organi, tek presin t’ua dorëzojnë mandatet e tyre anëtarëve të rinj; përderisa vet Kuvendi brenda një kohe të shkurtër nuk dha pëlqimin për disa dekrete të Presidentit mbi këto emërime; përderisa Kryetari i Gjykatës Kushtetuese përzgjidhet nga radhët e trupës së anëtarëve të saj, duke plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme që i imponohen këtij posti dhe, në këtë mënyrë, sigurisht që është e domosdoshme të jetë plotësuar së paku dy të tretat e numrit të përgjithshëm të kësaj trupe prej 9 anëtarësh; përderisa gjatë muajit Gusht veprimtaria e organit të rishikimit kushtetues bie në heshtje ngaqë anëtarët e tij, ashtu sikurse pothuajse të gjithë gjyqtarët e tri shkallëve të legjislacionit të zakonshëm dhe nëpunësit e tjerë të administratës publike, konsumojnë lejet vjetore të pushimit; përderisa...Jo, nuk ia vlen të vazhdojmë më tej me rrethanat, sepse edhe tingëllimi i shpeshtë i fjalës ‘përderisa’ ndoshta do t’ia humbte durimin lexuesit, për të vijuar leximin e këtyre radhëve.
Mirëpo, Në fakt, durimin në përpëlitjet e tyre e humbën përfaqësuesit e maxhorancës parlamentare, kur para pak ditësh sekretari i grupit të Partisë Demokratike hodhi në gjendje frenetike si opsion thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kuvendit midis dy sesioneve, për të trajtuar këtë çështje të Presidentit. Mbase, duke harruar që neni 74/3 i Kushtetutës, si edhe Rregullorja e Parlamentit parashikojnë që sesionet e jashtëzakonshme thirren nga Kryetari i Kuvendit në bazë të një rendi dite të përcaktuar. E pra, në këtë rast, çfarë do të përmbante rendi i ditës? Mos vallë shkarkimin e Presidentit, çka mund të ndodhë, sipas nenit 90 të Ligjit tonë Themelor, vetëm për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë(?!). Nejse, për hir të së vërtetës duhet thënë se, po ai deputet u kujtua t’i ulë tonet e piskamave të tij dhe të atyre që e kishin autorizuar apo urdhëruar, duke deklaruar pak më vonë se, atë çështjen e Presidentit mund t’ia linin shtatorit. Kështu, edhe kjo flluskë u shpua, siç ndodh me të gjitha flluskat.
Me sa duket, maxhoranca jonë qeverisëse ka rënë, së paku qysh prej një viti, në një pellg me ujë të ndenjur, ku balta e zhyt gjithnjë e më tepër në gjirin e vet të gëlqerosur. Pas këmbënguljes deri tani të dështuar për të ndryshuar disa dispozita delikate të Ligjit për organizimin dhe funksionimin e SHISH–it, pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për buxhetin e Shtetit që çojnë në ulje drastike edhe të investimeve në vepra publike, pas verifikimit në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti që për këtë periudhë të ardhurat nga taksat e tatimet u rritën 3 herë më pak se sa mesatarja historike, si edhe pas plot dështimeve të tjera tronditëse të veprimtarisë qeverisëse, veçanërisht për rritjen e frikshme të borxhit publik, për vakuumin e investimeve të huaja, falimentimin e bizneseve vendase dhe mbylljen masive të vendeve ekzistuese të punës etj, etj., nisma e fundit e deputetëve maxhoritarë jo vetëm që nuk arrin të shpërqendrojë vëmendjen e opinionit vendas nga hallet e përditshme në shtim e sipër, por as nuk mund të nënshtrojnë plotësisht dhe përfundimisht qëndrimin e institucionit të Presidencës, sidomos për konturimin ekstrem, në favor të njëanshëm, të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.
Me mosdhënie pëlqimi për dekretet e emërimit të anëtarëve të rinj të këtyre organeve të rëndësishme të shtetit, maxhoranca parlamentare mund të vazhdojë në muajt e ardhshëm. Por vlerësohet që do ta ketë të vështirë të gjejë kohën e mjaftueshme, kur bëhet e ditur që në Shtator opozita do të kërkojë me tone edhe më të larta, më të forta zbatimin e Rezolutës së Parlamentit Europian për zgjidhjen e krizës politike, që po shoqërohet nga një krizë ekonomike dramatike, rezistenca apo mospërfillja e të cilave mund t’i detyrojë çdo ditë e më tepër mijëra e mijëra njerëz xhepshpuar që t’u drejtohen në masë bulevardeve të qyteteve, ku lëngimi do të ndjehet haptazi edhe te çadrat e grevave të urisë. Përfundimi? Mund të mbytet pushteti, por jo shteti dhe qytetarët e tij.

(G.SH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›