E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mbyturit në lumin Tasa, asnjë e dhënë

Vazhdon të mbetet i paqartë fati i më shumë se 15 qytetarëve të Kosovës për të cilët ka dyshime se mund të jenë mbytur në lumin Tisa, gjatë tentativave për të kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia në Hungari. Kreu i shtetit të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu tha se ka një angazhim serioz nga autoritetet kosovare për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Policia e Kosovës njoftoi se në hetime është përfshirë dhe Interpoli dhe se kjo polici po heton rreth ekzistencës dhe identifikimit të personave të trafikimit ilegal të njerëzve në këtë linjë kalimi. Lajmi për mbytjen e disa kosovarëve në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë u publikua në mediat kosovare, ndërkohë që supozohet që mund të ketë ndodhur në mbrëmjen e 15 tetorit. Në Kosovë edhe ministria e Jashtme është angazhuar në rrugë diplomatike për të zbardhur rastin në fjalë. Zyrtarë të policisë kufitare të Hungarisë ndërkohë kanë kundërshtuar njoftimet për përmbysje të mundshme të një barke në lumin Tisa në afërsi të kufirit të Serbisë me Hungarinë. Një zëdhënës i policisë hungareze, Szenti Szabolcs, tha se policia dhe ushtria hungareze nuk kanë gjetur shenja të përmbysjes së ndonjë mjeti lundrues, siç ishte njoftuar. Por ai tha se një qytetar i Kosovës ka kërkuar ndihmë disa ditë më parë nga policia hungareze, pas përpjekjeve, për të kaluar me fëmijët e tij në mënyrë ilegale kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë. Njoftimet për mbytjen e mundshme të një numri qytetarësh të Kosovës në lumin Tisa në Hungari u bënë të njohura para disa ditësh, por autoritetet në Prishtinë thonë se nuk kanë asnjë të dhënë zyrtare, përveç deklaratës së qytetarit që ka kërkuar ndihmën e autoriteteve hungareze. Zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, thonë se kanë vënë kontaktet me autoritetet hungareze dhe se në vendin e ngjarjes është dërguar edhe ambasadori i Kosovës në Vjenë. Të enjten policia në qytetin Kikinda të Serbisë ka deklaruar se disa njerëz janë mbytur në territorin hungarez në përpjekje për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Sipas agjencisë serbe të lajmeve B92, kjo është konfirmuar me 18 tetor, kur peshkatarët pranë Martonos, kanë gjetur trupin e një gruaje më të re se rreth tridhjetë vjeç, e cila supozohet të jetë një prej viktimave të kësaj tragjedie. Më pas policia e Hungarisë ka konfirmuar se ka gjetur pasditen e së enjtes një trup të pajetë në lumin Tisa, që ndodhet në kufirin serbo-hungarez.
Por zyrtarë të policisë së këtij shteti nuk janë në gjendje të konfirmojnë nëse trupi i pajetë i takon grupit të supozuar të personave që besohet se janë mbytur në këtë lum, duke u përpjekur të kalojnë ilegalisht kufirin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›