E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mëdhenjtë e pikturës në Galerinë Arteve

TIRANE- Në kuadër të stinës së Ak tiviteteve Italo - Shqiptare "Dy popuj, Një det, Një miqësi", Galeria Kombetare e Arteve në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, nga sot deri në datën 30 Maj 2010, do të hapin ekspozitën me veprat e disa prej artistëve më të njohur të skenës ndërkombëtare të artit botëror. Veprat e ekspozuara vijnë nga Koleksioni "Ca` La Ghironda" , i koleksionistit të njohur Italian, mjekut Francesco Martani. Përzgjedhja është kryer nga GKA dhe Qendra Kulturore "Ca La Ghironda". Ekspozita është e ndërtuar në dy seksione. Seksioni i parë i ekspozitës me titull "Shkëlqime Klasike" paraqet vepra të autorëve më të njohur Italianë të shekullit të XVI dhe XVII, ndër të cilët artistë si Francesco Raibolini njohur si Francia (Françesko Raibolini - França), Guido Reni, Annibale Caracci (Anibale Karaçi), Giovan Francesco Barbieri i njohur si Guercino (Xhovan Françesko Barbieri njohur si Guerçino). Pjesë e këtij seksioni është edhe një vepër nga artisti i famshëm flamand i shekullit XVII Anthony Van Dyck ( Anton Van Dik). Ky seksion është një përzgjedhje e kujdesshme e shkollave të ndryshme të qyteteve italiane, si ajo e Bolonjës, Romës, Venecias apo Napolit. Temat e trajtura në këtë seksion janë: fetare, tema të antikitetit romak si edhe peizazhi. Seksioni dytë i kësaj ekspozite me titull "Atmosfera të Shekullit XX", paraqet pothuajse të gjitha kërkimet artistike gjatë shekullit të shkuar. Shekulli XX njihet si shekulli i eksperimentimit maksimal në art, dhe ky seksion është një përzgjedhje më qëllim për të ofruar para publikut të GKA, vepra që përfaqësojnë disa nga rezultatet e këtyre kërkimeve dhe tendencave. Ky seksion përmban vepra nga artistët më të famshëm italianë dhe botërorë të shekullit XX, si Kazimir Malevich, Giorgo de Chirico, Giorgo Morandi, Rene Magritte, Piet Mondrian, March Chagall, Joan Miro, Pablo Picasso, Francis Bacon, Lucio Fontana, Andy Warhol, Jean Michel Basquiat. etj… Të dyja seksionet e kësaj ekspozite përmbajnë vepra origjinale të autorëve të sipërpërmendur. Kjo ekspozitë është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën Italiane, Fondacionin Ca`La Ghironda dhe është mbështetur financiarisht nga Fondacioni i Artit të Bankës Bujqësore të Mantovës, Bashkia e Bolonjës, Bashkia e Mantovës.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›