E Diel, 1 Nëntor 2026

E rrallë! Superliga sot.. luan 5 ndeshje të vërteta

TIRANE-Pas një jave tepër të shëmtuar, ku 50 % e ndeshjeve (3 nga 6) u lanë haptazi nga ekipet e kreut, sot Superliga mund të mburret me faktin se zhvillon 5 takime të vërteta. Si në zonën për Kupat e Evropës, ashtu edhe në atë për mbijetesë, numri i skuadrave që kanë luksin të tolerojnë, është më i vogël. Pritet që teatri i radhës të luhet vetëm në "Qemal Stafa", ku Dinamo do të presë Teutën me dyshimin se blutë do të vazhdojnë serinë e dhuratave. Ndërkohë, në 5 takimet e tjera gjithçka duket një detyrim për ekipet që të mos lëshojnë përballë rivalëve të tyre. Nuk e ka luksin ta bëjnë një gjë të tillë as Vllaznia e as Besa, por edhe Gramozi duket i vendosur për të dhënë maksimumin përballë Flamurtarit, ekip me të cilin u mund vetëm nga arbitrimi i çekajt në fazën e dytë.

Dy janë përballjet direkte për një vend në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm. Tirana do të presë në "Selman Stërmasi" Laçin, skuadrën e vetme që mund të kërcënojë shpresat e saj për një vend në Europa League. Trajneri Starova është përpjekur të ruajë euforinë në ekip, ndërsa bardheblutë duken vërtetë seriozë dhe të vendosur për të marrë 3 pikë që do t'ua bënin më të sigurt vendin e dytë. Por, një tjetër ndeshje që pritet me mjaft interes është ajo mes Besës dhe Shkumbinit, ekipe që ndahen nga 4 pikë në renditje dhe që mbajnë respektivisht vendin e tretë dhe të 6-të në klasifikim. Përballja e Kavajës ka vlera të dyfishta për të dy ekipet, sidomos për vendasit. Trajneri Shpëtim Duro u dhunua nga kryetari i bashkisë së Peqinit Ilir Rrusha dy javë më parë, në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Ai takim ka ndikuar jo pak në acarimin e raporteve mes dy klubeve dhe sot pritet që në stadium të ketë masa të jashtëzakonshme sigurie. "Drejtuesit e Shkumbinit të mos vijnë fare në Kavajë", deklaroi para dy javësh presidenti i Besës Nexhat Bizhdili.

Vëmendja e të gjithëve në betejën për zonën e ftohtë do të jetë në qytetin e Korçës, ku Skënderbeu do të presë Apoloninë. Korçarët ndodhen dy pikë para, por një humbje në ndeshjen e sotme do të komplikonte gjithë sezonin e tyre. Skënderbeu vjen në këtë ndeshje pas 3-pikëshit në tavolinë për takimin me Vllazninë, që shënoi një nga episodet më të turpshme të këtij sezoni futbollistik në Shqipëri. Ndërkohë edhe fierakët morën një fitore të falur nga Dinamo, skuadër që në "Loni Papuçiu" të shtunën ka dhuruar një tjetër shfaqje të shëmtuar. Një tjetër ndeshje me rëndësi është ajo mes Kastriotit e Vllaznisë, ku të dy ekipet s'mund t'i lejojnë vetes luksin e humbjes së ndonjë pike, sidomos krutanët. Në Ersekë ndërkaq, Gramozi i rënë, pret Flamurtarin, një nga ekipet më në formë të momentit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›