E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreshnik Spahiu; Rrezik përgjimi edhe për persona me imunitet



Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, është i shqetësuar për numrin e madh të kërkesave për përgjime në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe atë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe mënyrën e zbatimit të procedurave në dhënien e vendimit për kërkesat e përgjimeve. Shqetësimin e ka paraqitur gjatë analizës së kësaj gjykate, por e ka përmendur edhe në analizën e zhvilluar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. “500 është numri i kërkesave për përgjime të zhvilluara vetëm gjatë vitit 2008 në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ndërkohë që 800 ishte numri i vendimeve të dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës. Të paktën vetëm në dy gjykatat e kryeqytetit janë 1.300 kërkesa të tilla për vënie numrash nën përgjim. Vendimet për përgjimet nuk monitorohen nga një gjykatë tjetër, siç është Gjykata e Apelit, me qëllim verifikimin e procedurave të ndjekura kur jepen vendime të tilla, për të mos përmendur kërkesa të shumta përgjimesh në gjykata të ndryshme të vendit”, - deklaroi ai gjatë dy analizave, duke shtuar se “numrat që iu nënshtrohen përgjimeve janë pa emra konkretë, ndërkohë që brenda tyre mund të ketë edhe emra personash me imunitet”. Sipas Spahiut, kërkesat për përgjime janë në rritje, ndërkohë që nuk janë të monitorueshme procedurat e ndjekura nga një shkallë tjetër gjyqësori. “Gjyqtarit i vijnë kërkesat vetëm me numrin, pa përcaktuar në vendim emrin e individit që e ka këtë numër. Nuk është çudi që gjyqtari të vendosë krejt pa e ditur për të përgjuar numrin e gruas së tij apo të një të afërmi. Madje, nuk është çudi që shpesh të vihen në përgjim edhe numra personash me imunitet, të paprekshëm nga përgjimet, përveçse kur e lejon ligji”, - u shpreh nënkryetari i KLD-së, gjatë analizës së Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Këto deklarime u bënë të ditura gjatë analizës së dy gjykatave, Shkalla e Parë dhe Apeli për Krimet e Rënda. Ndërkohë që analiza e parë nuk pati debate apo sugjerime nga gjyqtarët, analiza e zhvilluar në Apel u karakterizua nga një klimë debatesh, gjë që ndodh sa herë që ka takime të këtij lloji.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›