E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia ndalon Erjon Korinin, e fejuara tentoi vetëvrasjen

Prindërit njoftojnë policinë, se ajo kërcënoi të hidhet nga kati i katërt pas dhunës së ushtruar nga këngëtari

E fejuara e këngëtarit popullor, Erjon Korini, tenton të vetëvritet, duke kërcënuar se do të hidhej nga kati i katërt i një pallati në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite, ndërkohë që policia ka ndaluar Korinin për shkaktim të vetëvrasjes së mbetur në tentativë. Burimet policore thanë se rreth orës 18:00 janë njoftuar nga prindërit se një vajzë e re kërcënonte se do të hidhej nga kati i katërt i një pallati te rruga “Babë Rexha”, pranë pallatit “Globe”. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë së Komisariatit Nr. 2, dhe më pas sektori i operacioneve speciale në Drejtorinë e Qarkut të Tiranës. Ata kanë identifikuar vajzën e re me emrin Marvina Stefa, 21 vjeçe. Ajo është neutralizuar nga policia, ndërkohë që në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe i fejuari i saj, Erjon Korini, bashkë me një këngëtar tjetër. Vajza e re, e cila është shoqëruar në polici, bashkë me këngëtarin e muzikës popullore, ka deklaruar se ai e dhunonte sistematikisht, fizikisht dhe psikologjikisht. Në këto kushte, Korini është marrë si i dyshuar dhe prokurori ka vendosur ndalimin e tij. Sipas të dhënave, ai akuzohet për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes së mbetur në tentativë. Ndërsa vajza 21-vjeçare është trajtuar me psikologë dhe specialistë të seksionit kundër dhunës në familje dhe më pas është lënë e lirë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›