Te mos hiqet leja e importit te barnave
Ndryshimet qe Ministria e Shendetesise po ndermerr per liberalizimin e tregut te barnave dhe hapjen e farmacive, jane kundershtuar nga Urdhri i Farmacisteve. Per kete qellim, ata kane organizuar nje debat te hapur, ku ishin te ftuar aktore dhe faktore te ndryshem te sistemit shendetesor. Por, te vetmit qe kane munguar ne kete takim kane qene drejtuesit e Ministrise se Shendetesise. Sipas presidentit te Urdhrit te Farmacisteve, kjo mungese ka qene pasi Ministra e Shendetesise nuk ka asnje argument per t’u mbrojtur. “Ministria e Shendetesise ka ndermarre nje hap per ndryshimin e ligjit farmaceutik. Edhe ne jemi dakord ne kete pike qe ligji te ndryshoje dhe te jete ne perputhje me direktivat e Bashkimit Evropian. Por jo me heqjen e lejes se importit te barnave, pasi nuk do te kete asnje mundesi kontrollimi”, ka pohuar presidenti i Urdhrit te Farmacisteve, Arjan Jaupllari.
Heqja e lejes se barnave, sipas Urdhrit te Farmacisteve do te thote daljen jashte funksionit te pulles se cmimit. Kjo do te sjelle abuzim te cmimit, si dhe cilesi te dobet te medikamentet. “Te zbatosh kete menyre ligji sic thone drejtuesit aktuale te Ministrise se Shendetesise eshte si te fusesh bomben ne vendin tone dhe me pas ta kontrollosh ate. Edhe me medikamentet e njejta rruge do te ndiqet. Ato do te futen ne vendin tone pa e ditur vendin e origjines, me pas do te behet kontrolli, nese jane per pacientet apo jo”, ka nenvizuar Jaupllari. Sipas tij, ky ndryshim i ligjit do te sjelle edhe medikamente te pasigurta per pacientet, pasi Shqiperia nuk ka kushtet per t’i kontrolluar. Sipas Urdhrit te Farmacisteve, ligji aktual i barnave eshte ligji me i mire dhe qe siguron garanci ne ato barna, te cilet hyjne ne rruge ligjore. Ky ligj duhet te zbatohet ende per vete faktin se Shqiperia vazhdon te jete perseri nje nga vendet ku barnat futen kontrabande dhe shiten haptazi ne farmaci. Ne lejen e importit perfshihet data e skadences se barit, prodhimi, firma qe e ka prodhuar.
Projektligji
Ministria e Shendetesise ka vendosur te ndryshoje ligjin per farmacite, duke filluar qe nga distancat qe keto pika tregtimi te medikamenteve kane deri te kualifikimi i punonjesve. Sipas propozimeve te ketij institucioni, kerkohet qe distanca e farmacive te mos merret parasysh. Kurse per personelin qe do te punoje ne to duhet te kene te pakten nje vit eksperience ne farmaci te tjera dhe me pas kane te drejten e ushtrimit te profesionit ne farmacite e tyre si drejtues.
Aktualisht ne ligjin per hapjen e farmacive parashikohet qe te ruhet distanca 100 deri ne 150 metra ne varesi te dendesise se popullsise. Ndersa ligji i ri, qe po pergatitet, parashikon qe keto kritere te hiqen fare, madje kjo kompetence t’i kaloje pushtetit vendor.