E Diel, 1 Nëntor 2026

Të moshuarit përfshihen në “biznesin” e drogës, shisnin kokainë



Edhe të moshuarit përfshihen në shitjen e drogës. Një rast i tillë është shënuar dje nga specialistët e Antidrogës, të cilët janë detyruar që pas kapjes me 6 porcione kokainë, të ndalojnë dhe të shoqërojnë për në drejtorinë e policisë dy të moshuar. Dy të moshuarit, burrë dhe grua, përveç pensionit të marrë nga shteti, kishin gjetur një punë ekstra për të shtuar edhe më të ardhurat e tyre. Shtëpia ku ata banonin, përveçse “strehëzë” e tyre për të kaluar pleqërinë, ishte shndërruar edhe në vendin nga ku fshihej droga e llojit kokainë, e cila më pas hidhej në treg për t’iu shitur përdoruesve të kryeqytetit. Pas një hetimi të kryer, specialistët e Seksionit Kundër Drogës në kryeqytet ndërmorën një aksion, ku vunë në pranga të moshuarit, Kadri dhe Fiqirete Kadriaj, 67 dhe 62 vjeçe. Gjatë kontrollit të kryer në banesën ku ata jetonin, iu gjet një sasi kokaine. Policia ka kryer shoqërimin e tyre në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës.

Zbulimi

Pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, punonjësit e policisë organizuan një kontroll në banesën e dy të moshuarve. Gjatë kontrollit të imtësishëm, specialistët e Seksionit Kundër Drogës gjetën një sasi prej 5.5 gramë, drogë e fortë, e llojit kokainë, e cila ishte e ndarë në 6 copë porcione. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia e lëndës narkotike, një peshore elektronike, dy aparate telefoni celularë, si dhe shuma e parave prej 212.500 lekësh. Sipas burimeve nga policia, droga fshihej në shtëpi. Aty ajo ndahej në doza me anë të peshores dhe ishte gati për t’u shitur. Më pas ajo u vihej në përdorim shpërndarësve të ndryshëm, të cilët ua shisnin klientëve. Agjentët e policisë kishin marrë informacione për lëvizje të shpeshta të personave të panjohur që futeshin në shtëpinë e të moshuarve. Nisur nga kjo, ata nisën survejimin dhe më pas kontrollin e banesës. Sipas burimeve nga policia, detyra e të moshuarve ishte përgatitja dhe ndarja në doza e mallit. Banesa e tyre ishte parë si një vend, i cili nuk do të ngjallte interes për uniformat blu, gjithashtu si një vend i mirë për të fshehur drogën. Por, ishin pikërisht vizitat e vazhdueshme të personave të panjohur, që detyruan agjentët e Antidrogës që për banesën e dy pleqve të kthehej vëmendja. Sipas burimeve nga policia, dy të arrestuarit Kadri dhe Fiqirete Kadriaj ishin me origjinë nga Kukësi dhe kishin disa kohë që kishin ardhur të banonin në Tiranë. Ndaj tyre u mor masa e arrestit dhe ata u shoqëruan në qelitë e paraburgimit. Të dy të moshuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Detaj

6 porcione kokainë iu gjet në banesë çiftit të të moshuarve Kadriaj

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›