E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtroi të dashurën, i mori 5 milionë lekë

DENONCIMI/ Ardjan Skënderi u denoncua nga ish-e dashura pasi i kishte marrë shuma të mëdha parash borxh

Vetëm pas gati tre vjetësh që ishin bashkë vajza ka kuptuar se "i fejuari" i saj mashtronte njerëzit duke iu marrë para


ELBASAN - Arrestohet për mashtrim, zbulohet sesi i kishte marrë të dashurës 5 milionë lekë në periudha të ndryshme për të mos ia kthyer më. Seksioni i Krimit Ekonomiko-Financiar ka nisur procedimin penal ndaj një 41-vjeçari i cili i arrestuar një herë për mashtrim, do të duhet të përgjigjet për 4,7 milionë lekë të cilat i kishte përvetësuar duke përfituar nga besimi i një vajze dhe i familjes së saj.

Ardjan Skënderi, lindur në Shkodër dhe banues në lagjen "Qemal Stafa" të qytetit të Elbasanit akuzohet se duke filluar nga muaji dhjetor i vitit 2005 e deri në korrik të vitit 2008 ka mashtruar në mënyrë të përsëritur shtetasen 25-vjeçare, me banim në lagjen nr 5 Pogradec, nga e cila ka përfituar 4,7 milionë lekë. Vajza e ka zbuluar mashtrimin vetëm kur ky shtetas është arrestuar për një tjetër mashtrim dhe ka vendosur ta denoncojë për rastet e përsëritura të kërkesave për para, të cilat nuk kanë rezultuar borxhe, por mashtrime.


Mësohet se dy personat janë njohur në Elbasan dhe vajza madje e konsideronte këtë një lidhje serioze, duke e prezantuar 41-vjeçarin tek prindërit e saj në Pogradec si të fejuar. Historia mes tyre ka vazhduar dhe Skënderi kishte arritur që t'i merrte shuma parash me pretendimin e borxheve dhe punëve që duhet të bënte dhe sasia është rritur ndjeshëm në tri vjet.

Vajza që kishte besim tek i dashuri i saj, nuk ka dyshuar për mashtrimin deri kur një ditë korriku mëson se ai me të cilin kishte pasur një lidhje serioze për 3 vjet, nuk ishte gjë tjetër vetëm një mashtrues përsëritës. 41-vjeçari është arrestuar në 2 korrik të vitit 2008 për mashtrim të një tjetër personi. Vetëm atëherë 25-vjeçarja ka kuptuar se me kë kishte jetuar.

Por është dashur një vit që ajo të bënte denoncimin në polici dhe vetëm dy ditë më parë ndaj shtetasit Ardjan Skënderi ka nisur një tjetër çështje penale, ajo e mashtrimit, duke e rënduar edhe më shumë situatën e tij dhe dosjen penale në ngarkim.

Tashmë 41-vjeçari do të duhet të përgjigjet edhe për rreth 5 milionë lekë të cilat janë zhdukur pa lënë gjurmë të marra nga familja e vajzës nga Skënderi me mirëbesim dhe me premtimin për t'i kthyer.

Mblidhte hekur për skrap, vdes i djegur


ELBASAN - Një 27-vjeçar ka gjetur vdekjen në spital si pasojë e djegieve të shumta që kishte pësuar nga një shkarkim elektrik. Bledar Duja është gjetur nga rojet private të godinave të ish-metalurgjikut i djegur dhe është transportuar drejt spitalit. Por i riu nuk ka mundur të jetojë më shumë se disa minuta dhe ka vdekur në shtratin e kirurgjikut. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnate.

Teksa lëviznin në ambiente, rojat kanë konstuar shkëndijën dhe trupin e një njeriu me djegie të shumta. Dyshohet se 27-vjeçari me banim në Bradashesh ka shkuar në këto godina për të nxjerrë material hekuri, të cilat i grumbullonte për t'i shitur për skrap. Sipas policisë, ai nuk është punëtor i ndonjë firme dhe nuk punonte në këto ambiente, por dyshohet se ka hyrë gjatë natës për t'i shpëtuar rojeve.

Por, për shkak të errësirës nuk ka vënë re telat e energjisë dhe ka rënë në kontakt elektrik. Shumë familje përreth ish-kombinatit metalurgjik jetojnë duke grumbulluar hekurishte, por sa vjen e ky aktivitet po bëhet më i vështirë dhe rastet e këtyre aksidenteve nuk kanë qenë të pakta, duke shkaktuar edhe viktima.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›