Debati para vrasjes, viktima akuzoi Cubin se po nxirrte nga burgu gjakësin e tij
“Ti po nxjerr gjakësin tim nga burgu”. Janë këto akuzat e lëshuara në drejtim të kryekomuarit para krimit. Ky i fundit mohoi këtë fakt para viktimës Dodë Hili, por që nuk është pranuar nga viktima, duke e detyruar ta qëllojë me thikë pas qafe kryetarin e Komunës Pult, Martin Cubin. Sipas burimeve nga grupi hetimor që po merret me zbardhjen e ngjarjes, akuzave të viktimës 50-vjeçari Cubi u është përgjigjur se “nuk është e vërtetë. Unë nuk kam lidhje fare me gjakësin tënd dhe se kjo që po thua nuk është e vërtetë. Nuk e di kush ta ka thënë një gjë të tillë”. Për Cubin kjo ka qenë një bisedë “e pavlerë” dhe ai është ngritur nga tavolina, ku po rrinte me Hilin, për t’u larguar. I pakënaqur nga përgjigjet e dhëna, si dhe fjalët që i kishin ardhur lidhur me gjakësin e tij, Hili ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete dhe e ka qëlluar tri herë pas qafe kryetarin e Komunës së Pultit, ku më pas ka ngelur i vdekur si pasojë e plumbave të pistoletës së Cubit.
Akuza
Policia e Shkodrës ka marrë nën vëzhgim kryekomunarin e Pultit, i cili ndodhet ende në spital. Ai ishte në një gjendje të vështirë, si pasojë e plagëve të marra me thikë në qafë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Pas ndërhyrjes së mjekëve, duket se gjendja e tij është përmirësuar. Autoritetet kanë dhënë masën e arrestit në flagrancë për 40-vjeçarin, për akuzën “vrasje me dashje”.
Ngjarja
Rreth orës 20:30 të mbrëmjes së të hënës, kryetari i Komunës së Pultit, Martin Cubi dhe Dodë Hili, pasi janë takuar, janë ulur në një lokal në lagjen “Skënderbeg” të qytetit. Ata zunë një tavolinë në barin që ndodhej në oborrin e spitalit të Shkodrës dhe nisën që të konsumonin pije alkoolike. Dëshmitarët tregojnë se në një moment, midis tyre filloi një konflikt. Më pas, Hili u çua dhe nxori një thikë që e mbante me vete. Me të e goditi tri herë kryekomunarin, duke i shkaktuar atij plagë serioze në qafë e trup, megjithatë Cubi arriti që t’i largohej agresorit të tij dhe më pas nxori pistoletën që e mbante me vete. Sipas dëshmitarëve, ai e drejtoi armën ndaj Hilit, duke e qëlluar atë në kokë. Si pasojë e plagës së shkaktuar nga plumbi, ky i fundit gjeti vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë që edhe Cubi i mbuluar nga gjaku ishte në një gjendje të rëndë shëndetësore. Atij iu dha ndihma e menjëhershme, duke e dërguar në spital dhe duke iu nënshtruar mjekimit.