E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga nëpunësit për paratë e pensionistëve

• ELBASAN - Arrestohet përgjegjësi i zyrës postare të komunës Mollas, i dyshuar për bashkëpunim në vjedhjen e plot 6.3 milionë lekëve të pensionistëve.Polica e Elbasanit ka vënë në pranga dje 24-vjeçarin Shkëlqim Frakulli, pasi të gjitha dyshimet kanë çuar në implikimin e tij në këtë ngjarje të rëndë për zonën. Sipas burimeve zyrtare të policisë së qytetit, është dashur marrja në pyetje e mbi 65 personave nga ana e oficerëve të policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, derisa kanë vënë gishtin për vjedhje te vetë punonjësi i zyrës. Vetë Frakulli nuk e ka pranuar akuzën, duke pohuar se ai ka qenë i pari që bëri denoncimin për zhdukjen e parave gjatë natës së të martës, pak orë pasi ato ishin tërhequr nga banka. Nga kontrolli në banesën e të riut, sipas policisë u gjetën 400 mijë lekë të reja, të cilat mendohet se janë pjesë nga sasia e vjedhur në zyrën postare të komunës. Kjo sasi u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, deri në hetimin e plotë të pozicionit të 24-vjeçarit në këtë vjedhje. Për gjetjen e shumës së parave, policia ka ushtruar kontrolle në të gjitha shtëpitë e pikat e dyshuara të zonës, po ende nuk është arritur në gjurmët e tyre. Megjithëse polica ka tashmë një të dyshuar për vjedhjen e parave, ajo dyshon te bashkëpunëtorët në këtë ngjarje dhe po vazhdon hetimin intensiv. Gjetja e shumës së parave do të ishte dhe zgjidhja për pensionet e 1500 banorëve, të cilët prej disa ditësh kanë mbetur pa paratë që u takojnë. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›