E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verë 2008, shtrenjtohet rëra për pushuesit

• DURRES - Pavarësisht temperaturave ekstreme dhe borës së rrallë që ra në qytetin bregdetar, vendorët e Durrësit kanë nisur diskutimet e zjarrta për verën e ardhshme.Me një paketë të posaçme fiskale ata i kanë shpallur "luftë" tregtisë së pandershme që bëhet me plazhet private. Përmes kësaj manovre ata synojnë të reduktojnë në maksimum "pushtimin" e plazhit nga çadrat private. Bashkia e Durrësit me një vendim të posaçëm shtrenjton me 30% çmimin e rërës së plazhit. Ky është një lajm i keq për të gjithë ata adhurues të shezlongeve dhe çadrave luksoze, çmimi i të cilave pritet të rritet me 30-35% në krahasim me atë të verës së shkuar, ku një vend në plazhin privat kushtonte 400 lekë. Por ky hap synon të shtojë sipërfaqet e destinuara për plazhet e lira, ndaj në këtë kuadër ky është një lajm i mirë për atë kategori që shkon në plazh me çadrat vetjake dhe bukën me vete. Me fillimin e sezonit të ri veror rëra e plazhit të Durrësit do të kushtojë më shtrenjtë sesa vera e këtij viti. Vendimi është marrë gjatë diskutimit të paketës fiskale të bashkisë, në të cilën janë marrë një sërë vendimesh të tjera të "guximshme" për të rritur të ardhurat, por edhe për të vendosur barazi mes subjekteve të njëjta. Për periudhën tremujore të verës së kaluar është vërejtur një rritje e ndjeshme e kërkesës për shtimin e plazheve private, nisur edhe nga fitimet që u kanë sjellë ato parcela pronarëve. Inspektorët e departamentit përkatës janë të bindur se rritja e çmimit për çdo m2 rërë, do të ulë ndjeshëm numrin e plazheve private apo së paku do të detyrojë plazhet private të mos zgjerojnë hapësirat mbi kufijtë e miratuar. Por nga ana tjetër vitin e kaluar është vërejtur se çdo plazh privat ka pasur një sipërfaqe më të madhe se 200 m2, e cila është përcaktuar me ligj si maksimumi i një parcele për plazh privat, ndërkohë që ende nuk është zhdukur fenomeni i plazheve të palicencuara.  Bashkia rrallëherë ka reaguar, nisur edhe nga pamundësia fizike që 20 efektivat e saj blu, kanë për të vënë nën kontroll plazhin nga zona e Currilave deri te Shkëmbi i Kavajës, vijë bregdetare, e cila përkon me të paktën 25 kilometra gjatësi.                    o.uPolicia Bashkiake"Paketa e re fiskale do të lehtësojë edhe punën në terren të Policisë Bashkiake". I këtij mendimi është zv/drejtori i Policisë Bashkiake të Durrësit, Ahmet Doda. Vera e vitit 2008 do të jetë më e favorshme për kategorinë e pushuesve të varfër. Burime nga Policia Bashkiake e Durrësit thanë për gazetën, se "synimi kryesor i vendorëve të Durrësit është që në verën e vitit 2008 raporti i plazhit publik me atë privat të jetë 50% me 50%".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›