Të nderuar anëtarë të Këshillit të Ministrave, Sot marrim në analizë punën e qeverisë për gjashtë muajt e parë të vitit 2003. Vëndi përjeton një stad krejtësisht të ri zhvillimit

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Ministrave,
Sot marrim në analizë punën e qeverisë për gjashtë muajt e parë të vitit 2003. Vëndi përjeton një stad krejtësisht të ri zhvillimit të gjithanshëm. Ky progres ka në themel një punë voluminoze dhe cilësore të Këshillit të Ministrave si dhe të administratës publike për programimin, implementimin dhe monitorimin e reformave transformuese për të cilat qeveria është angazhuar para shtetasve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Për 6 muajt e parë të vitit 2003, si pasojë e punës serioze të ekzekutivit në zbatim të angazhimeve të marra, Këshilli i Ministrave ka shqyrtuar dhe miratuar 96 projektligje nga 155 që janë shqyrtuar gjithsej që nga shtatori 2002 dhe më shumë se 600 Vendime nga 800 të tilla që janë marrë gjatë pothuajse vitit të parë të kësaj qeverie.
Gjithashtu, për herë të parë në historinë e shtetit pluralist shqiptar, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, që nga muaji prill 2003, organizohet, funksionon dhe ushtron veprimtarinë tij mbi bazën e një ligji organik, ndërsa angazhimet qeverisëse janë të përmbledhura dhe monitorohen mbi bazën e një dokumenti të vetëm pune, që është matrica 35 mujore e programit të ekzekutivit. Pra përfundimisht qeveria e Shqiperisë ka braktisur mentalitetin dhe praktikat e emergjencës në punën e vet, duke shqyrtuar, miratuar dhe monitoruar në zbatim paketa të plota aktesh ligjore që nuk lënë pas ndonjë vakum, dhe mundësojnë implementimin e shpejtë të reformave dhe përftimin pa vonesë të rezultateve.
Para se të futemi në detajet e analizës së punës 6 mujore sipas sektorëve, për vitin 2003, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj dhe të publikut disa parametra të përmbushur që forcojnë bindjen e qeverisë dhe të opinionit për suksesin e reformarve transformuese të ndërmarra.
Eshtë e njohur që ekonomia botërore është në një periudhë konjukture jo pozitive, ndërsa parametrat e arritura në 6 muajt e parë të vitit 2003 në ekonominë shqiptare garantojnë se janë gjetur sërish ritmet e qëndrueshme të larta të rritjes dhe parashikimi realisht është, që deri në fund të këtij viti Prodhimi i Brendshëm Bruto të jetë së paku 6% më i lartë se një vit më parë. Mjafton të përmend se për 6 muajt e parë të këtij viti bankat private kanë akorduar dhe raportuar kredi direkte në mbështetje të sipërmarrjes private me rreth 9 miliard lekë (66 milion euro) më shumë se e njejta periudhë e vitit 2002. Kjo shifër përfaqëson një rritje të kreditimit për ekonominë prej 43% në raport me vitin 2002.
Shitjet e faturuara në sektorin e industrisë, për 4 mujorin e parë të vitit 2003 (raportimi është 4 mujor) janë më shumë se 20% më të larta se një vit më parë.
Bujqësia dhe agroindustria vazhdojnë të ruajnë ritmet e larta të rritjes, respektivisht me 3 dhe 8% për 6 muajt e parë të vitit 2003. Në arritje e spikatur në fushën e bujqësisë në këtë periudhë është proçesi i nisur dhe i pakthyeshëm i zgjerimit të madhësisë së fermave për shkak të bashkimit të kapitaleve dhe kontributeve vullnetare të fermerëve.
Ndërkaq me gjithë ndërhyrjet drastike që na është dashur të ndërmarrim këta 6 muaj për disiplinimin e situatës urbane me prishjen e 700 ndërtimeve pa leje sidomos në zonat turistike, kjo degë (turizmi), megjithëse ende nuk ka hyrë në sezonin pik, ka arritur një faturim 18% më të lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërsa bankat vendase dhe të huaja që operojnë në tregun e brendshëm, kanë rritur kreditimin për industrinë e turizmit 47% më shumë se viti 2002.
Zgjodha pra për raportim disa tregues që nuk "prodhohen" vetëm në zyrat e shtetit dhe që janë lehtësisht të monitorueshëm, për të kuptuar të gjithë më mirë efektin e reformave dhe transformimeve që kemi ndërmarrë. Progres i sipërmarrjes private shqiptare, përveç reformave institucionale e ligjore, po mbështetet fuqimisht nga ana e Qeverisë dhe me financime të veprave publike në të gjithë territorin e vendit. Siç e dimë investimet për vitin 2003 në ekonominë shqiptare me burime të brendshme dhe të huaja, publike dhe private, pritet të arrijnë në 1 miliard dollarë, që është shifra më e lartë e 15 viteve të fundit.
Zonja e zotërinj ministra!
Treguesit që përpërmenda janë produkt i drejtpërdrejtë i reformave dhe transformimeve të ndërmarra, me prioritete në sektorët më sensitivë të zhvillimit të vendit, si financat publike, energjetikë, infrastrukturë, punësim, kujdes shëndetësor e social, arsim, mjedis, turizëm etj. Ato janë gjithashtu refleks i një niveli krejtësisht të ri dhe cilësor të parametrave të funksionimit të shtetit ligjor dhe në mënyrë të veçantë të organeve të drejtësisë. Përveç fitores përfundimtare të betejës me industrinë kriminale të skafeve dhe gomoneve, rezulton se niveli i krimit për 6 muajt e parë të vitit 2003 është 50% më i ulët se një vit më parë. Ky është progres i forcave të Policisë së Shtetit, veprimtaria e të cilave përfundimisht po vendoset mbi baza ligjore dhe po monitorohet dhe vlerësohet me kritere standarte të punës dhe të karrierës. Për gjashtë muajt e parë të 2003 janë evidentuar 2096 vepra penale dhe janë zbuluar 1751, ose 84%. Afro 40 % e veprave të zbuluara janë krime të ndodhura para vitit 2003. Për t'u theksuar është rënia e krimit kundër jetës në rreth 45%, dhe kjo që tregon se Policia e Shtetit dhe organet e shtetit ligjor po krijojnë më shumë siguri për jetën e shtetasve. Kjo performancë mbështetet, edhe pse jo ende me ritmet e duhura, edhe nga organet e drejtësisë. Qeveria vazhdon t'i kushtojë vëmendje organit të prokurorisë si partner në bashkëveprim, si përfaqësus i akuzës publike për një hetim më profesional dhe ligjor që ndihmon edhe gjyqësorin të punojë mbi bazën e provave të pakontestueshme.
Rritja e autoritetit të gjyqësorit është shoqëruar me përmirësimin e Shërbimeve Përmbaruese. Viti 2003 është afirmuar tashmë si viti i zbatimit të të gjithë vendimeve gjyqësore të pazbatuara deri më sot. Në gjashtë muajt e parë të tij janë zbatuar rreth 80 % e vendimeve të formës së prerë të mara nga gjykatat. Ne si ekzekutiv do të vazhdojmë të mbajmë nën një kontakt partnerial dhe presion ligjor shërbimet përmbaruese deri në realizimin përfundimtar të objektivit qeverisës për përmbushjen deri në realizim të vendimeve gjyqësore.
Ky progres ka në themel përveç të tjerave thellimin e reformës dhe transformimeve në administratën publike dhe veçanërsiht në deçentralizimin e autoritetit, të pronës dhe financave publike. Shtrirja e frymës së Ligjit të Shërbimit civil edhe në sektorët e tjerë të Administratës Publike shënon një moment kthese të rëndësishme në rritjen e kapaciteteve profesionale të shërbimit civil të administratës publike duke shtuar transparencën në zbatimin e politikave ligjore të rekrutimit në administratë.
Nëpërmjet paketës ligjore të deçentralizimit të autoritetit dhe kompetencave, pronës dhe financave publike në dobi të njësive vendore të qeverisjes, kemi rritur të afrojmë më shumë shtetasit me vendimmarrjen dhe të vëmë më mirë shtetin në shërbim të tyre. Tashmë janë krijuar hapësirat më të gjera ligjore, ekonomike e administrative për një shfrytëzim më të mirë nga ana e komuniteteve të burimeve njerëzore, natyrore e financiare që vihen në dispozicion të çdo njësie të qeverisjes vendore, komunë apo bashki.
Gjej rastin të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, t'ju përgëzoj dhe t'ju nxis për angazhimin tuaj në ecurinë mjaft të mirë të proçesit të negociatave për çeljen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE. Dua t'ju informoj se tashmë janë negociuar me sukses 97 nene nga 135 gjithsej të marrëveshjes në fjalë, dhe kjo është dëshmi e pamohueshme e progresit të shpejtë dhe të matur që ka përfshirë vendin në të gjitha fushat dhe sektorët kryesorë të jetës. Midis Tiranës dhe Brukselit, tashmë në rend të ditës së negociatave është bërë diskutimi për arritjen e një Marrëveshje të Tregëtisë së Lirë, realizimi dhe zbatimi i të cilës mbetet thelbi i gjithë proçesit integrues të ndërmarrë dhe që po zhvillohet.
Progresi i këtyre negociatave shënon njëkohësisht dhe nivelin më angazhues të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian të arritur deri më sot, krahas konsolidimit të mëtejshëm të bashkëpunimit, miqësisë dhe partneritetit me SHBA. Falë politikës së jashtme të Qeverisë, Shqipëria ka konsoliduar më tej pozitat si një faktor stabiliteti, paqeje dhe integrimi rajonal. Vendi ynë u rreshtua me sukses dhe vazhdon të japë kontribute në koalicionin ndërkombëtar antiterrorist të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot ndihemi të gjithë krenarë, pasi kemi arritur t'i kthejmë Shqipërisë dhe shqiptarëve imazhin e merituar në vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe të popujve miq në shkallë globale. Vizita e djeshme dhe bisedimet e zhvilluara me Këshillin e Atlantikut të Veriut e rikonfirmuan këtë realitet angazhues.
Zonja e zotërinj ministra!
Ne mbetemi të gjithë të vetëdijshëm se na presin përpara sfida të rëndësishme. Preokupimi kryesor i Qeverisë për 6 muajt e dytë të këtij viti, krahas vazhdimit të zbatimit të programit 35 mujor të punës, mbetet arritja sa më e shpejtë e efekteve të reformave dhe transformimeve tek të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Vendi ka nevojë për një shtet ligjor edhe më të fortë, ka nevojë për më shumë investime, vende pune dhe mirëqënie. Fëmijët kanë nevojë për shkolla më të mira, ndërsa sistemi i shëndetit publik për më shumë reforma dhe rezultate. Ekonomia dhe familjet shqiptare kanë ende nevojë për më shumë energji, për më shumë siguri, për më shumë drejtësi. Pra beteja me korrupsionin, abuzivizmin, trafiqet dhe krimin e organizuar ende nuk ka përfunduar. Ne i njohim nevojat e shtetasve tanë dhe rezultatet tona po dëshmojnë se jemi tërësisht të angazhuar për zgjidhjen e tyre më të sigurtë dhe më të shpejtë. Stadi që është arritur, pas një viti pune integruese të kësaj qeverie, është hipoteka më e mirë që do të vendos si garanci për përballimin me sukses të të gjitha sfidave, angazhimet tona të përgjegjshme.
Vendi është përpara zgjedhjeve administrative. Presidenti i Republikës tashmë ka dekretuar 12 tetorin 2003 për zhvillimin e tyre. Ne jemi të sigurt se me Kodin e ri Elektoral dhe me masat ligjore dhe ekzekutive të mara, zhvillimi i këtyre zgjedhjeve do të shënojë përmbushjen e standarteve të kërkuara për institucionet dhe mbarë shoqërinë shqiptare. Si Kryeministër garantoj shtetasit shqiptar se, pavarësisht angazhimeve politike të anëtarëve të këtij Kabineti, Qeveria dhe akoma më shumë administrata publike, do të vazhdojë të jetë në punë duke respektuar me fanatizëm Kushtetutën, ligjet dhe detyrimet shtetërore. Gjysma e dytë e vitit 2003 ka një rëndësi vendimtare për përmbushjen dhe tejkalimin e të gjitha angazhimeve që të ndërmarra përballë qytetarëve dhe shtetasve shqiptarë, si dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Pas 6 muajve do të jemi sërish bashkë për t'iu raportuar shtetasve shqiptarë se vazhdojmë të përmbushim objektivat tona qeverisëse!
Ju uroj punë të mbarë!