Të nderuar deputetë, Seanca e sotme e debatit e kërkuar nga opozita, vjen në kohën kur të gjithë jemi në pikun e punës për thellimin e reformave dhe në përpjekjen për menaxhimin sa më
Të nderuar deputetë,
Seanca e sotme e debatit e kërkuar nga opozita, vjen në kohën kur të gjithë jemi në pikun e punës për thellimin e reformave dhe në përpjekjen për menaxhimin sa më të mirë të kostove, natyrisht tranzitore që burojnë prej tyre. E konsideroj këtë një mundësi më shumë për të gjykuar bashkarisht gjithçka është arritur dhe për të analizuar bashkarisht, duke nxjerrë më mirë në pah përgjegjësitë politike te cilitdo përfaqësues në këtë proces. Ne ndodhemi, gjithashtu, ne fazen kulmore te negociatave me Bashkimin Evropian per Marreveshjen e Stabilizim- Asociimit të Shqipërisë me të, progresi i të cilave eshte vleresuar tashmë si i pakthyeshëm edhe nga partneret me të cilët negociojmë, përfaqësues të Këshillit të Ministrave dhe të Komisionit Europian dhe përfaqësues të tyre në negociata me Qeverinë e Shqipërisë. Mirëpo, në thelb, duket qartë se kërkesa e opozitës,- u duk akoma më qartë në artikulimet e parafolësit- nuk synon aspak të shprehë shqetësimin e saj dhe angazhimin real të saj, për ecurinë e reformave të integrimit, çka do të ishte e mirëpritur edhe nga ne, por duke shfrytëzuar mjetet parlamentare të debatit, që është normale, parafolësi në emër të opozitës synoi të hedhë baltën e radhës, të denigrojnë problemet e shqetësimet reale të opinionit publik shqiptar si dështime të radhës të një maxhorance që ka 7 vjet që votohet për të qeverisur dhe interesat e opozitës dhe parafolësi demonstroi shembullin më të freskët se opozita e degraduar shqiptare nuk interesohet fare për progresin. Në këtë kuptim, të nderuar përfaqësues të popullit, ju të gjithë keni mundësinë që sot më shumë se të merrni pjesë në përkeqësimin e imazhit të vendit, të demonstroni angazhimin tuaj real dhe të denjë dhe të kontribuoni më mirë për mbështetjen e reformave, që janë i vetmi mekanizëm i njohur dhe që po negociohet për ta afruar Shqipërinë me Europën e Bashkuar. Ju ftoj në emër të interesave të shtetit shqiptar dhe të kombit të vlerësoni se ato që ju mendoni dhe do të dëshironi të prezantoni para kamerave sot, nga kjo foltore, të jenë minimalisht të ngjashme me ato që bisedoni informalisht pas kamerave, ku vazhdoni të mburreni me liritë dhe frytet që po shijoni edhe ju, nga progresi i vërtetë, që ka ndodhur dhe vazhdon të zhvillohet në Shqipërinë tonë të shtrenjtë.
Puna e secilit këtu në këtë sallë dallon, sepse edhe përgjegjësitë janë të ndryshme, por të gjithë këtu e kemi për detyrë ligjore e përfaqësuese të qartësojmë opinionin publik dhe përfaqësuesit e komuniteteve mbi domosdoshmërinë e reformave dhe mekanizmat europiane të përballimit të kostove të tyre dhe jo të krijojmë skena irreale, që nxisin konflikt deri në urrejtje, të cilat ne po përpiqemi si njerëz atdhetarë dhe përfaqësues të një maxhorance legjitime t'i shuajmë me dialog dhe qytetari. Në mënyrë të veçantë ftoj deputetët e maxhorancës të jenë shumë të vëmendëshëm ndaj çdo spekullimi të mëtejshëm, që buron nga paniku i përhershëm dhe i tejzgjatur elektoral, që kultivon opozita për shkak të izolimit ndërkombëtar të saj dhe të zotit Berisha. Të nderuar përfaqësues të mediave gjithashtu, ju ftoj të vazhdoni të luani rolin tuaj shumë të rëndësishëm prej partneri të progresit dhe jo të konfliktit, edhe në këtë proces të rëndësishëm transparence mbi progresin dhe kostot e vazhdimit të reformave të përafrimit të Shqipërisë me standartet e BE-së.
Të nderuar deputetë,
Për t'iu përgjigjur kërkesës suaj në këtë interpelancë po ju informoj se veprimtaria e qeverisë për integrimin europian të vendit është përqendruar në këto 4 fusha dhe negociohet në këto 3 nivele, të cilat po i rendis si më poshtë:
1- Po zhvillohen me angazhimin e duhur dhe me rezultate në progres negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit të Shqipërisë me BE-në dhe të anekseve të saj të rëndësishme;
2- Vazhdojnë me sukses negociatat për Marrëveshjen e Ripranimit BE-Shqipëri, pas konkludimit të një numri të këtyre marrëveshjeve me vendet e tjera dhe me të njëjtin proces asociimi a integrimi me BE-në;
3- Vazhdojnë me seriozitet takimet e punës midis grupit konsultativ të përbashkët Shqipëri - BE;
4- Vazhdojnë me të njëjtën përgjegjësi takimet politike të Komitetit Bilateral midis Shqipërisë dhe BE-së dhe të grupeve të punës të sektorëve prioritarë të reformave të përafrimit të Shqipërisë me BE-në, veçanërisht në dogana, në financa dhe në çështjet e rendit dhe gjyqësorit;
5- Vazhdon procesi i përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Komunitetit Europian, ku edhe Kuvendi i Shqipërisë luan rolin e tij të pazëvendësueshëm;
6- Jemi në fazën kur po aktivizohen programet më intensive të asistencës institucionale, administrative dhe ekonomike të BE-së për Shqipërinë nëpërmejt programit CARDS që ka zëvendësuar Programin PHARE.
Për përmbushen e këtyre detyrimeve Qeveria e Republikës së Shqipërisë koordinon nëpërmjet Komitetit Ndërministror të Integrimit edhe bashëpunimin me legjislativin nëpërmjet Komisionit të Integrimit Europian, prioritetet dhe investimet dhe kontributet e aktorëve të ndryshëm, që integrohen në procesin e reformave të përafrimit të Shqipërisë me BE-në. Për këtë arsye, edhe sot për secilen nga këto çeshtje në diskutim ministrat anëtarë të kabinetit që unë drejtoj, duke filluar me Ministren për Integrim, do te raportojne para jush me të dhëna të plota e të hollësishme mbi arritjet, mangësitë që janë vënë re, si dhe për planet e përbashkëta të këtij viti për t'i kapërcyer ato me partnerët që negociojmë. Por unë desha të ndalem në disa aspekte që i konsideroj më thelbësore, sepse ndikimi i tyre është shumë i rëndësishëm në procesin e integrimit dhe, të nderuar deputetë, ato prekin dukshëm edhe ndjeshmëritë e kësaj salle dhe pa dyshim edhe ato të publikut të gjerë.
Më lejoni t'ju informoj paraprakisht, se deri më sot, janë negociuar dhe përfunduar në themel 79 nene të Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit të Shqipërisë me BE-në nga 135 nene gjithsej. Ngelen ende 56 nene për t'u negociuar, të cilat në thelbin e tyre lidhen me reformat, që synojnë rritjen e kapaciteteve administrative dhe atyre të funksionimit të tregjeve në vend. Krahas negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit kanë përfunduar bisedimet konkrete edhe për 6 kapituj aneksesh shumë të rëndësishëm të marrëveshjes nga 7 që janë gjithsej, si dhe ka përfunduar në tërësi negocimi i të gjitha protokolleve shtesë. Tashmë realisht jemi në pritje të procedurave protokollare për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ripranimit me BE-në, që në total përmban 22 nene të negociuara dhe të akorduara. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është dëshmi e qartë e vullnetit politik të maxhorancës për të shkuar në shuarjen e plotë të trafiqeve të paligjshme, që mund të ndodhin nga Shqipëria drejt çdo vendi të BE-së, pa të cilin nuk ka marrëveshje për lëvizjen e lirë sipas kritereve të Konventës Shengen. Gjithashtu është arritur të paraqiten si konkuruese dhe të miratohen projekte konkrete në kuadër të programit CARDS, duke negociuar nga programi i vitit 2003 CARDS për 58.5 milion euro asistencë për Shqipërinë, përveç 25 milionë euro mbështetje buxhetore e sigurtë për t'u akorduar në fillim të pranverës së këtij viti.
Të gjitha këto reflektojnë angazhimin e përbashkët Shqipëri-BE për realizimin e objektivave të vëna nga Samiti i Selanikut (qershor 2002), gjatë të cilit BE miratoi skema të ngjashme me ato të përdorura pak më parë për vende kandidate, që tashmë janë në prag të anëtarësimit në proçesin e zgjerimit, të cilat duke kaluar tek vendet e Evropës Juglindore apo të Ballkanit Perëndimor, ku bëjmë pjesë do t'i shërbejnë përshpejtimit të përpjekjeve të këtyre vendeve për një anëtarësim në Bashkimin Europian në shembullin e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që tashmë presin Samitin e anëtarësimit. Të tilla instrumente dhe dokumente janë:
Dokumenti i Partneritetit Europian i quajtur në gjuhën e standarteve europiane "European Partnerships" – i cili po hartohet për secilin nga vendet e rajonit, për të identifikuar në mënyrë të disiplinuar, transparente dhe bilaterale çdo vend me Komisionin Europian prioritetet për bashkëveprim mbi bazë të nevojave specifike të secilit vend aspirant dhe nivelit konkret të çdo vendi në procesin e plotësimit të standarteve të afrimit me BE-në. Mbi këtë bazë ndihma financiare e Komisionit dhe e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare të BE-së do të përcaktohet në përputhje me këto prioritete bashkëveprimi për të cilat do të bihet dakort bashkërisht.
Nga ana proceduriale, Komisioni Europian ka hartuar propozimin për rregulloren e Këshillit të Ministrave të BE-së, e cila do të sanksionojë nga ana ligjore aktivizimin e dokumentave të Partneritetit Europian. Ky propozim është ndërkohë duke u shqyrtuar nga Parlamenti Europian, i cili në 24 shkurt 2004, gjatë mbledhjes së Komisionit të Politikës së Jashtme dha miratimin e duhur. Pritet që Këshilli i Ministrave të BE-së ta miratojë këtë propozim të partneritetit europian për financimin e bashkëveprimit me çdo vend, pra edhe me Shqipërinë në prill 2004. Siç është e kuptueshme, kjo do t'i japë një dimension të ri proceseve dhe angazhimeve tona integruese.
Instrumenti i dytë i rëndësishëm janë programet TËINNINGS apo asistenca në kuadër të binjakëzimit, e cila nëpërmjet zyrës së TAIEX (Technical Assistance Information Exhange) përbën një mjet shumë efikase të sprovuar me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në përballimin e sfidave të përafrimit të strukturave institucionale, ligjore dhe administrative apo ekonomike të vendeve apirante me BE-në në kuadrin e Procesit të Stabilizimit dhe Asocimit, ashtu siç u përcaktua në Samitin e Selanikut.
Projektet tëinning, ose shqip të binjakëzimit, janë konceptuar si një lloj partneriteti për bashkëpunim të ngushtë, ndërmjet vendit përfitues dhe një apo cilitdo shteti anëtar të BE-së (ose disa shteteve anëtare) në nivelet e bashkëpunimit dhe të binjakëzimit midis administratave apo institucioneve homologe. Në këtë kuptim këto projekte ndryshojnë nga dhënia thjesht e asistences teknike dhe janë dëshmi e instrument me efikasitet të sprovuar për rritjen e kapaciteteve thithëse të vendit aspirant, dhe të Shqipërisë e të kapaciteteve zbatuese kombëtare, ndaj normativave apo standarteve europiane.
Projektet e binjakëzimit u konceptuan në historinë më të re të BE-së në marrëdhënie asociimi me vende periferike, si një mjet efikas për të ndihmuar vendet kandidate, që tani anëtarësohen në kuadër të strategjisë së asocimit të tyre me BE-në. Tashmë vendet e Europës Juglindore, pra edhe Shqipëria, mund të marrin pjesë në projekte binjakëzimi në kuadër të programit CARDS, ku në fusha prioritare bëhet me autoritet reciprok identifikimi i projekteve me interes për procesin e integrimit.
Sot, Shqipëria rezulton ndër vendet e pakta që ka filluar këtë proces, dhe, prandaj jemi duke punuar me shumë shtete antarë të BE-së për një numër projektesh, në një kohë që kemi projekte aktive tashmë siç është ai me Austrinë në sistemin penitenciar, thënë shqip të burgjeve, që më vjen keq që nuk u aktivizua në kohën kur Berisha më futi mua në burg.
Lidhur me asistencën për institucionet shqiptare nëpërmjet shërbimeve që ofron programi TAIEX, të cilat deri tani u janë dhënë vetëm vendeve që po antarësohen, më lejoni të them se ky është një drejtim tjetër mjaft i rëndësishëm për të shfrytëzuar eksperiencën aktive europiane për përafrimin e përshpejtuar të vendit tonë me institucionet dhe kapacitetet ekonomike dhe administrative të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Asistenca e TAIEX konsiston në përafrimin e legjislacionit të vendit me acquis communitaire (legjislacioni komunitar) nëpërmjet seminarëve, trajnimeve, ekspertizës, të cilat shpresoj të jenë të dobishme edhe për deputetët.
Prioritetet, ku do të fokusohet asistenca e TAIEX, do të jenë fusha të tilla të rëndësishme si rendi publik dhe gjyqësori, tatimet dhe doganat, administrata publike, bujqësia, energjia, transporti, konkurrenca, etj. Më lejoni të konkludoj paraprakisht nga kjo paraqitje e shkurtër se është i qartë progresi i realizuar dhe angazhimet për ta konsoliduar atë. Ngritja e vendit tonë në këto nivele partneriteti është prova më e mirë për këtë.
Në vazhdim nga ministrat titullarë, të përgjegjshëm të negociatave do të merrni fakte më të shumta. Në të gjitha takimet e zhvilluara deri tani, veçanërisht në takimet e bëra nga unë në Bruksel në fund të muajit janar 2004, theksi është vënë në këtë përgjegjësi dhe aftësi për të ndarë sovranitetin në procesin e integrimit me përfaqësuesit e komunitetit, në arritjet e dukshme që janë bërë në fushën e demokratizimit të jetës në vend, të stabilitetit makroekonomik dhe prosperitetit të tregut dhe të sipërmarrjes vendase, si dhe të nevojës për forcimin e kapaciteteve veçanërisht në sektorin e drejtësisë, ku akoma vazhdojmë të paguajmë kostot e regjimit të kaluar. Baza e këtyre vlerësimeve është përmbushja e shumicës së objektivave politikë, ekonomikë e socialë të parashikuar që nga viti 2003.
Ju e dini se viti 2003 konsolidoi më tej ekonominë shqiptare. Objektivi i rritjes ekonomike prej 6% u përmbush me sukses, ndërsa inflacioni dhe deficiti buxhetor u mbajtën në kufijtë e parashikuar, për rritje të qëndrueshme ekonomike. Zhvillimet edhe për sektorët prioritarë të ekonomisë, ku mbështetet rritja e qëndrueshme kanë qenë gjithashtu në nivele të kënaqshëm dhe të vlerësuara si të tillë dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, që na asistojnë dhe mbikqyrin. Krahas këtyre arritjeve, u realizua nje avancim i dukshëm në një spektër të gjerë reformash strukturore të tregut dhe të administratës, të cilat kanë shërbyer veçanërisht për të nxitur zhvillimin e sektorit privat, i cili jep 91% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Unë nuk do të përsëris këtu ato që tashmë janë bërë disa herë publike, por dua të theksoj se janë bërë hapa vendimtarë në fushën e privatizimit dhe të Marrëveshjeve të Tregëtisë së Lirë, të cilat kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin ndikime shumë pozitive për të zgjeruar sektorët e rritjes së qëndrueshme ekonomike, shkëmbimet e lira dhe bashkëpunimit ekonomik me vendet e rajonit dhe me vendet anëtare të BE-së në procesin e afrimit të Shqipërisë me to.
Hapa të dukshëm dhe të vlerësuar tashmë edhe ndërkombëtarisht janë hedhur në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, duke iniciuar dhe zbatuar me sukses shumë ndryshime të domosdoshme ligjore e strukturore, në përputhje të plotë me standartet ndërkombëtare, për të luftuar krimin e organizuar me sistemin e drejtësisë së organizuar. Fakt për këtë është suksesi i një numri të madh operacionesh të ndërmarra policore, disa prej të cilëve në bashkepunim me aleatët euroatlantikë dhe me vendet e rajonit, bashkëpunim i cili sa vjen e rritet mbi baza të shëndosha ligjore, si dhe puna për të spastruar rradhët e policisë së shtetit a të gjyqësorit nga elementët e korruptuar e deri bashkëpunëtorë të krimit.
Masa të posaçme janë marrë dhe të tjera parashikohen të merren për zbatimin e politikave tona për kurimin dhe reduktimin e varfërisë dhe të mbrojtjes sociale legjitime të njerëzve në nevojë. Këto konsiderohen të domosdoshme për zbutjen e kostove të reformave që jemi të shtrënguar të ndërmarrim për t'ju afruar BE-së, të cilat prekin të gjitha shtresat e popullsisë, por në mënyrë të veçantë shtresat me të ardhura më të pakta, të cilave me programe qeverisëse ne u jemi drejtuar në mënyrë prioritare.
Mbështetur në të gjitha këto rezultate faktike, në vlerësimin e maxhorancës dhe të partnerëve ndërkombëtarë të vendit, procesi i stabilizim asociimit gjatë vitit 2003, rezulton normal dhe përfundimisht i pakthyeshëm dhe i qëndrueshëm. Por, natyrshem, menaxhimi i këtij procesi nuk mund të arrijë në parametrat maksimalë në rrethanat tona tipike, ku mendësitë e një pjese të politikës mbeten ende shumë larg standarteve të BE-së dhe larg asaj që kërkojnë jo vetëm proceset e integrimit, por edhe vetëdija kombëtare e shumicës së shqiptarëve, që natyrisht, prandaj nuk voton edhe këtë pjesë të politikës opozitare që është larg standarteve të kohës. Nuk kam ndërmend aspak të shpalos sot fjalorin publik të radhës për t'i përcaktuar këta njerëz, por dëshiroj nga kjo foltore sublime të garanoj qytetarët e Republikës së Shqipërisë se rruga ku po ecim të gjithë së bashku është më e drejta, më e garantuara dhe më pak e kushtueshme, sesa izolimi që na la regjimi i para 1997, izolim që po kërcëllon dhëmbët se do të rikthehet, jo më nga zyrat e shtetit, por nga rruga. Këto që po them vërtetohen plotësisht nga thirrjet e kohëve të fundit të opozitës për destabilitet, apo për skenarë dhune fizike a verbale ndaj intitucioneve, përfaqësuesve, sipërmarrjes dhe vetë shtetasve. Izolimi ndërkombëtar dhe personal i Berishës, paaftësia e tij për të prodhuar ide dhe konkurencë politike e shtyn këtë tip anakronik të bëjë atë që po bën dhe që është shumë e ngjashme me atë që ka bërë në të kaluarën e krizave. E vetmja siguri e këtij tipi mbetet rruga, vuajtjet dhe fatkeqësitë e njerëzve, madje dhe manipulimi i fatkeqësive natyrore, duke tentuar shformimin e emocioneve njerëzore, gjë që besoj se jeni të qartë që nuk po prodhon ndonjë epidemi sociale më të rrezikshme se ajo e gripit ndërkombëtar.
Personalizimi që i bëhet gjithçkaje që ndodh me emrin e Kryeministrit të vendit, i cili duhet të menaxhojë edhe shfrimet absurde të opozitës së pareformuar, nuk është gjë tjetër veçse produkt i kësaj taktike të stërkonsumuar dhe, pra, nuk mund të ketë mundësi për t'u bërë faktor, qoftë edhe në mënyrë të dhunshme. E gjykoj me vend të ndaj me ju disa vlerësime për sensibilitete, që prekin publikun lidhur me akuza bajate, që hidhen në emrin tim, që në ditët e para të marrjes së detyrës si Kryeministër, që mesa duket këta tipa mendonin se ishte afatshkurtër. Më lejoni tju kujtoj me këtë rast se edhe disa media, për interesa të palegjitimuara ende, çdo ditë të punës sime si Kryeministër përpiqen ta mbulojnë me tymin e shpifjes, për shkak se ndodhen në kushte pamundësie pagese financiare për detyrime ligjore, sepse janë prerë financimet e paligjshme nga zyrat dhe paratë e buxhetit të shtetit për klientë të preferuar. Të kuptohemi, unë para se të jem Kryeministër jam politikan dhe kam 14 vjet që e bëj këtë detyrë, në këtë vend dhe mundesha fare mirë t'ju imitoja për të ruajtur pozicionin tim mediatik por nuk e bëj, nuk e kam bërë dhe nuk kam ndërmend ta bëj një gjë të tillë. Zoti Berisha nuk ka bërë as më pak as më shumë, por duke përtypur çdo mëngjes titujt e gazetave, ka kontribuar në mënyrë progresive në këtë gjë, derisa shpërtheu me ngazëllim në dhunë të hapur kundër shtetit dhe të nxitjes së urrejtjes mes njerëzve nëpërmejt shpifjeve dhe denigrimeve që ne nuk i dorëzohemi tundimit për të hapur gjyqe. Sipas Berishës, unë herë shfaqem si vrasës, herë si trafikant droge, herë si shkatërrues i institucioneve, përherë i korruptuar dhe ku di unë se çfarë tjetër. Tani më falni, ja ku jemi në majën më të lartë të shtetit, në Kuvendin e një Republike Parlamentare, ju të gjithë jeni përfaqësues të popullit me të drejta të plota për t'u informuar për gjithçka, po të dëshironi edhe për jetën time private si Kryeministër. Ne jemi tashmë të angazhuar në një axhendë integrimi, them ne, sepse kuptoj që edhe opozita është e detyruar të përfshihet në këtë proces dhe jo në gërrvërrin e shpifjeve dhe sharjeve, sepse kjo më e pakta është tallje me jetët e njerëzve, është një lojë e pistë me emocionet njerëzore që nuk prodhon asgjë të mirë. Unë e di se për mjaft njerëz të krahut të këtij tipit, ku një mentalitet i vjetëruar ka zënë vend, unë quhem edhe i pandryshueshëm, kokëfortë e kështu me radhë. Harrojini kohët e pirjes së kafeve me Kryeministrin. Kjo nuk mund të jetë e mundshme, sepse filozofia ime politike e demonstruar në vazhdim për më shumë se 14 vjet është filozofia e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit demokratik, dhe jo ajo e forcës primitive që dëshmoi ky tipi me turma të dhunshme në vitin 1997. Ishte kjo filozofi që qeverisjen tonë e mban të lidhur me protestën popullore, me demonstrimin e lirë, grevën dhe të gjitha liritë e tjera të garantuara me ligj dhe në praktikë, është kjo filozofi që na shtyn në mënyrë të arsyetuar dhe të përgjegjëshme të reagojmë pozitivisht ndaj kërkesave të qytetarëve. Nuk kemi nevojë për antimitingje të maxhorancës për të shfaqur epërsinë apo forcën e filozofisë qeverisëse të saj, sepse ne jemi futur në mesin e protestave, sigurisht jo si shikasit e këtij tipit, por si qëmtues të halleve të njerëzve, me qëllim kurimin e dhimbjeve të tyre që shkaktojnë reformat, si dhe për të davaritur sidomos mjegullën që përhap rregjimi i vjetër dhe i vetëm i varfërisë postkomuniste që duket se ka perënduar një herë e mirë në vitin qershor 1997.
Të nderuar deputetë,
Negociatat që kemi zhvilluar deri më sot me Bashkimin Europian, janë në rrugë të mbarë. Natyrisht mund të ishte bërë më shumë, por natyrisht jo nga këta tipat, por të kuptohemi jo gjithçka varet nga puna e një qeverie, madje jo vetëm nga puna e bërë nga të gjithë ne gjatë viteve të pluralizmit, pasi e njohim mirë trashëgiminë e krijuar në kohë, që duhet shumë mund e punë ta kapërcejmë. Integrimi është proces, pra nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm përgjegjësi e vetëm një qeverie. Ai është në radhë të parë një proces bashkëpunimi dhe integrimi të brendshëm, pra presupozon si kusht të pashmagshëm bashkjetesën e detyrueshme në komunitet, pavarësisht bindjeve politike, sepse tarifat dhe kostot janë të njëjta për të gjithë. Ai presupozon që e gjithë shoqëria të sillet me solidaritet atdhetar, pra përveç të tjerash një pjesë e shoqërisë duhet të kontribuojë për pjesën tjetër në nevojë ekonomike apo sociale, me mekanizma legjitimë të shpërndarjes së pasurisë dhe të politikave fiskale, sepse një pjesë e shoqërisë për shkak të regjimeve të kaluara, që instaluan izolimin e njeriut dhe të vendit, ka mbetur e varfër. Ky proces fillon që nga urbanizimi legjitim i qendrave të banuara të reja deri tek sigurimi i nevojave për jetesë të çdo shtetasi që mban familjen e tij dhe kontribuon në mënyrë të ndershme për zhvillimin e komunitetit dhe atdheut. Është kjo arsyeja pse ne mendojmë se për të gjithë ne nuk duhet të ketë më të përndjekur politikë, me të cilët vazhdon të luajë prej 13 vjetësh ky tipi, i cili nuk bëri asgjë serioze për ta, përveç vazhdimit të spekullimit politik me plagët dhe vuajtjet e tyre. Prandaj maxhoranca e sotme po punon me seriozitet për të aktivizuar arsyen dhe bashkëveprimin dhe solidaritetin qytetar të të gjithëve për më shumë përfitime konkrete të shtresës së të përndjekurve të regjimit të kaluar.
Natyrisht, garantimi i një stabiliteti politik në kushte demokratike është i domosdoshëm për zhvillimin e reformave në vend. Kjo nuk është zbuluar sot dhe as për herë të parë nga ne. Kjo ka qenë kërkesë vitale për procesin e asocimit, që në kohën kur qeveriste zoti Berisha, por që sigurisht parametrat e asaj kohe ishin të tjera, ndërsa sot janë krejt të ndryshme, sepse nuk jemi në kohën e sajimit të dosjeve për opozitën apo liderin politik të saj për ta burgosur dhe as në muajin e mjaltit me konferencën islamike. Me logjikën e ftohtë të nevojës për më shumë reforma dhe për shpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Europë, ne kemi bërë edhe marrëveshje bashkëpunimi me opozitën, për të cilat unë nuk jam aspak i penduar, ndonëse, që të jem i sinqertë, kam patur gjithmonë merakun e prishjes së tyre nga i humburi politik Berisha. Kjo pabesi politike ndaj atdheut, dhe jo ndaj meje, solli një ngurtësim të kapaciteteve të brendëshme për zhvillim të vendit. Më tej akoma, opozita dështoi edhe në marrëveshjen për reformën zgjedhore, megjithë tolerancën e maxhorancës për hapësira më të mëdha në ligjin zgjedhor, shpesh herë deri në kundërshtim edhe me frymën kushtetuese të menaxhimit të proceseve elektorale. Koncepti i këtij tipi për marrëveshje politike është thjesht zhvendosje emrash dhe punësim fanatikësh, që bllokojnë punën e institucioneve, pa marrë fare parasysh parimet dhe rregullat e shtetit ligjor në një Republikë Parlamentare si kjo e jona, madje pa e kuptuar asnjëherë se thelbi i marrëveshjeve politike mbetet bashkërendimi i forcave për të përshpejtuar reformat integruese dhe jo e kundërta. Për këtë tipin nuk ka as Kushtetutë, as ligje, as institucione të shtetit.
Ne filluam të zhvillojmë së bashku edhe reformën në insitucionet Kushtetuese, por paaftësia e konkurimit politik të Berishës që nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të nxiste largimin e tij nga konkurenca në institucione dhe përfundimin tek manipulimi i emocioneve të protestuesve në rrugë kundër institucioneve legjitime. Të gjitha përpjekjet për bashkëpunim politik ky tipi i ka reduktuar në përbaltje emrash dhe akuza politike ndaj Kryeministrit. Por harroje mushkë Valarenë, sepse ju kujtohet besoj se ti e deklarove si të prishur marrëveshjen me rastin e votimit për një zonë elektorale në Elbasan, sepse ky tipi bashkë me atë tipin kishte menduar se marrëveshjet politike mund të shkojnë deri tek nëpërkëmbja e gjësë më të shtrenjtë dhe më të shenjtë në demokraci: vota e lirë. Por ky tipi nuk ka menduar asnjëherë se unë jam Kryeministër dhe kam për detyrë të përmbush detyrimet kushtetuese e ligjore ndaj të gjithë berishëve dhe ndaj të gjithë nanove. Prandaj nuk është më koha kur gjithçka vendosej natën në presidencë dhe ekzekutohej ditën. Sot pushtetet janë realisht të ndara dhe këtë, ky tip, e di shumë mirë këtë gjë, por nuk i intereson të jetë i sinqertë. Frustacionet e krijuara nga rezultatet zgjedhore, nuk e lenë Berishën të arsyetojë as përballë logjikës së ftohë të institucioneve të specializuara dhe të pavaruara ndërkombëtare, gjithashtu.Çdo sistem zgjedhor ka defekte teknike, të cilat mund të tejkalohen me mirëkuptim politik e institucional dhe jo me mllefe politike apo manipulim të ndjenjave të zgjedhësve. Këtë ma konfirmoi edhe zonja Pack para pak ditësh.
Sot, si pasojë e një lufte të gjithanshme dhe të organizuar të shtetit ligjor ndaj informalitetit dhe krimit, presioni i krimit të organizuar ndaj qeverisë dhe të gjithëve qytetarëve është real dhe prandaj vjen në rritje. Gjëja më e thjeshtë është të rrimë e të lexojmë gazeta në mëngjes e të shajmë me apo pa të drejtë shtetin shqiptar. Ndërkohë që ne të gjithë na takon të bëhemi pjesë e aksionit politik që kuron kriminalitetin në shoqëri, që ndan politikën nga krimi dhe që nxit gjyqësorin të arkivojë kriminelët në vuajtjen e dënimit, të fuqizojmë shtetin e së drejtës dhe të ekonomisë së hapur të tregut, pa standartet e të cilave nuk mund të integrohemi në Evropë, as institucionet dhe as qytetarët për një lëvizje të lirë dhe me konkurencë të barabartë. Për këto reforma është e angazhuar qeveria, shoqëria civile, sipërmarrja e lirë dhe mbarë vendi. Pritet të angazhohet dhe opozita.
Të nderuar deputetë,
Sfida e të gjithëve ne për këtë vit është nëshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Duhet të përfundojmë negociatat për 56 nenet e paprekura ende dhe kjo është e barabartë me realizimin e matricës së integrimit, që të gjithë keni sot përpara. Në përmbushjen e këtij detyrimi një rol të rëndësishëm ka parlamenti.Çdo vonesë është përgjegjësi përpara vendit dhe shtetasve të tij, të tjerat që thuhen poshtë e lart janë broçkulla, që nuk të çojnë asgjëkundi dhe vetëm se shtojnë baltën poshtë rrotave të makinës, në të cilën kemi hipur të gjithë. Alternativat fatkeqësisht janë të pakta: reforma ose antireforma. Rrugë të mesme nuk ka. Këto reforma do të bëhen me maxhorancën e Koalicionit për Integrim, pra pa u ndikuar nga fakti nëse do të bëhen me apo pa këta tipa. Tarifat e shërbimeve publike dhe të produkteve të konsumit si energjia apo telefonia, do të duhet të vazhdojnë të përafrohen me standartet e tregut europian. Detyra jonë është që t'i gjendemi shtetasve tanë me një program masash që reduktojnë kostot, po kjo nuk do të thotë as ngadalësim e aq më pak kompromentim i reformës.
Mbi këtë terren lufta kundër krimit dhe korrupsionit do të vazhdojë të bëhet pavarësisht se disa kujtojnë se kanë mbrojtje politike e disa të tjerë jo. Ne të gjithë këtu duhet të jemi në mbështetje të prokurorisë dhe gjykatave, në mbështetje të reformave që kurojnë sëmundjet e reja e të vjetra në këtë sistem të shoqërisë demokratike dhe të mos lëmë rast pa sharë gjykatat apo institucionet e së drejtës sa herë që ato dëshmojnë paaftësi apo pamundësi të kushtëzuar nga faktorë të ndryshëm. Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë, pra edhe e juaja, është detyrë imperative e ligjit që kemi miratuar së bashku. Unë kam ftuar institucionet e shtetit ligjor të fillojnë me mua të parin. Duroni të mësoni rezultatet dhe më pas gjykoni sa i korruptuar jam unë dhe gjithë të tjerët, që nuk leni rast pa i përfolur. Së shpejti do të keni, në Kuvend edhe ligjin për dhuratat ndaj zyrtarëve të shtetit, i cili si pjesë e një pakete të plotë ligjore antikorrupsion, do të rrisë edhe më tej transparencën e aktivitetit të funksionarëve të shtetit, përfshi edhe funksionarë e përfaqësues të opozitës në parlament.
Në përfundim të nderuar deputetë, dëshiroj t'ju ftoj të gjithëve të jemi pjesë e procesit vendimtar historik për vendin, në arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të Shqipërisë me BE-në. Ky instrument, pavarësisht se kush i drejton komisionet përkatëse, duhet të shndërrohet për të gjithë ne, në një katalizator që nxit ritmet e negociatave dhe kapaciteteve, zbatimit të standarteve, por edhe përgjegjësinë politike dhe qytetare të shtetit dhe shqiptarëve, që rrit bashkëveprimin dhe efektivitetin e veprimit të institucioneve për reforma. Ne të gjithë këtu jemi njerëzit që jemi votuar për ta përmbushur këtë detyrim, si në pozitë edhe në opozitë. Unë nuk jam këtu për t'ju sfiduar, por për t'ju ftuar në mënyrë të përsëritur, pa iu shmangur përgjegjësive të mia, të merrni edhe ju përgjegjësitë që ju takojnë. Konkuroni që të fitojë Shqipëria Europiane, pastaj dhe ju si shërbëtorë të saj!
Ju faleminderit!