Të nderuar miq, qytetarë durrsakë, Zonja e zotërinj, Shoqe e shokë Vij në këtë takim me ju, pasi hapa rubinetin për një naftë pa akcizë, më të lirë, për anijet e peshkimit, ku edh
Të nderuar miq, qytetarë durrsakë,
Zonja e zotërinj,
Shoqe e shokë
Vij në këtë takim me ju, pasi hapa rubinetin për një naftë pa akcizë, më të lirë, për anijet e peshkimit, ku edhe peshkatarët buzëqeshën, kur unë shpreha bindjen se Berisha do të thotë rubineti tjetër i kontrabandës apo i korrupsionit.
Pra, qeveria po vazhdon punën dhe ka nisur të zhvillojë programe bashkëpunimi shumë serioze me autoritete vendore, me kryetarët e bashkive të zgjedhur në zgjedhjet e fundit, pavarësisht çfarë ngjyre politike u takojnë ata.
Pardje isha në një takim me shoqatën e bashkiakëve në Sarandë dhe i bëra të njëjtin respekt dhe dëgjova me të njëjtën vemendje kryetarin e Bashkisë së Sarandës, ashtu si kryetarin tuaj të Bashkisë Lefter Koka ( Gjoka atje Koka këtu) për të kuptuar- tani që ndahet buxheti- më mirë prioritetet dhe nevojat për zhvillim që kanë komunitetet vendore në qytete, që drejtohen nga bashki apo fshatra që drejtohen nga komuna, si dhe për të ndarë me ta arsyetimin logjik të politikave shtetërore, që mbulojnë dhe kostot e reformave, që po kryejmë për t'íu afruar standarteve të BE, kosto që edhe ju po i ndjeni me çmime më të larta për energjinë elektrike, tarifat telefonike etj. Besoj se edhe ju këtë doni. Që qeveritarët qendrore apo vendorë të flasin hapur me ju, që qeveritarë vendorë apo qendrorë pavarësisht nga ngjyra politike t'í shërbejnë ligjit, detyrës dhe zgjedhësve.
Dhe kështu kemi vendosur t'í përgjigjemi opozitës së vjetër dhe kryetarit të pashërueshëm të saj, i cili kërkon të manipulojë vështirësitë e reformave, kostot që ne ndajmë me ju për t'íu afruar standarteve europiane, duke kthyer protestën e ligjshme të qytetarëve në një vend dhe shoqëri demokratike, në mburojë për kriminelët ordinerë apo politikë, që njerëzit i larguan nga pushteti me dhunë në '97 dhe që sot janë koka e heshtës së turmave që mobilizon Berisha për të goditur stabilitetin e vendit, institucionet e shtetit demokratik dhe qetësinë e qytetarëve dhe të sipërmarrësve në Shqipëri.
Unë me kryetarin tuaj të Bashkisë, bashkë me disa ministra kryesorë u ulëm sot për pak kohë për të nisur një proces më të gjatë partneriteti edhe në Bashkinë tuaj për të biseduar për një numër projektesh që edhe Z. Koka i përmendi, nga infrastruktura dhe turizmi, tek strehimi i familjeve nevojtare apo rishikimi i disa politikave, që do t'í mbulonin më mirë kostot për çmimet e reja të energjisë dhe telefonisë.
Siç mora angazhim në Kongresin e fundit të partisë sime - nuk ka nevojë te jeni anëtar të saj me pahir- unë po nis sot nga Durrësi bashkëbisedimin e gjerë me qytetarët dhe me përfaqësuesit e interesave të ndryshme të komuniteteve në qytete dhe fshat për të verifikuar drejtësinë e vendimeve që marrim, të politikave që zbatojmë, të reformave që kryejmë për t'ju dhënë më shumë informacion se çdo të thotë standart europian në treg apo në lëvizje të lirë, apo akoma jo aq të lirë sa duhet drejt vendeve të Europës, për të bërë korrigjimet e duhura në këto zgjidhje, që në thelb janë të detyrueshme, nëse duam t'í afrohemi Europës dhe për të kuptuar më tepër drejt nga ju, sesi do ta luftojmë më fort korrupsionin, kontrabandën, krimin në ekonomi apo shoqëri, evazionin fiskal, përfitimet e paligjshme apo të pamerituara dhe bartësit e tyre kudo qofshin pavarësisht nga ngjyra politike pas së cilës nuk mund të fshihet askush.
Po e nis nga Durrësi, sepse Durrësi ka shumë mundësi, jo vetëm për ju, por për të gjithë vendin. Unë e vlerësoj Durrësin ashtu siç bëmë para pak ditësh në përvjetorin e Bashkim Hoxhës, si një barometër të prirjeve dhe tendencave të zhvillimit kombëtar, të gjendjes së kombit edhe sot në kushtet e reja, kur Shqipëria me një rol shumë konstruktiv në rajonin e Ballkanit, po shërben si pararojë e proceseve të hapjes, të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit të Ballkanit në Evropën Perëndimore.
Kjo ndodh jo vetëm për shkak të fluksit të import eksportit të mallrave dhe të lëvizjes së njerëzve në qytetin tuaj port. Kjo ndodh jo vetëm për shkak të vlerave, traditave, kulturave, qytetërimeve që janë gërshetuar në qytetin tuaj në shekuj dhe ju jeni produkt i seleksionimit të këtij ballfaqimi të Shqipërisë me botën në shekuj, por edhe për shkak të vendit që ka Durrësi në programet tona strategjike të zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë në botën moderne.
Ju jeni porta e Korridorit 8-të bashkë me Barin apo Brindizin dhe nëpërmjet infrastrukturave dhe zemrave tuaja gjithë Evropa Perëndimore do të synojë një kalim të lirë dhe qytetërues, zhvillues drejt Azisë së Mesme, në këtë botë që po bëhet më e vogël, sepse po bien kufijtë dhe po zgjerohen tregjet.
Konstatoj që ashtu si herë të tjera kur kam qenë në Durrrës edhe tani barometri juaj tregon kohë të mirë dhe parametra nxitës për çdo lloj autoriteti, për qeverinë që unë drejtoj dhe për autoritetet që ju keni zgjedhur që t'ju drejtojnë për tre vitet e ardhshëm në proçesin e mobilizimit të aftësive tuaja sipërmarrëse, sipërmarrjes durrësake dhe më gjerë, për më shumë të ardhura, më shumë mirëqënie, më shumë vende pune dhe sidomos më shumë vlerë më të lartë shkëmbimi në tregëtinë e lirë që po bëjmë me vendet që na rrethojnë.
Unë e di që jo të gjithë janë dakort me këtë vlerësim, ose me atë që po bën qeveria, por kjo është demokracia. Nuk është koha e unitetit të pathyeshëm dhe e vënies me pahir të njerëzve në rresht. Është koha e ballafaqimit të lirë të mendimeve dhe të alternativave, është koha e protestës qytetare legjitime në një shoqëri demokratike gjithashtu.
Por ama ne jemi këtu për të arësyetuar çfarë duhet bërë më mirë, si duhet të përfitoni më shumë nga proçesi i zhvillimit dhe i integrimit të vendit në perëndim dhe për të kuptuar nëse ka alternativa realisht më konkuruese sesa kjo, sepse jemi të hapur t'i përmirësojmë programet tona dhe kursin e reformave duke luftuar edhe kriminalitetin edhe korrupsionin apo abuzimin e zyrtarëve.
Nuk besoj se ka vend të botës ku opozita vetëm bën zhurmë dhe krijon ferra nëpër këmbë edhe për qeverinë, edhe për sipërmarrësit, edhe për qytetarët dhe nuk jep asnjë alternativë për politika zhvillimi apo programe reformash, përveç panikut të vet 6 vjet larg nga pushteti, ( ka hyrë në vitin e shtatë), dhe siç duket edhe panikut të xhepave apo të klaneve që u larguan nga pushteti bashkë me të.
Në të gjithë botën opozitat nxisin zhvillimin dhe nëpërmjet konkurimit politik dhe institucional me maxhorancën sjellin përmirësimin e rezultateve të qeverisjes dhe funksionimit të demokracisë.
Unë jam këtu për të marrë përsipër gjithçka që mund të përmirësohet në administrimin publik, në programet e qeverisë që integrojnë interesat dhe burimet tuaja për jetesë dhe zhvillim në rrugën e afrimit me BE. Këto çështje kanë kosto. Unë nuk jam këtu për t'ju faturuar kosto të pamerituara.
Unë e di që jo të gjithë po orientohen drejt dhe po sigurojnë përfitime në realitetet e tregjeve të reja apo të lëvizjeve drejt botës moderne ku po e përfshijmë vendin dhe shqiptarët. Dikush po përfiton më shumë në mënyrë të ligjshme, dikush përfiton më shumë në mënyrë të paligjshme.
Unë jam këtu që sëbashku me ju të bllokojmë çdo përfitim të paligjshëm dhe të shpërndajmë barrën dhe koston e reformave në mënyrë të drejtë për të gjithë. Jo disa të paguajnë taksa dhe disa për shkak të marifeteve apo të miqësisë me pushtetarët, t'u shmangen atyre.
Ne duhet të arësyetojmë sëbashku në këtë proçes konsultimi publik a ka burime të tjera që mund të aktivizojmë dhe a ka një mënyrë më të mirë për të shpërndarë përfitimet e reformave. E gjitha kjo do të mbetej pa vlerë dhe pa efekte nëse nuk kuptojmë njëlloj arësyet e vërteta që e shtyjnë lidershipin e opozitës të frymëzojë dhe organizojë protesta të dhunëshme që godasin institucionet, cënojnë imazhin e Shqipërisë në botën moderne, shqetësojnë qytetarët e vendit dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, vënë në ankth sipërmarrjen vendase apo familjet që qindra mijë emigrantëve edhe këtu nga Durrësi, ashtu si nga gjithë Shqipëria kanë lënë në atdhe dhe që janë bankat familjare ku ata dërgojnë të ardhurat nga emigracioni, duke ndikuar jo vetëm në mirëqënien e të afërmve, por dhe në zhvillimin e të gjithë vendit, sepse çdo vit hyjnë në Shqipëri nga emigracioni më shumë se 1 miliardë dollarë në vit.
Ne pra nuk mund të lejojmë dhe për këtë kërkojmë koalicion me qytetarët dhe shtetasit e këtij vendi, që fluksi i dërgesave nga të afërmit tuaj në emigracion, fluksi i investimeve direkte private të kompanive më të mëdha perëndimore që po i afrohen Shqipërisë, mbështetja e bankave më të mëdha të botës perëndimore për tregun dhe ekonominë shqiptare, mbështetja politike dhe asistenca e gjithanshme që po i japin qeveritë e gjithë vendeve perëndimore vendit tonë të ndërpriten, të bllokohen, të tërhiqen për shkak të aventurave dhe marrëzisë, nga paniku dhe etja për pushtet, të një njeriu të njohur për paaftësi qeverisëse, për shkatërrimin e shtetit dhe të ekonomisë, për trafiqe me Millosheviçin dhe autor të krizës së piramidave që gllabëroi miliona dollarë kursime jetike të shqiptarëve, siç është Sali Berisha.
Unë dua të ndaj me ju dëshmitë e qeverisë se për shkak të luftës së pamëshirshme që po i bën qeveria që unë drejtoj prej gati 20 muajsh krimit në ekonomi, trafiqeve, bandave të krimit të organizuar, lidhjeve të tyre me mafien apo rrjeteve të tjera të trafikut ndërkombëtar, që kanë penetruar në vendin tonë në vitet e regjimit të Berishës, ne e prisnim këtë reaksion të kryembrojtësit politik të krimit dhe të informalitetit në ekonomi që është Sali Berisha. Ne prisnim që ai të sillej ndryshe. Më në fund me përfaqësuesit më tipikë, të cilët menaxhojnë pushtetin e tij, ai iu sul sërish stabilitetit të vendit dhe të insitucioneve shtetërore në Shqipëri.
Sulmi i fundit i hordhive të Berishës ndaj stabilitetit të shtetit dhe të Shqipërisë mua më gjeti në Madrid, duke biseduar për projekte te reja zhvillimi me qeverinë spanjolle, e cila është e djathtë, pra është partia më e madhe konservatore në gjirin e Partive Popullore Europiane, ku Berisha ka marrë statusin e vëzhguesit.
Në kohën që Berisha godiste dyert e qeverisë me gurë, unë isha në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Konservatore Spanjolle, të cilët janë në fushatë elektorale, do t'i fitojnë zgjedhjet dhe mua nuk më vjen xhelozi për këtë gjë, pavarësisht se nuk është parti e majtë, dhe Sekretari i Përgjithshëm do të jetë Kryeministër.
Në një kohë që qeveria e qendrës së majtë që unë drejtoj, në një koalicion të gjerë që ka 60% të votave në parlament dhe ka brenda edhe parti të qendrës së djathtë si ajo e Aleancës Demokratike, po punon me qeveri të vendeve të BE apo me SHBA, të cilat janë disa të qendrës së majtë, disa të qendrës së djathtë, po punon me qeverinë e Berluskonit në Itali, apo të Aznarit në Spanjë, me qeverinë e djathtë franceze, apo me qeverinë e majtë suedeze, Berisha pretendon se nga Kongresi i Partive Popullore Europiane, ka marrë mbështetje për të goditur institucionet e zgjedhura legjitimisht në Shqipëri me gurë dhe me dhunë.
Natyrisht, kuptohet që ky është një mashtrim i madh. Ajo që i kushton vendit dhe shtetit shqiptar sjellja e Berishës është ndërprerja e bashkëpunimit dhe e asistencës së huaj në këtë proçes zhvillimi dhe integrimi.
Ditën e parë që unë isha në Madrid dhe takova Kryeministrin spanjoll, sëbashku, njëri pas tjetrit me Kryeministrin rumun, shtypi spanjoll jepte lajmin: kryeministrat e Rumanisë dhe të Shqipërisë priten nga Aznari, pra një mesazh normaliteti, edhe Shqipëria njëlloj si Rumania, e cila është më afër BE shfaqen në opinionin ndërkombëtar si vende normale dhe partnere me perëndimin.
Ditën e dytë shtypi spanjoll u detyrua të thotë se "Kryeministri i Shqipërisë ndërpreu vizitën zyrtare në vendin tonë, për trazira në kryeqytetin e tij.
Trazirat e rradhës që organizoi Berisha ndodhën në një kohë kur ai humbi zgjedhjet vendore të cilave akoma nuk ua ka pranuar rezultatin, kur zgjedhjet vendore në Shqipëri u cilësuan të pranuara, të rregullta dhe me probleme që do të vazhdojnë të korrigjohen, nga të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë dhe qeveritë perëndimore që na asistojnë. Kur në Shqipëri, për shkak të rikonfirmimit të stabilitetit të vendit pas zgjedhjeve vendore nisën të nënshkruhen kontrata të rëndësishme me investitorë të mëdhenj privatë ndërkombëtarë si General Electric, Locket Martin apo kompani dhe grupe të rëndësishme sipërmarrëse të vendeve fqinje, sidomos të Italisë, kur agjencitë e garantimit të riskut politik të investimeve private si banka italiane apo Banka e Import-Eksporteve të SHBA i dha Shqipërisë një kategori më lartë, pra e bënë më pak të rrezikshme për riskun e investimeve private sesa ndonjëherë në 13 vitet e fundit që kemi hyrë në demokraci.
Për të gjitha këto pra, gurët e Berishës godasin stabilitetin e zhvillimit të vendit dhe ndërpresin qetësinë dhe sigurinë që po fiton Shqipëria në bankat dhe zyrat e qeverive perëndimore që na mbështesin. Ju e dini se këto gjëra i bën i njëjti njeri, i bën Sali Berisha që në '97, kur populli u revoltua ndaj pushtetit dhe qeverisjes së tij të mbrapshtë, akti i fundit që bëri ishte lirimi, amnistimi dhe përdorimi në pranverën e '97-ës nga burgu i qindra kriminelëve ordinerë, për të arritur deri në marrëzinë e pajisjes së një pjese të tyre me pasaporta diplomatike.
Që nga ajo kohë, vetëm tani ne po arrijmë të vendosim kredibilitetin e pasaportave diplomatike shqiptare, sepse ato që përfunduan në duart e kriminelëve detyruan disa qeveri të vendeve të BE-së të anullonin lirinë e lëvizjes edhe të pasaportave diplomatike pa vizë.
Pra, për shkak të kriminelëve të Berishës të lëshuar nëpër botë, pasi bënë zullumet që dolën nga burgu në Shqipëri i gjithë imazhi dhe kredibiliteti i dokumentave të udhëtimit të shqiptarëve, deri tek zyrtarët ka 6 vjet që është cënuar.
Natyrisht ne nuk mund ta lejojmë këtë gjë. Natyrisht ne po bëjmë të pamundurën jo që t'u kthejmë kredibilitetin pasaportave të zyrtarëve, por të zgjerojmë hapësirat e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe shtetasve të këtij vendi pavarësisht nga pozita zyrtare apo nga statusi i pasurisë.
Ne duam që të kuptohet qartë; kjo opozitë e vjetër në Shqipëri ka ndonjë alternativë që të nxisi zhvillimin, apo meqë ka 7 vjet apo 12 vjet që nga '92 që konkuron dhe nuk fiton në zgjedhjet demokratike në Shqipëri, nuk ka akt tjetër përveç etjes për pushtet, të cilin e përdor pastaj për interesa kriminale.
Në qoftë se Sali Berisha dhe të gjithë të tjerët, kana një provë të vetme ndaj Fatos Nanos dhe qeverisjes së tij, unë nuk jam trëmbur kur gjykatat dhe qeveritë i kishte Berisha dhe kur më futi 4 vjet në burg politik, ku për shkak të solidaritetit të demokratëve dhe socialistëve të vërtetë në të gjithë Shqipërinë, qëndrova, jetova dhe sot jam sërish në drejtim dhe administrim të ligjshëm të interesave tuaja dhe të interesave të vendit.
Unë jam këtu në Durrës ku Berisha propagandon se është qendra e krimit dhe e korrupsionit qeveritar. Jam i qetë dhe shumë i motivuar të vazhdoj të punoj me Z.Koka dhe me gjithë bashkëpunëtorët dhe deputetët e mi në Durrës, të cilët po ndërtojnë këtë situatë kaq të ndryshme nga koha e regjimit të Berishës.
Jam i hapur, po e përsëris, për Sali Berishën dhe për të gjithë hordhitë e tij të ballafaqohem dhe të hetohem në çdo instancë, për çfarëdo pretendimi që po lëshon në ajër apo në rrugë ky njeri i parekuperueshëm, por nuk do të heq për asnjë sekondë dorë nga përdorimi i të gjitha instrumentave ligjorë që i jep qeverisë dhe maxhorancës Kushtetuta për të luftuar korrupsionin, kriminalitetin, evazionin, kontrabandën, konfliktet e interesave, monopolet në treg dhe sidomos çdo lidhje kriminale të politikës së regjimit të Berishës me korrupsionin dhe trafiqet në ekonomi.
Unë nuk jam këtu për t'u bërë pre e nervozizmit të Berishës, por jam këtu duke pritur sëbashku me ju që ata të japin një provë që nuk janë të paaftë për të konkuruar me forcat demokratike, që drejtojnë vendin për shkak të votës maxhoritare të shqiptarëve në kursin e administrimit publik dhe të reformave të afrimit me Europën. Deri më sot janë treguar totalisht të paaftë, prandaj nuk i voton shumica.
A e dini pse janë nervozuar këta elementë?
Shkaqet janë të shumtë, siç e thashë më sipër, por unë do të ndalesha dhe të analizoja sot me ju vetëm njërin: luftën dhe rezultatet që ne po arrijmë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Vetëm për shkak të operacionit "Rrjeta e hekurt", që nga 15 janari 2004 shteti ligjor ka sekuestruar afërsisht 60 prona të vëna me aktivitete kriminale që gjatë kohës së regjimit të Berishës, të cilat kapin vlerën prej 12 milion dollarësh.
Ju e dini se bllokimi i paraindustrisë së gomoneve gjithashtu, i ka shkaktuar bosëve të tyre dhe avokatëve politikë që udhëheq Berisha në Tiranë një fitim të munguar prej më shumë se 100 milionë dollarë.
Ky njeri që amniston krimin kur është në pushtet, Berisha pra, është i shqetësuar dhe prandaj shtyhet të veprime të papërgjegjshme dhe të pashpresa se vetëm gjatë vitit 2003 për shkak të shtatë operacioneve policore ndërkombëtare, në të cilat është përfshirë Shqipëria dhe dhjetra operacioneve kombëtare që ka bërë Policia e Shtetit, ne kemi arritur që të shpartallojmë dhe të çojmë para organeve të drejtësisë:
77 grupe kriminale dhe keqbërësish me 233 anëtarë,
49 grupe të tregëtimit dhe shpërndarjes së drogës me 137 anëtarë,
28 grupe trafikuesish të qenieve njerëzore me 96 anëtarë,
223 trafikues femrash,
34 trafikues fëmijësh,
253 organizatorë të kalimit të paligjshëm të kufirit etj.
Për shkak të këtyre rezultateve, vetëm pak ditë më parë, Qëndra Ndërkombëtare e Monitorimit të Kufijve dhe Luftës Kundër Trafiqeve, SECI (në Bukuresht), e hoqi përfundimisht Shqipërinë nga lista e shteteve që realizojnë tranzitimin e trafiqeve. Ky është suksesi më i madh i arritur në luftën kundër trafiqeve gjatë trembëdhjetë vjetëve të fundit dhe qeveria që unë drejtoj e merr këtë si një stimul shumë të madh për të vazhduar të zbatojë me përkushtim të gjitha programet e luftës kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar, sepse vetëm kështu kufijtë tanë do të jenë të qetë dhe të besueshëm për lëvizje të lira dhe do të përfitojnë të gjithë shtetasit e Shqipërisë nga partneriteti me vendet perëndimore, të cilët deri më dje ruanin shqetësimin se po të hapen kufijtë tanë lëvizin trafikantë dhe krimnelë që fshihen mes njerëzve të lirë.
Pra, shteti ligjor po punon i qetë dhe me profesionalizëm për t'i dorëzuar drejtësisë së pavarur dhe të organizuar të gjitha provat e konsumimit të krimit nga këta elementë, të cilët do të marrin pa hezitim ndëshkimin e merituar sipas ligjit.
Qeveria e ka për detyrë Kushtetuese dhe ligjore të mbrojë jetën dhe sipërmarrjen e shtetasve të saj. Për më tej, po japim të gjitha provat se kemi ekipet dhe mjetet apo instrumentat për të kyer funksionet që na ka ngarkuar Kushtetuta. Për këtë arësye po na mbështesin dhe institucionet e specializuara të vendeve fqinje, që nga Prokuroria Antimafia italiane, deri tek FBI amerikane, për të aktivizuar edhe elementë të legjislacionit antikrim të organizuar dhe anitimafia, që kanë bllokuar krimin e organizuar në vendet e tyre.
Nëse Berisha dhe pasuesit e tij janë mërzitur në opozitë, kjo nuk do të thotë që të destabilizohet vendi, që tregtarët të riveshin lokalet e tyre me qepena të blinduara të kohëve të Berishës.
Nëse Berisha dhe të tijtë janë mërzitur me qëndrimin e gjatë në opozitë, ne nuk mund të lejojmë që njerëzit të detyrohen të lënë punët apo argëtimet për t'u ngulur para ekraneve të televizorëve për të parë fytyra të ekzaltuara nga pagesat e krimit që hedhin gurë mbi njerëzit, mbi sipërmarrjen, mbi magazinat dhe mbi institucionet e shtetit.
Për sa më sipër, si qeveri demokratike, e ligjshme, e hapur dhe e kontrolluar nga qytetarët dhe nga partnerët ndërkombëtarë, ne do të vazhdojmë të bisedojmë me ju, të kuptojmë më mirë problemet dhe hallet tuaja, padrejtësitë që ju bëhen, kush i bën dhe t'u japim zgjidhjen që do të kërkoni ju, problemeve të zhvillimit.
Ne kemi një numër strategjish për zhvillim, rajonale apo sektoriale, të cilat zhvillohen me synimin e vetëm për të reduktuar varfërinë, dhe për të nxitur rritjen ekonomike nëpërmjet nxitjes së punësimit dhe të ekonomisë private. Të gjitha këto po japin rezultate.
Në këtë proces reformash ne do të vazhdojmë dialogun e hapur me qytetarët, me sindikatat, me përfaqësuesit e shtresave në nevojë, me shoqërinë civile dhe nuk e kemi aspak për turp t'u rikthehemi për t'i korrigjuar dhe për t'i rishqyrtuar vendimet tona ne fushën e reformës, qoftë në telefoni, paga, energjitikë e në gjithçka tjetër. Them që nuk e kemi për turp, sepse nuk jemi një qeveri kokëngjeshurish apo abuzuesish.
Për ne dialogu dhje mirëkuptimi me qytetarët është baza e zhvillimit. Nje qeveri demokratike vepron pikërisht kështu. Të dashur vëllezër, kjo nuk është tërheqje nga rruga e reformave. Ne do t'i vazhdojmë dhe do t'i bëjmë sëbashku me ju, Ato do të shpejtohen sepse vetëm kështu i afrohemi BE-së dhe shkurtojmë kohën e integrimit në të. Koston e saj do ta ndajmë drejtësisht me të gjithë, sipërmarrës apo shtresa në nevojë, sepse pa këto reforma as Durrësi, as Shkodra, as zonat e izoluara malore apo ato fushore nuk i afrohen Europës dhe nuk bëhen pjesë e tregjeve dhe e realiteteve globale ku lëvizin lirisht edhe qytetarët perëndimorë edhe investitorët e mëdhenj të Perëndimit.
Në Evropë nuk do të integrohet qeveria e Shqipërisë, ciladoqoftë ajo, por qytetarët dhe fshatarët e këtij vendi. Ne e kemi theksuar vazhdimisht se procesi i integrimit nuk është i lehtë dhe as i shkurtër. Prandaj po marrim vazhdimisht masa që kosto e reformave të rëndojë sa më pak mbi shpatullat dhe xhepat e qytetarëve.
Së shpejti, qeveria do bëjë publike disa prej këtyre masave të reja që jam i sigurtë se do të ndihmojnë akoma më shumë qytetarët dhe fshatarët e këtij vendi të përballojnë jetesën dhe koston e reformave.
Ne në bashkëpunim dhe me institucionet e pushtetit vendor do të vazhdojë ndërtimin e infrastrukturave të mëdha dhe do të bëjmë financime të përbashkëta për të lehtësuar problemet sociale dhe nevojat e njerëzve të varfër.
Kam kënaqësinë t'ju informoj dhe të garantoj që premtimin që dhamë në fushatë dhe që shpalli edhe sot Z.Koka për të ndërtuar autostradën më moderne të Shqipërisë, nga Ura e Dajlanit në Plepa, është i programuar tashmë për t'u financuar dhe për t'u realizuar brenda sezonit turistik të kësaj vere. Kjo rrugë do jetë e pajisur me 3 korsi për çdo kah dhe do të mbështetet paralel edhe me një plan rregullues të plazhit të vjetër të Durrësit.
Gjithashtu do të financohet dhe pjesa veriore e bregdetit të Durrësit që fillon nga Porti e deri në Currila, për ta shndërruar këtë zonë nga qendër e grumbullimit të mbeturinave dhe kioskave demode, në një segment me infrastrukturë rrugore, detare dhe arkitekturore moderne, ku qytetarët e Durrësit dhe turistët do mund të çlodhen me kënaqësi dhe sipas standarteve moderne botërore.
Ajo ç'ka kemi bërë dhe ajo që po nisim të bëjmë, i bindën organizatorët e Miss Globi që sivjet, paradën e vajzave më të bukura të planetit t'a organizojnë në Amfiteatrin e Dyrrahut të lashtë. Ju e meritoni këtë gjë. Unë shpresoj që të gjithë ata që do të mblidhen atje të kuptojnë se vajzat e Durrësit janë më të bukura se ato të gjithë botës .
Gjej rastin të përshëndes dhe t'i jap mbështetje të sigurtë Kryetarit të Bashkisë suaj, Teri Kokën, për realizimin e këtyre projekteve, sepse ai i ka ideuar dhe ka nxitur edhe qeverinë që të identifikojë rezerva dhe financime, projekte dhe iniciativa që po e bëjnë partnere më efikase me qytetin tuaj.
Megjithatë mos harroni, qeveria Kryetarit tuaj i flet me emrin e gjendjes civile, kryetari i opozitës i ka ndryshuar edhe emrin. Atëherë unë po deklaroj: dy pole ka Durrësi, dy pole Shqipëria. Njëri pol është ai i lidhur me Teri Kokën dhe njerëzit e tjerë të ndershëm që punojnë për zhvillim dhe për zgjidhjen e problemeve tuaja, poli tjetër është Zenun Berisha, i cili nuk do të mundet as të shkatërrojë apo të deformojë demokracinë, as të bllokojë iniciativat për zhvillim në dobi të qytetarëve e fermerëve të Durrësit e të gjithë Shqipërisë, as të cënojë zbatimin e programeve të investimeve publike dhe private, as të ndërpresë punën për edukimin më të mirë të fëmijëve në këtë vend, për realizimin e lëvizjes së lirë të shtetasve nga Shqipëria drejt botës moderne.
Pra nuk do të mundet të bllokojë proçesin e integrimit dhe të përparimit të Shqipërisë si një vend i denjë i Europës Perëndimore.
Ju faleminderit!