Sot pasdite Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar në Durrës, një takim të veçantë dhe miqësor me Ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor. Në takimin me Kryeministrin Nano kanë marr
Sot pasdite Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar në Durrës, një takim të veçantë dhe miqësor me Ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor.
Në takimin me Kryeministrin Nano kanë marrë pjesë; Zv.Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm i Serbisë, Dushan Mihajlloviç, Përfaqësuesi special i UNMIK-ut për Sigurinë dhe Drejtësinë z. Nicolas Booth, Ministri i Brendshëm i Maqedonisë Hari Kostov, Ministri I Brendshëm i Malit të Zi, Milan Filipoviç, dhe Ministri i Rendit Publik të Shqipërisë, Luan Rama.
Në këtë takim Kryeministri Nano duke iu drejtuar ministrave shprehu kënaqësinë për konsensusin që kanë arritur në çështje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal për interesa të perbashketa.
"Duket se Ballkani përfundimisht është i ndryshëm, i hapur dhe me angazhime të përbashkëta për reforma europiane, për sigurinë euroatlantike dhe për shkakun e institucionalizimit të bashkëpunimit midis policive, Ministrive të Rendit dhe të menaxhimit të kufijve, që shënon mbylljen përfundimtare të së kaluarës problematike historike në rajon", tha Kryeministri duke shtuar se "Ne jo vetëm nuk kemi më politikanë apo institucione, regjime apo realitete, që shkaktojnë konflikte ndërshtetërore dhe ndëretnike, por tashme kemi politika të përbashkëta standarte të bashkëpunimit rajonal dhe global kundër armiqve të përbashkët si krimi i organizuar, trafiqet dhe lëvizjet e paligjshme që destabilizojnë kufijtë. Ne jemi në mbrojtje të interesave të përbashkëta për t'i bërë kufijtë të hapur, të sigurtë dhe që ofrojnë garanci për lëvizjen e lirë të shtetasve të vendeve tona, pavarësisht nga përkatësia nacionale apo etnike".
Kryeministri Nano i ka uruar sukses ministrave te brendshëm të vendeve të rajonit në këtë fazë të re të bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri shqiptar ka veçuar faktin se tashmë është shumë përgëzuese që Unioni i ri Serbi- Mal i Zi përfaqësohet nga dy partnerë miqësore në të njëjtën tryezë, po kështu edhe me shqiptarët dhe UNMIK-un në Kosovën e re, ku për të njëjtat angazhime duhet të ndërtohet paqja, stabiliteti dhe siguria për bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbëve.
Gjithashtu Kryeministri Fatos Nano në këtë takim e ka konsideruar si të një rëndësie shumë të madhe Samitin e Selanikut duke theksuar se "edhe per shkak të interesave të përbashkëta dhe të angazhimeve për bashkëpunim do ta bëjmë Selanikun dhe vendin ku nis edhe dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit".
Kryeministri Nano është shprehur se detyra e Ministrave të Brendshëm të vendeve të rajonit tonë ka një rëndësi shumë të madhe për të mbrojtur sovranitetin e këtyre vendeve nga individe me qëndrime ekstremistw.
Në fund të këtij takimi Kryeministri shqiptar i ka siguruar Ministrat e Brendshëm të vendeve të rajonit tonë për mbështetjen dhe angazhimin maksimal të Qeverisë Shqiptare në këtë investim të rëndësishëm të ruajtjes së paqes dhe sigurisë.