E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar pjesëmarrës Miq dhe të ftuar, Motra e vëllezër socialistë, Në këtë përvjetor të 12-të të Partise sonë, ne, socialistët shqiptarë ndjehemi të qetë dhe krenarë për r

Të nderuar pjesëmarrës
Miq dhe të ftuar,
Motra e vëllezër socialistë,

Në këtë përvjetor të 12-të të Partise sonë, ne, socialistët shqiptarë ndjehemi të qetë dhe krenarë për rrugën që kemi përshkuar, në një kohë kur edhe e gjithë shoqëria shqiptare është e sigurtë për të ardhmen e saj euroatlantike, e cila tashmë është pjesë e një procesi dhe kalendari politik që bashkon gjithë vendin dhe partitë e tjera politike, shtetin shqiptar, me homologët dhe institucionet e Europës së bashkuar dhe të vendeve të komunitetit atlantik.

Përvjetori ynë i sotem përkon dhe me 6- vjetorin e ushtrimit të mandatit që maxhoranca progresiste e zgjedhësve shqiptarë na e ka besuar ne, socialistëve dhe aleatëve tanë progresistë. Në themel të aktivitetit tonë politik ne vazhdojmë të vendosim instalimin dhe konsolidimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë, barazinë e shanseve, fuqizimin e shtetit të së drejtës, parimet e pjesëmarrjes, gjithëpërfshirjes dhe meritokracisë, duke synuar ta shërojmë tranzicionin tonë nga sëmundjet postdiktatoriale.

Në këta 12 vjet ne arritëm të reformojmë vetveten dhe duke përdorur mandatet qeverisëse të përshpejtojmë edhe reformimin europian të vendit. Në vijim të këtyre arritjeve ne sot kemi një realitet tjetër politik ku, si pozita, si opozita ndjejnë dhe ndajnë institucionalisht përgjegjësitë e përfaqësimit përpara vendit. Ne vijim të këtyre arritjeve ne, socialistët presim të motivuar Kongresin e Internacionales Socialiste, i cili, në vjeshtë të këtij viti, do ta formalizojë anëtarësinë tonë me të drejta të plota në organizatën më të madhe dhe më prestigjoze politike të globit.

Shoqe dhe shokë,
Zonja dhe zotërinj,

Me atributet e Kryetarit të Partisë dhe të Kryeministrit të mandatuar prej saj, më lejoni të shpreh vlerësimin tim për mbështetjen e pakursyer që anëtarësia dhe maxhoranca e zgjedhësve progresistë vazhdon të na japë për të përmbushur realizimin e misionit historik dhe kombëtar të reformimit dhe transformimit euroatlantik të Shqipërisë dhe për ta bërë të prekshëm realitetin e mirëqenies së standarteve perëndimore për publikun e gjere.

Përfitoj nga rasti të shpreh bindjen, në emër të të gjithë socialistëve dhe progresistëve shqiptarë se, sërish do të jemi krah përkrah edhe në përballjet dhe fitoret e ardhshme elektorale me qytetarët e Republikës së Shqipërisë, me aleatët dhe me opozitarët duke synuar që edhe zgjedhjet në këtë vend të jenë një institucion i palëkunduar nga e kaluara apo nga debati në demokraci. Sfida e zgjedhjeve vendore kërkon gjithashtu që, ne socialistët, të vazhdojmë të zgjerojmë hapësirat dhe të thithim kontributet e gjithësecilit që pranon të marrë mbi vete përgjegjësitë e ndërtimit të një Shqipërie stabël, moderne dhe të integruar në BE.

Unë dua të ndaj me ju gezimin që në këta 12 vjet jetë dhe aktivitet ne kemi dëshmuar se nuk jemi vetëm një parti që grumbullon shpresa, por edhe një parti që di t'i shndërrojë ato në realitete te prekshme nga dhe për të gjithë.

Ju falenderoj për pjesëmarrjen duke uruar:

Rroftë PSSH,

Rroftë aleanca jonë e përjetëshme me maxhorancën e progresistëve shqiptarë,

Gëzuar ditëlindjen tonë të përbashkët!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›