Të nderuar pjesëmarrës, Po nisim mbledhjen e parë për 2004, në ndjekje të programit qeverisës, i cili edhe këtë vit do të shpaloset në një numër aksionesh edhe në fushën e urbanisti
Të nderuar pjesëmarrës,
Po nisim mbledhjen e parë për 2004, në ndjekje të programit qeverisës, i cili edhe këtë vit do të shpaloset në një numër aksionesh edhe në fushën e urbanistikës dhe zhvillimi. Do të vazhdojë ndërhyrja jonë për rregullime në fushën e legjislacionit dhe të normativave për disiplinimin e studimeve urbane dhe të sektorit të ndërtimit, krahas kërkesës së vazhdueshme për të përsosur strukturën e instrumenteve ligjore, të forcojmë kontrollin mbi territorin dhe të harmonizojmë në këtë mënyrë dy aspektet që lidhen me zhvillimin urban dhe të territorit. Pra, si planifikimi dhe kontrolli i territorit do të jenë instrumentet kryesorë të punës sonë edhe në të ardhmen.
Është e njohur se puna e KRRTRSH-së ka bërë të mundur që planifikimi i zhvillimit përmes një evolucioni të vazhdueshëm po i afrohet standarteve botërore dhe të nxiten tendencat që, sipas shkallës hierarkike, të dominohet dhe të bëhet i pranueshëm nga vendasit dhe procesi i integrimit global të Shqipërisë, zhvillimi ynë i planifikuar territorial.
Studime të tilla që kemi në rendin e ditës, si ai për Tiranën e madhe apo detyra e projektimit për bregdetin e jugut që i hapin rrugë zhvillimeve ekonomike afatgjata të rivierës sonë të mrekullueshme, janë një provë se po ecim të sigurtë në rrugën e transformimit pozitiv, është ndërruar kahu i mëparshëm përballë tendencave negative që haseshin dhe, sigurisht, ende gëlojnë aty këtu, nga zhvillimi spontan i trashëguar. Kjo metodologji pune dhe disiplinimi kushtëzon realizimin e planeve strategjike rajonale në shkallën makro dhe bën të mundur që t'ia lëmë të kaluarës planifikimet e vockla, studimet pjesore, të shkëputura nga konteksi i gjërë territorial dhe ai i integrimit, sepse ato kishin prodhuar zhvillim spontan dhe kaotik.
Për hir të së vërtetës, duhet të theksojmë se kjo filozofi e planifikimit që kemi përqafuar do të ishte shterpë nëse nuk shoqërohej mirë me kontrollin mbi territorin. Prandaj zbatimi i studimeve që ne miratojmë, në fund të organigramës së studim-projektimit po nxit edhe reformimin e institucioneve që merren me këtë çështje, duke përsosur mekanizmat ligjorë dhe aftësitë e institucioneve për t'iu përgjigjur me zhdërvjelltësi dinamikës së zhvillimit ekonomik të vendit, por jo vetëm atyre, edhe zhvillimeve urbane të territorit. Ne do ta shoqërojmë këtë me reforma të tjera që plotësojnë kapacitetin dhe nxisin zhvillimin, si deçentralizimi i Policisë Ndërtimore nga njëra anë dhe krijimi i një Inspektoriati Shtetëtror të Ndërtimit në anën tjetër. Masa konkrete këto që do të na sjellin edhe në territor më pranë problemeve për zgjidhje dhe zhvillim, duke u dhënë atyre zgjidhje në kohë.
As sot, në mbledhjen e parë të 2004 të KRRTRSH-së nuk do të tolerojmë dhe do të nxisim organizmat e reformuar të kontropllit mbi territorin që të dominojnë, të absorbojnë, të kthejnë mbrapsht shkelje a shmangie ndaj studimeve. Duke mos hezituar të ndëshkohen eventualisht edhe projektues, institucione apo firma ndërtuese, sipas përgjegjësive apo detyrimeve që i kanë ligjit, shtetit, pra dhe shoqërisë. Territori i parë në tërësinë e vet nuk i përket asnjë individi apo sipërmarrjeje, por i përket të gjithë komunitetit. Kjo është filozofia jonë sociale, prandaj e kemi kthyer në politikë qeverisëse.
Ne do të vazhdojmë të çelim dhe të garantojmë perspektiva për invesitorë të njohur, konkurues dhe që respektojnë ligjin, duke krijuar dhe partneritet të qëndrueshëm me aktorët globalë që po hyjnë në territorin tonë, sepse konkurenca leale midis sektorëve të zhvillimit vendas apo të huaj është një nga stimuluesit e proceseve tona të integrimit modern. Do të vazhdojmë ta kombinojmë këtë politikë me masat dhe hapat që po hidhen për të krijuar një treg funksional të tokës me miratimin dhe zbatimin e segmentit të fundit të këtij tregu, që është ligji i kthimit dhe kompensimit të pronave ish pronarëve, do të vazhdojmë të ftojmë dhe të ndërtojmë partneritet ligjor me kompani të njohura që aplikojnë për të operuar në tregun tonë turistik dhe do ta orientojmë potencialin e tyre zhvillues pikërisht në ato zona ku edhe çështja e marrëdhënieve pronësore, e tregut të tokës apo imobiliarit është e zgjidhur dhe pronarët nuk paraqesin konflikte. Kjo do të evitojë konfliktualitetin e trashëguar midis subjekteve vendase apo ato të huaj, konfliktet e privatëve me publikun, duke i vënë në gjithë në kushte ndërveprimi dhe përfitimi të ndësjelltë në dobi të vendit.
Fakti që investitorët strategjikë në nivel rajonal e më gjërë kanë shprehur interes të drejpërdrejtë për resurset tona turistike, siç është rasti i operatorit të njohur gjigandit "CLAB-MED" tregon se procesi i sistemit të marrëdhënieve të pronësisë, i qetësimit të tregut të tokës, i kontrollit të territorit dhe i zhvillimit mbi bazën e planifikimit modern urban dhe turistik nuk mund të ndalet më, nuk mund të jetë i fragmentarizuar më në kohë e sipërfaqe dhe ne do ta mbështesim që të zhvillohet më tej si i tillë. Në këtë kuadër mbetet detyrë e të gjitha niveleve të administratës shtetërore, lokale apo qendrore, të respektohen në gjitha hallkat e këtij zinxhiri, po citoj nevojën e ripërcaktimit të vijave të verdha të komunave dhe qyteteve, apo të kufijve të zonave motore të zhvillimit, siç janë ato turistike, monumentale, mjedisore, por edhe industriale e bujqësore, si produkte standarte të këtij planifikimi urban, i cili duke vazhduar të implementohet përbën dhe sfidën qeverisëse që duhet të fitojmë në këtë fazë të rëndësishme që ka hyrë vendi.
Ju falenderoj për vëmendjen!