Të ndjekim provën
Të ndjekim provën, të gjurmojmë gabimin… Pyetja e parë që të lind nga ky këndvështrim mund të jetë: se duhet ta ndjekim provën e ç´lidhje ka me gabimin? Dhe më tej, pse duhet t´i kërkojmë në mënyrë të ndërgjegjëhme gabimet, e pse na duket sikur kemi gjithmon të drejtë? Pse s’mund të ketë lëvizje politike pa mangësi e pasoja të padëshirueshme? Pse duhet të vijë prova para gabimeve? Pse……
Dhe këto pyetje mund të shtrohen në të gjitha fushat e veprimtarisë, por në këto radhë do të bëj përpjekje të kufizohem në disa nga veprimtaritë e pozitës e të opozitës, e kryesisht në lidhjet e tyre me qytetarin.
Jetojmë në një botë plot rreziqe me një krizë të thellë financiare, energjitike, ushqimore….;e barsur në hapësira të veçanta të saj me konflikte që hera –herës janë shpërthyese e të dhunshme; me vende që ngjiten në spiraloiden progresive, por që edhe zbresin andej; në një botë që miliona vdesin të droguar, të alkolizuar e miliona që u merret jeta nga fatkeqësitë e natyrës; por dhe miliona që dalin nga varfëria…. Pjesë e pandarë e saj jemi edhe ne, që përballemi edhe me pozitiven edhe me negativen. Me pozitiven në politikë, p.sh., se priremi nga Perëndimi e nga vëndet me demokraci të pjekur e liberale. Po a kemi një klasë politike, një opozitë dhe pozitë funksionale me fytyrë Perëndimore?
Shteti ynë që i përket 10-vjeçarit të parë të shekullit që lamë pas me një pozitë dhe opozitë që mori formë në vitet ’20-’24, është i ri në raport me vendet e tjera të rajonit. Pa e tepruar, por Parlamenti i atyre viteve që mori fytyrë evropiane, e përqendroi vëmendjen e veprimtarinë në ndërtimin e një sheti ligjor e modern. Trajtimi e debatimi i problemeve të tilla siç janë ato të pavarësisë relative mes pushteteve e institucioneve, të rotacionit të pushteteve permes votës së lirë, të barazisë gjinore, të marrdhënieve ekonomike me jashtë, të raporteve import-eksport duke i dhënë përparësi këtij të dytit…janë prova më e qartë e fillimit të jetës demokratike në Shqipëri. Po të qëmtosh me kujdes shtypin e kohës do të ndeshesh edhe me kritikën që i bëhet Musolinit nga opozita jonë për rrudhjen e hapësirave demokratike në Itali e për rreziqet që i kanoseshin vendit tonë.
Lirinë, opzitarët të atyre viteve të diplomuar në universitetet Perëndimore e të ndriçuar nga iluminizmi francez, e quanin gjë të shenjtë “Liria është mjet, është një derë nga e cila hyjmë në një fushë të gjerë të përparimit e të qytetërimit”(Hylli i Dritës 1923 fq.259). Dhe lirinë opozita noliane e shihte edhe te pjesëmarrja e gruas në aktivitetet politike, në drejtimin e institucioneve shtetërore, e drejtë që u pasqyrua deri në njëfarë shkalle edhe në Kodin Zgjedhor; tek e drejta e barabartë para ligjit, te liria e tregut, punës, pasurisë, pronës, shkollimit….Ajo të drejtën e votës e quante themelore, ndaj i kërkonte pozitës të qëndronte larg kutive të votimit, që Qeveria të ishte neutrale dhe e pavarur nga politika.v Pa u zgjatur, por në këto vite Parlamenti bënte një jetë të gjallë e të larmishme politike. Ndaj bëjnë mirë mendoj studiusit që merren me studimin për mbretërinë e Mbretin, por do të ishte me vlerë edhe pasqyrimi i jetës demokratike n137 parlamentin e viteve ´20-´24. Kjo se jeta e opozitës dhe pozitës, alternalivat dhe kontradiktat mes tyre kanë rendësi jo vetëm për njohjen e historisë së jetës demokratike tek ne, por edhe për veprimtarinë parlamentare të ditëve tona.Kjo veprimtari,veç të tjerash, duhet studiuar se politika dhe morali nuk kanë qenë të ndara, opozitari dhe pozitari kanë qenë para së gjithash qytetarë në tërë kuptimin e fjalës. Deputetët tanë mendoj se duhet të mësojnë më shumë nga idealizmi i parlamentarëve të atyre viteve që mbi të gjitha shihnin interesat e Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj, e jo “fryrjen” e xhepave të tyre. Në tërësi politika e atyre viteve e kishe kthyer më drejtë fytyrën nga qytetari, gjë që duhet të mësojë politika jonë sot. Le të ndjekim provat e të gjurmojmë gabimet e asjaj periudhe jo thjesht si teori, por edhe për të mësuar prej tyre.
Funksionimi i demokracisë varet nga shumë faktorë, por themelore janë marrëdhëniet e klasës politike të pozitës e opozitës me qytetarin. Mjeti dhe qëllimi në këtë rast nuk janë çështje thjesht teorie, por para së gjithash probleme të praktikës e të jetës demokratike.Në monizëm qytetari ishte mjet për të arritur qëllimet e saj klasa politike, ndërsa në demokraci ndodh e kundërta.Në përmbysjen e plotë të këtij raporti, në çrrënjosjen e shfaqjeve të konfliktualitetit e dhunës mes forcave politike, pozitës e opozitës synon politika e re që ushqehet e inspirohet nga pragmatizmi, filozofi kjo që e bëri Amerikën-Amerikë. Kjo se qytetari shqiptar ka ndryshuar dhe si i tillë ka kërkesa të tjera ndaj poltikës. Atij i është neveritur dhuna, konfliktualiteti, grindja, dasia…. Ndaj kërkon nga klasa politike të vërë më mirë se deri tani në lëvizje aparatin konceptual, arsyetimin e gjykimin, ndjenjat pozitive, marrëdhënie të ngrohta e të jetë më afër tij. Ai nuk del më në rrugë, siç mendon ndonjë partizë, të çirret e të bërtasë për t’i hequr karrigen Berishës se berishë të tjerë do të ulen në të, por ta largojnë atë me mjete e me rrugë demokratike. Si rrjedhojë zgjidhja e kontradiktave dhe e problemeve do të bëhet më mirë e qytetarit do t´i hapen rrugët për t’u bërë më i ditur e më i kamur.Vepron në interes të qytetarit ajo forcë politike që alternativën e ndërton bashkë me të dhe e bën realitet, siç vepron PS-ja e lideri i saj në bashkëbisedim me qytetarët.
Shqiptari ka nevojë sot të bëjë koncept të tij se në vendin ku ka lindur mund të jetohet e të punohet ashtu si në vendet e qytetëruara; t´i sigurohet jeta e të mos i pritet në mes, të formohet koncepti që jeta është gjëja më e shtrenjtë; të vihen më mirë në lëvizje resurset në interes të tij e jo t’ia grabisin një grusht njerzish, madje t’i marrë dhe jetën siç ndodhi në Gërdec; fermerit të mos i mbetet toka djerrë, dhe prodhimet bujqësore e blektorale të “mësojnë” udhën e tregut, të ruajnë më mirë tokën, pyllin e burimet ujore, të mjekohet e të mos i mungojnë medikamentet bazë, të diplomohet pa e “blerë” diplomën….Ai ska nevojë për “politikë të madhe”, për zhurmë e premtime marramëndëse. Ndaj ai e duartroket dhe e aprovon çdo ndryshim e reformë që bëhet në interes të tij. Një hap praktik vlen më shumë se dhjetëra programe. Në këtë vështrim mendoj se praktika merr vlerë kur vë në qendër të programit e të alternativave qytetarin me interesat te tij. Kjo është prova që duhet të qëmtojmë e në këtë vështrim të vigjëlojmë për të gjykuar gabimet e fajet tona që pengojnë ecjen përpara.