E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur mediat janë rrënjë të racizmit

STUDIMI NË GREQI

Një studim më i fundit në mediat greke tregoi se televizionet dhe gazetat greke kontribuojnë në ruajtjen e frymës raciste kundër mijëra emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi. Kërkimi shkencor i realizuar nga një kërkues i Universitetit të Athinës është bërë publik gjatë ditës së sotme.

Studimi u botua nga e përditshmja “Kathimerini”, e cila thekson se mbulimi mediatik i ngjarjeve përsa u përket shqiptarëve, qoftë në fushën politike apo ngjarje të kronikës, nxjerr shpesh në pah anën negative të këtij komuniteti në Greqi.

Analiza e 60 emisioneve të lajmeve në radio apo televizion të transmetuara nga katër kanalet më të mëdha“NET”, “Mega”, “Antenna” dhe “Star” nga muaji mars i vitit 2007 dhe deri në mars të vitit 2008 ka treguar se 12 për qind e mbulimit për shqiptarët ka përmbajtje negative dhe vetëm 2,5 për qind pozitive.

Vitin e kaluar Greqia u përfshi në një skandal pas publikimit të një video të filmuar me celular ku ushtarët grekë stërviteshin nga komandanti i tyre teksa këndonin këngë raciste antishqiptare. Një skandal i tillë u zbulua në mars të një viti më parë nga gazeta greke “Ta Nea” në Athinë dhe “Shekulli” në Tiranë.

Sipas publikimeve të kësaj gazete videoja ishte realizuar me celular dhe dalloheshin qartë ushtarët grekë duke bërë stërvitje. Nën kujdesin edhe të oficerëve, ushtarët këndonin këngë me përmbajtje të theksuar antishqiptare dhe antiturke.

Në njërën prej tyre, thuhej: “I shikoni ata, i quajnë shqiptarë, litarë do të bëjmë me zorrët e tyre. I shikoni ata, quhen turq, opinga do bëjmë me lëkurën e tyre...”. Nën këtë ritëm ushtarët këndonin këngë të tjera në vazhdim me përmbajtje të përafërt për shqiptarë turq dhe maqedonas. U intervistuan shumë ushtarakë. Një ish-oficer, Nikos Toskas, gjatë intervistës thotë se këngë të tilla përdoren rëndom, për të ngritur moralin e ushtarëve.

Një fakt i tillë u kritikua nga Ministria greke e Mbrojtjes, ndërsa në Shqipëri u ngjall një valë e gjatë protestash.

Ndërkohë së fundmi, disa policë u çuan për ndjekje penale pasi po dërgonin për në gjykatë me një makinë ku transportohen bagëtitë disa emigrantë klandestinë. Kjo shkaktoi një skandal në opinioni publik, ndërsa temperaturat jashtë shënonin rreth 40 gradë.

Shumë Organizata Jo Qeveritare dhe shoqata emigrantësh shqiptarë në Greqi kanë denoncuar disa herë radhazi ksenofobinë e grekëve dhe armiqësinë kundër shqiptarëve, që përbëjnë dy të tretat e popullatës emigrante në Greqi.

*Kathimerini (shqip: E përditshme) është një nga gazetat më të vjetra në Greqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›