E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-morfoza

Demokracia në Shqipëri është fituar nga një grup studentësh që refuzuan të durojnë më gjatë atë për të cilën shumica ishte dorëzuar me kohë. Sot po ajo demokraci po humbet pak nga pak nëpërmjet papërgjegjshmërisë absurde qeveritare me minatorët, bujqit, Gërdecin, të persekutuarit e të përndjekurit, pensionistët, ish-ushtarakët, pronarët, mospërfillje për sigurinë e vlerën e jetës. Keqpërdorimi i fondeve publike dhe besimit qytetar që i dha kësaj qeverie mandatin për t’u dhënë fund korrupsionit, nepotizmit e papërgjegjshmërisë, është dramatik. Për arsyet e këtij bllokimi të shtetit duket se të gjithë ata që nuk kanë humbur nëpër xhepat e pushtetit bien dakord. Të gjitha fijet e pushtetit janë të lidhura në një pikë, në një kryeministër i cili ka krijuar rreth vetes një nyjë më të fortë se aftësia teorike e shtetit për të vepruar në të mirë të qytetarëve.

Në këtë situatë, duhet të ishte opozita ajo që duhej të bashkohej dhe me forcën e qindra arsyeve ta zgjidhte këtë nyje si dikur Aleksandri i Madh zgjidhi nyjën Gordiane. Por opozita nuk duket e bashkuar për të përballuar këtë të keqe më të madhe të pranuar nga të gjithë, këtë individ që përfaqëson mediokritetin, abuzimin, standardet e dyfishta dhe paaftësinë qeverisëse, këtë zhgënjim të madh të qytetarisë shqiptare, të fundmin lider (ish)komunist në Europë. Opozita duhet të dijë të përfaqësojë ato grupe të mëdha interesi shqiptarësh që qeveria i ka braktisur. Siç u pa në protestën e së premtes, këta janë shumë.

Po flasim për atë protestë që nxori shumë prej nesh në shesh për sigurinë e munguar të jetës dhe zhvlerësimin e saj në Shqipëri. Po flasim për atë protestë ku mijëra qytetarëve iu desh veç të tjerash të përballonin edhe korin e disave që nisën të thërrisnin “Iliri, Iliri!”.

Ajo që zhgënjen më tepër është që ende sot, dhjetë ditë më pas, nuk ka asnjë reflektim nga ana e LSI dhe drejtuesit e saj për këtë ngjarje, por përkundrazi “Iliri” i ka shtuar sulmet ndaj ish-aleatëve të tij, edhe pasi u pa qartë se shqiptarët duan opozitë të bashkuar kundër atij që e gjykojnë për zhvlerësim të jetës.

Në politikën shqiptare, çdo politikan rreket të provojë se ai personalisht është më i mirë nga të tjerët. Ndoshta kjo praktikë mund të duket normale. Në kontekstin kohor, me një krizë kaq të thellë të përfaqësimit të problemeve të vendit nga qeveria, ky është një gabim fatal.

Nëse zgjedhjet e 2005 provuan diçka, ajo është se shqiptarët mbi të gjitha kanë nisur të kuptojnë. Çdo shqiptar mund ta kuptojë sot se një forcë që thërret për protestë masive kundër dikujt nuk mund të jetë në kahun e atij kundër të cilit proteston, sikundër kuptojnë se një forcë që bërtet emrin e liderit të saj nuk është aty për të përfaqësuar ata, por vetë liderin në fjalë.

Zoti Meta ka pranuar disa herë publikisht se duhet rrëzuar Berisha. Megjithatë, po të shikojmë me kujdes kohën që ai kalon në parlament, aty ku mund të luftohet ballazi Berisha dhe të tijtë, përkundër kohës që zoti Meta kalon në media duke akuzuar e sulmuar ish-aleatin e tij, peshorja anon në mënyrë dërrmuese nga kjo e dyta. Për më tepër, ndërsa gjysma e parë e karrierës politike të zotit Meta ka kaluar si një figurë tepër aktive e Partisë Socialiste, duket se gjysma e dytë e kësaj karriere karakterizohet nga betejë pas beteje kundër forcës që e lançoi në politikë.

Disa vjet më parë të gjithë qemë dëshmitarë të shndërrimit të sloganeve “një votë, një pallat”, në një aleancë elektorale që i siguroi LSI-së fitoren e disa bashkive e ofiqeve të tjera publike.Po ashtu pamë se pas ftohjes së kësaj aleance LSI u hapi krahët e dyert shumë “miqve të rinj” që ishin “armiq të vjetër” të kohës së Nanos.A do të ndalojë ndonjëherë kjo Meta-morfozë e vazhdueshme e LSI që i kthen të gjithë në të kundërtën e diçkaje që ishin vetëm pak muaj më parë?Apo do të vazhdojë derisa edhe “armiku suprem” Berisha të bëhet mik?Kjo po që do të tregonte se është ende “koha për ndryshim”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›