Të ndryshojë Kodi Zgjedhor
Republikanët kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ka shfrytëzuar mbledhjen e Asamblesë Rajonale të Qarkut në Vlorë për të bërë një analizë të detajuar të zgjedhjeve të kaluara dhe për të përqendruar vëmendjen në zgjedhjet e ardhshme lokale. “Ky kod duhet të pësojë ndryshime për një përfaqësim më të drejtë të interesave të elektoratit. Ne jemi dakord me qëndrimin e PD-së se PS-ja duhet të ketë fjalën e saj për sa i takon Kodit Elektoral, por është tejet e rëndësishme që ky Kod Elektoral të jetë në përputhje me standardet që të japë një Parlament sa më të qëndrueshëm”, tha Mediu. Duke synuar fitoren në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe vazhdimin e reformave, Mediu u shpreh në mbledhjen e Asamblesë në Vlorë se “duhet të reflektojmë në çdo hap të hedhur, sepse çfarë kemi arritur nuk ka qenë dhuratë dhe nuk do të jetë dhuratë, por fryt i punës e këmbënguljes dhe fryt i reformave”. Asambleja u përqendrua në zgjedhjet lokale të vitit 2011 dhe për përzgjedhjen e kandidatëve që do të përfaqësojnë Partinë Republikane në këto zgjedhje.
#