E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të papunët, 2500 vende brenda vitit

Autori i Lajmit: red.
Deri në 2500 punëkërkues do të sigurojnë një pagë deri në fund të këtij viti. Kjo do të bëhet e mundur në sajë të programeve të Nxitjes së Punësimit. Firmat private, por edhe institucionet shtetërore, kanë rritur interesin për t u bërë pjesë aktive e programeve të Nxitjes së Punësimit, duke kontribuar në punësimin e njerëzve që u drejtohen 12 Zyrave Rajonale të Punësimit në vend. “Gjatë këtij viti, në këto programe janë përfshirë 158 firma private dhe institucione shtetërore, të cilat kanë punësuar 2.183 vetë”, - tha drejtoresha e Politikave në Shërbimin Kombëtar të Punësimit, (SHKP), Mirela Marto. Sipas saj, deri në fund të vitit, numri i të punësuarëve do të arrijë në 2.500. Për rritjen e shansit për punëkërkuesit, SHKP po zbaton këtë vit 4 programe për nxitjen e punësimit, që kapin vlerën e 200 milionë lekëve, financuar nga buxheti i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Përmes marrëveshjeve që SHKP ka lidhur me firmat private dhe institucione të ndryshme shtetërore, janë punësuar kryesisht, gra, vajza të papuna, studentë dhe të padiplomuar, kategori këto që përbëjnë dhe fokusin e politikave të punësimit. Vetë programet e nxitjes së punësimit shkojnë paralelisht me strategjinë e punësimit dhe formimit profesional, kundër papunësisë dhe për balancimin e nivelit social, tha Marto. Sipas saj, nga analiza e tregut të punës në Shqipëri, rezulton se përqindjen më të lartë në listën e punëkërkuesve të regjistruar në zyrat e punës, e zënë persona me kualifikim të ulët, ose dhe pa të, çka e bën të vështirë integrimin në tregun e punës. Ndaj dhe kualifikimi i të papunëve përbën një nga drejtimet kryesore në projektet e Ministrisë së Punës dhe Zyrave Rajonale të Punës. Në fushën e punësimit dhe formimit profesional janë vënë në efiçencë kurset e formimit profesional për instalime elektrike, hidraulike, në fushën e ndërtimit, punim druri, elektromekanike, etj, në Tiranë, Vlorë, Durrës, Fier, Elbasan, Korçë. Por këtë vit, katër programe punësimi janë duke u zbatuar dhe në Berat, Devoll, Laç, Lezhë, Shkodër, Pogradec, Mat dhe Mirditë. Këto programe janë "Praktikat Profesionale për të rinjtë që kanë mbaruar arsimin e lartë", "Programi i nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë", "Programi i nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit në punë" dhe "Programi i nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë femra". Aktualisht, në shkallë vendi, sipas Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barbarta, numri zyrtar i papunësisë është 140.011 mijë ose 13.1%.

Ky lajm është publikuar: 11/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›