E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers kërcënon: SHBA do jetë serioze ndaj veprimeve të qeverisë

Nga Armand Maho

Ambasadori amerikan në vendin tonë, John L. Withers, vijoi dje sërish kritikat ndaj qeverisë, kësaj radhe në prani të kryeministrit, Sali Berisha. Në ditën kur qeveria do të nënshkruante Programin e Pragut për Shqipërinë me Korporatën Sfida e Mijëvjeçarit, Faza II, që parashikon fonde nga qeveria amerikane për forcimin e demokracisë në vend, Withers u tregua i ashpër me mënyrën se si kanë reaguar eksponentë të së djathtës ndaj qëndrimit të tij. Ai tha se ky është një qëndrim i qeverisë amerikane. Withers u shpreh se amerikanët e dinë si funksionon demokracia dhe shqetësimet e tyre janë reale.

“Shpesh më pyesin: Cili është interesi i SHBA në Shqipëri? Pse luftoni të sillni jo vetëm një program të fazës së parë të KSM, por edhe një program të dytë të KSM këtu? Përtej arsyeve dhe më me peshë se arsyet e përvijuara sot këtu, përgjigjja është shumë e thjeshtë; përgjigjja është: demokracia. Pa demokracinë, asnjë prej synimeve tona të përbashkëta, as ato që kemi përvijuar sot, as synimet më të gjera të një tregu të lirë, apo të stabilitetit rajonal, apo të të drejtave të njeriut, nuk do të ishin të mundura.

Demokracia, jo me fjalë, por me vepra, është themeli thelbësor i asaj që duam të arrijmë këtu. Për amerikanët, demokracia është diçka shumë serioze. Nuk është një parullë, nuk është një klishe, nuk është as një moto. Nuk është diçka sipas ngesë. Nuk është me kohë të pjesshme. Nuk është diçka që mund të lëvdohet sipas tekave të zyrtarëve, kur është e volitshme për ta që ta bëjnë këtë”, - tha Withers.

“E sotmja është një ditë pritshmërish, pritshmërish më të larta se ato që kemi njohur ndonjëherë. Nesër, ato pritshmëri do të jenë edhe më të larta.

Kur qeveria amerikane, udhëhequr nga Shtëpia e Bardhë, e ftoi Shqipërinë të bëhej anëtare e NATO-s në prill, pritshmëria e saj ishte që Shqipëria do të përmbushte standardet më të larta të demokracisë. Kur muajin e kaluar, Senati i SHBA ratifikoi protokollet e NATO-s për Shqipërinë, pritshmëria e tij ishte që Shqipëria do të kishte një përkushtim të pandryshueshëm dhe të pakthyeshëm ndaj demokracisë.

Amerikanët janë shumë seriozë për demokracinë. Prandaj edhe kam shprehur shqetësime në lidhje me zhvillimet e fundit këtu në Shqipëri. Disa herë më kanë thënë, deri edhe dje në mbrëmje, që shqetësimet e mia bazohen mbi keqkuptime të asaj çka ndodh këtu.

Do të doja t'u bëj të qartë atyre personave që ne amerikanët e dimë se si funksionon një sistem demokratik. Shqetësimet e mia dhe shqetësimet e qeverisë sime nuk bazohen mbi keqkuptime. Ato bazohen mbi realitete. Veprimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme fundjavën e kaluar janë shqetësuese, sepse janë reale.

Ligji për administratën gjyqësore që ndërhyn në autoritetet dhe të drejtat e gjykatës, dhe që aktualisht ndodhet para parlamentit, është shqetësues, sepse është real.

Lëvizjet në parlament, edhe sot, për një hetim mbi funksionimin e Prokurores së Përgjithshme për kurrfarë arsyeje legjitime janë shqetësuese, sepse janë reale. Këto janë ngjarje që qeveria ime dhe unë do t'i ndjekim nga afër dhe do të jemi seriozë në lidhje me to”, - vijoi Withers.

Mazhoranca, shigjeta në drejtim të Withers

Disa nga përfaqësuesit e rëndësishëm të mazhorancës së djathtë i janë përgjigjur deklaratave të ambasadorit amerikan. Një prej tyre, pikërisht nënkryetari i PD, Astrit Patozi, tha se ai mund të jetë keqkuptuar dhe s’ka informacionet e duhura në këtë drejtim, kurse kryetari i grupit parlamentar të PR, Arian Madhi, ka shkuar më tej, kur në deklaratat e tij është përpjekur që ta ndajë qëndrimin e Withers si personal dhe jo si qëndrim të qeverisë amerikane. Madhi, i cili bën pjesë në një parti që ka për kryetar një të akuzuar të rëndësishëm për korrupsion dhe shpërdorim pushteti, ka tentuar që t’i quajë dhe përpjekje për ndërhyrje në punë të brendshme deklaratat e Withers

Berisha: Do zhdukim korrupsionin në drejtësi me reforma

Kryeministri, Sali Berisha, iu përgjigj zërave të fundit ndërkombëtarë se reforma në drejtësi po bëhet për të përforcuar kontrollin e ekzekutivit mbi gjyqësorin, duke deklaruar se reformat në drejtësi do të vazhdojnë. Sërish Berisha ka kërcënuar prokurorët dhe gjyqtarët se do përballen dhe ata me drejtësinë, ndërsa ka theksuar se gjithkush duhet të shohë kopshtin e vet, duke hedhur kështu në mënyrë të tërthortë një mesazh dhe në drejtim të ndërkombëtarëve. “Dua të garantoj se qeveria ka një përkushtim të plotë dhe absolut për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera në tërësi. Është pikëpamje e palëkundur e imja dhe e qeverisë time se rrënues kryesor i pavarësisë së tyre është korrupsioni dhe se lufta kundër korrupsionit në këtë institucione është kusht vendimtar që ato të gëzojnë pavarësinë kushtetuese ligjore që meritojnë dhe të përmbushin me dinjitet një mision të pazëvendësueshëm, shtyllë kryesore në një sistem demokratik.

Por, askush nuk mund të pretendojë se ka bërë detyrën duke mos parë në kopshtin e tij.

Ky apel ka një progres të pamohueshëm dhe një progres që ka bërë të mundur sukseset e deritanishme të luftës kundër korrupsionit. Drejtësia shqiptare ka hapur një kapitull të ri dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm duke kaluar nga mosdënimi në dënim. Kjo ka rëndësi kryesore për moralin e një shoqërie dhe ka rëndësi kryesore për suksesin e një lufte të tillë.

Natyrisht, janë gjithë ata gjykatës apo prokurorë në 10 apo 12 vite që nuk janë përballur me ligjin, pavarësisht veprës që kanë kryer. Kjo çështje mbetet për t’u zgjidhur dhe do të zgjidhet nëpërmjet reformave”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›