E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pavarurit ; Pak mundësi për të hyrë në zgjedhje

LSI-ja konteston Kodin e ri për pengesat që u vihen kandidatëve të pavarur. Spartak Braho vëren se ky nuk është kufizimi i vetëm që është bërë në Kodin e ri Zgjedhor. Ai tha se kufizohet dhe ngushtohet mundësia e regjistrimit në procesin zgjedhor të partive politike joparlamentare

Dy partitë e mëdha i kanë dhënë fund problemit të rivalizimit apo ndarjes së votave nga kandidatët e pavarur. Në Kodin e ri Zgjedhor parashikohet rritja e numrit të deklaratave të zgjedhësve që kërkojnë kandidimin e çdo kandidati të pavarur. Nga 340 firma zgjedhësish, kodi i ri e dhjetëfishon këtë shifër duke e çuar në 3400 firma qytetarësh. Çështja ndërlikohet në pikën ku parashikohet që deklarata e çdo qytetari noterizohet e cila ka koston e vet. Si i tillë, shtimi i numrit të deklaratave të zgjedhësve do të ketë një kosto financiare shumë herë më të madhe, për këdo që mendon se mund të dalë në zgjedhje si kandidat i pavarur. Shto kësaj edhe faktin që nëse KQZ-ja vëren qoftë edhe një deklaratë të pavlefshme, atëherë kërkesa për t’u regjistruar në garë rrëzohet. Çështja e kandidatëve të pavarur është bërë një problem më vete për partitë politike e sidomos atyre të mëdha. Zgjedhjet e 2007-ës ishin një shembull i mirë që tregoi se në ato zona ku pati rivalë të regjistruar si kandidatë të pavarur, pati përçarje votash dhe si rezultat edhe humbje. Nisur nga kjo, është menduar vështirësimi i garës për ata që kërkojnë të dalin kandidatë të pavarur. Një çështje e tillë përbën problem sidomos për të majtën dhe ajo që mund ta vuajë më shumë është Partia Socialiste. Synimi i kreut socialist për të vënë në listat e kandidatëve ekipin e preferuar të tij, duke lënë jashtë deputetët aktualë apo figura të tjera të kësaj partie do të sillte zemërimin dhe reagimin e tyre. Dalja si kandidat i pavarur do të jetë një ndër mënyrat e reagimit ndaj përjashtimit nga lista. Ndërsa në 2007-ën PS-ja humbi disa bashki e komuna të rëndësishme pikërisht sepse u rivaluzua nga kandidatë të pavarur që dolën prej PS-së pasi nuk u bënë dot kandidatë zyrtarë të saj.

Anëtari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Spartak Braho, vëren se ky nuk është kufizimi i vetëm që është bërë në Kodin e ri Zgjedhor.

Ai tha se kufizohet dhe ngushtohet mundësia e regjistrimit në procesin zgjedhor të partive politike joparlamentare, pasi për t’u regjistruar një parti joparlamentare i duhet paraqitja dhe mbështetja bashkë me listën e kandidatëve të saj edhe lista e 10 mijë zgjedhësve në rang vendi zgjedhësish të KQZ-së. Njëkohësisht, një tjetër kufizim dhe ngushtim është mundësia e regjistrimit në procesin zgjedhor e partive politike që dalin në koalicion, pasi për t’u regjistruar ky koalicion i duhet paraqitja dhe mbështetja nga jo më pak se 15 mijë zgjedhës në rang vendi në KQZ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›