E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përmbyturit, shpërndarja e dëmshpërblimit nis sot

20/04/2010 SHKODER- Shpërndarja e parave për të përmbyturit të Shkodrës do të bëhet sot nga ora 13:00 deri në orën 18:00. Ky konfirmim vjen nga Posta Shqiptare, e cila lajmëron se pagesat për të prekurit nga përmbytjet do të bëhet pranë sporteleve të saj.

Pagesat

“Orari i pagesave në zyrat postare do të jetë ora 13.00 – 18.00 për ditën e parë, për datën 20.04.2010 dhe ora 8.00 – 18.00 për ditët në vazhdim”, thuhet në deklaratën e Postës Shqiptare. Grafikët e pagesave do të jenë gjithashtu të afishuara në çdo zyre postare pranë njësive të qeverisjes vendore, të cilat do të jenë në dispozicion të banorëve. Shtetasit përfitues duhet të paraqiten në zyrat postare të njësive të qeverisjes vendore me një dokument identifikimi, i cili mund të jetë; kartë identiteti, pasaportë biometrike ose pasaportë e vlefshme si dhe do të firmos në listëpagesë sipas formatit të përcaktuar në të; emër, mbiemër, firmë. Punonjësi i zyrës postare do të bëjë verifikimin e personit me listat e dërguara nga njësia e qeverisjes vendore dhe më pas do të paguajë vlerën përkatëse duke e pajisur përfituesin me mandat arkëtimi. Dega e Shërbimeve të Filialit si dhe grupet e punës ngritur për monitorimin e këtij procesi do të dërgojnë informacion ditor pranë Qendrës së Monitorimit dhe Drejtorisë së Shërbimeve Financiare në Drejtorinë e përgjithshme të Postës mbi numrin e pagesave ditore të kryera dhe fondin përkatës të paguar dhe çdo zhvillimi rreth procesit të shpërndarjes së fondit për banorët përfitues. Posta Shqiptare doli dje në këtë njoftim pas amullisë që u shkaktuar dje në Shkodër, pasi kryetari i qarkut Gjovalin Kolombi pati thënë se shpërndarja do të niste të hënën më 19 prill. Shumë familje të dëmtuara u janë drejtuar dje filialeve të postës ku dhe kanë mbetur të zhgënjyer. Nga ana tjetër sekretari i Këshillit të Qarkut, Besnik Kastrati, në një deklaratë për shtyp ka theksuar se ka pasur një keqkuptim në lidhje me deklaratën e bërë pak ditë më parë nga kreu i qarkut Kolombi. “Për sa i përket fondit, tashmë ai ka kaluar nga Këshilli i Ministrave dhe i KESH-it, drejt Postës Shqiptare, e cila është duke përgatitur dhe anën teknike të shpërndarjes në 13 filiale, pranë 13 njësive vendore që janë prekur nga përmbytjet, për t’i ardhur në ndihmë dhe qytetarëve që t’ua çojnë direk në komunën ku jetojnë vlerën e dëmeve që u është akorduar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›