E Diel, 1 Nëntor 2026

Të përndjekurit: Persekutorët të tërhiqen

Ish-të përpjekurit politikë kërkojnë që ish-persekutorët e tyre që punojnë dhe mbajnë poste publike, të tërhiqen. Në një konferencë për shtyp, drejtuesit e 6 shoqatave të ish-të përndjekurve politikë, Adem Allçi, Lili Ndoci, Kurt Kola, Tanush Kaso, Agim Musta, Lulzim Brahja u kërkuan ish-drejtuesve të drejtësisë komuniste që vijojnë të mbajnë poste në sistemin aktual të drejtësisë, të japin dorëheqjen, ndryshe ata nuk do të ndalen. Ish-të përpjekurit paralajmëruan një valë protestash, e para do të mbahet ditën e martë në mesditë para Gjykatës Kushtetuese, e cila pak ditë më parë rrëzoi ligjin e dosjeve. “Zbulimi i varrit masiv në Malin me Gropa ka risjellë në memorien e të gjithë shoqërisë një plagë të diktaturës, e cila vazhdon të mos jetë shëruar ende përderisa persekutorët vazhdojnë të jenë në krye të hierarkisë së pushtetit gjyqësor dhe t’i imponohen të gjithë shoqërisë me vendimmarrjen e tyre. Ne jemi të indinjuar nga ky degradim në të cilin gjendet kupola e sistemit gjyqësor në vend, e cila vazhdon të ketë si pikë referimi të saj Fehmi Abdiun, kriminelin që urdhëroi varjen në litar të poetit Havzi Nela”, - thuhet në deklaratën e shoqatave. Më tej, ata kritikuan qëndrimin e Partisë Socialiste si të turpshëm dhe kërkuan veprimin e menjëhershëm të ligjit të dosjeve. “Ne mbetemi të revoltuar nga arroganca me të cilën Partia Socialiste i qëndron besnike votimit kundër rezolutës së kërkuar nga Këshilli i Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri, sikurse e konsiderojmë të turpshme aleancën e saj me gjyqtarë të inkriminuar në Gjykatën Kushtetuese për të bllokuar ligjin për hapjen e dosjeve”, - deklaruan krerët e shoqatave, të cilët në mënyrë publike, kërkuan largimin nga Gjykata Kushtetuese të Fehmi Abdiut dhe të gjithë atyre, që janë në konflikt interesi me krimet e diktaturës. “Ne kërkojmë hapjen e dosjeve, të ngrihet dhe të fillojë sa më parë nga puna Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit apo Instituti i Kujtesës, të gjenden dhe të rivarrosen me nderimet e merituara eshtrat e martirëve të demokracisë, kërkojmë që në vendin ku ngrihej monumenti i diktatorit të ngrihet një memorial në nderim të qëndresës antikomuniste të shqiptarëve”. Ditën e martë, ish-të përndjekurit do të protestojnë para Gjykatës Kushtetuese. “U bëjmë thirrje të gjithë bashkëvuajtësve tanë, të gjithë shoqërisë dhe popullit të Tiranës që ditën e martë në orën 12:00 të protestojmë së bashku me ne kundër simbolit të krimeve të diktaturës që strehohet në Gjykatën Kushtetuese. Ne nuk do të ndalemi dhe protesta jonë do të vazhdojë duke kërkuar dënimin e krimeve të diktaturës jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Gjykatat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut”, - bënë thirrje krerët e shoqatave të të ish-të përndjekurve politikë.

Strasburg, reformë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Rritja e ankesave nga qytetarët të më se 47 vendeve evropiane, anëtarë të Këshillit të Evropës, në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka detyruar shtetet anëtare të KiE-së të ndërmarrin një reformë për rritjen e kapaciteteve të kësaj gjykate. E ardhmja e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut do të jetë në qendër kur ministrat për të drejtat e njeriut nga 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës do të takohen më 18-19 shkurt në Casino Kursaal në Interlaken. Qëllimi i konferencës, që po organizohet nga Kryesia Zvicerane e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, është të riafirmojë angazhimin e shteteve anëtare për të mbrojtur të drejtat e njeriut në Evropë dhe vendosmërinë e tyre për të mundësuar Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila është një aks vital në mekanizmin e mbrojtjes për të pasur sukses në volumin në rritje të aplikimeve. Ministrat do të diskutojnë reformat për të siguruar efektivitetin afatgjatë të Gjykatës, si dhe mënyrat për të monitoruar më mirë ekzekutimin e gjykimeve të saj dhe përmirësimin e mbrojtjes në nivel kombëtar. Miratimi i deklaratës së Interlaken dhe një plan veprimi për reformat do të zhvillohen të premten më 19 shkurt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›