Tryeza:Berisha-Rama, surprizat e takimit në Presidencë
Jo të vetëm përballë njëri-tjetrit, por nën shoqërinë e dy të përzgjedhurve ku në prani të Presidentit do të harrojnë qoftë edhe për pak çaste, aq sa do të shkrepen blicet, betejën e ashpër politike.
Takimi mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, nën modelimin e kreut të shtetit, Bamir Topi, që fillom në orën 11.00, mësohet se do të zhvillohet në sallën e takimeve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Pas ristrukturimit të Presidencës, është salla hyrëse nr. 1, hyrja qendrore në këtë ndërtesë. Por para se të arrijnë tek pika e takimit të shumëpritur nga të gjithë, dy kundërshtarët politikë do të hyjnë nga dyer të ndryshme të selisë presidenciale. Dhe kjo për “faj” të protokollit të shtetit që nga hyrja kryesore lejon vetëm Kryeministrin e vendit, ndërsa Rama do të hyjë nga hyrja dytësore e godinës. Pikërisht nga kjo derë hyjnë edhe gazetarët të cilët sot duhet të presin rezultatet e takimit me dyer të mbyllura pas kësaj dere, ndërkohë që operatorët dhe kameramanët do të lejohen brenda vetëm në momentin e shtrëngimit të duarve mes Berishës dhe Ramës. Gjithashtu, bëhet e ditur se Kryeministri Berisha do të shoqërohet nga kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi. Kurse kreu i opozitës, nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Tryeza e sotme synon zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar nga bojkoti parlamentar i PS-së dhe në rekomandim të rezolutës për Shqipërinë të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Burime nga palët bëjnë të ditur se në orën 11:00 nuk do të paraqitet një draft-marrëveshje nga ana e kreut të shtetit, ndërkohë që do të bien dakord për nisjen e dialogut politik PD-PS. Mësohet se negociatat do të vazhdojnë përtej tryezës së sotme të Presidentit Bamir Topi. Ato do të vazhdojnë përmes ekspertëve të të dyja palëve deri në ardhjen në Tiranë të përfaqësuesve të lartë të KE-së me datën 22 shkurt, moment i cili do të finalizojë edhe marrëveshjen e re politike mes dy kundërshtarëve politikë, Berisha dhe Rama.
detaj:Berisha e Rama “ndiqen” nga Patozi dhe Ruçi
Në takim, Kryeministri Sali Berisha do të shoqërohet nga kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi. Kurse kryetari i PS-së, Edi Rama, do të ndiqet drejt selisë së Presidencës nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.
detaj:Berisha-Rama, hyrja përmes dyerve të ndryshe
Pika e takimit do të jetë takimi me kreun e shtetit, Bamir Topi, por
dy kundërshtarët politikë do të hyjnë nga dyer të ndryshme të selisë së Presidencës. Për efekt protokolli, Kryeministri Sali Berisha do të kalojë nga porta kryesore e ndërtesës së Presidencës, nga ku hyn çdo ditë vetëm z. Topi, ndërsa kreu i opozitës, Edi Rama, nga ajo dytësore së bashku me gazetarët.
detaj:Negociatat përtej tryezës së sotme
Negociatat do të vazhdojnë përtej tryezës së Bamir Topit. Madje, ato kanë filluar që më parë. Kështu pas së shtunës do të merren vesh dhe emrat e negociatorëve, të cilët do të jenë ekspertë nga të dy partitë. Një zgjidhje e mundshme është dhe vizita e 22 shkurtit e delegacionit të Këshillit të Evropës.
Detaj:Salla e “sigurisë”, vendi i takimit Berisha-Rama
Salla ku zhvillohen mbledhjet e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare do të jetë vendi ku do të zhvillohet takimi mes dy krerëve të politikës ne vend Berisha dhe Rama. Kjo sallë është hyrja numër 1 në mjediset e katit të parë të godinës së Presidencës.