Të përndjekurit, fondi për 2 mijë veta
ADI SHKEMBIDy mijë të përndjekur politikë do të përfitojnë nga vendimi i fundit i qeverisë për tu dhënë përparësi në procesin e dëmshpërblimit të atyre që kanë mbetur gjallë. Në mbledhjen e fundit të vitit 2009 Këshilli i Ministrave miratoi një propozim të ministrit të Drejtësisë për të afruar në kohë marrjen e dëmshpërblimit nga kjo kategori që jetojnë ende. Sekretari i përgjithshëm i shoqatës së ish të përndjekurve, Besim Ndregjoni tha në një prononcim për gazetën "Panorama" se nga 26 mijë të përndjekur që përfitojnë nga procesi, 24 mijë kanë vdekur dhe vetëm dy mijë do të përfitojnë më shpejt. Rreth dy vjet nga nisja e procesit të regjistrimit të dosjeve të të përndjekurve bëhet e ditur se deri tani kanë përfituar 2906 ish të përndjekur, nga rreth 30 mijë që do të përfitojnë në total. Sipas të dhënave të Shoqatës së të Përndjekurve janë rreth 50 mijë familje që janë internuar gjatë regjimit komunist, por me përcaktimet ligjore të vitit 2007, përfitojnë dy mijë familje, ndërkohë që deri tani asnjë prej tyre nuk ka marrë lekët. Një tjetër kategori e përcaktuar në ligjin për dëmshpërblimin e kësaj shtrese janë të pushkatuarit me dhe pa vendim gjykate. Sipas shifrave të Shoqatës së të përndjekurve numërohen 6110 të pushkatuar, nga të cilët 1900 me gjyq dhe që për rrjedhojë u njihet dëmshpërblimi. Nga këta vetëm 15-të familje kanë përfituar fondet. Në bazë të ligjit që ka miratuar parlamenti do të ketë nivele të ndryshme përfitimi, për ish-të burgosurit, për të vrarët dhe të pushkatuarit, si dhe për ata që janë internuar gjatë periudhës së regjimit komunist. Ndërsa me ndryshimet e fundit ligjore të miratua nga Kuvendi më 23 mars është përcaktuar se edhe të afrimit e të dënuarve që kanë qenë klerikë apo nuk kanë lënë pasardhës, fëmijë mund të përfitojnë nga skema e dëmshpërblimit. Në dhjetor të vitit të kaluar qeveria nxori një vendim ku favorizoheshin nga skema e dëmshpërblimit ato ish-të përndjekurit që janë të gjallë. Ligji parashikon procesi i dëmshpërblimit të ndahet brenda 8 viteve nga miratimi i fondit të dëmshpërblimit. Kështu në bazë të vendimit më të fundit të qeverisë këstin e parë të fondit për vitin 2010 e përfitojnë këto 2 mijë persona që jetojnë ende. Për shtatë vitet e tjera parashikohet të përdoret skema normale.Të përndjekuritSekretari i përgjithshëm i shoqatës së të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni tha në një prononcim për gazetën se i ka kërkuar një takim kryeministrit Berisha për t'i parashtruar shqet-ësimet e kësaj shtrese. I sapoardhur nga një konferencë në Gjermani mbi hapjen e dosjeve në vendin tonë, ai tha se një nga kërkesat do të jetë hapja e një ekspozite për të dokumentuar diktaturën komuniste, pikërisht në vendin ku deri në vitin 1990 ishte vendosur busti i ish-diktatorit. "Ne i kemi kërkuar një takim kryeministrit Berisha lidhur me memorizimin e fakteve historike të diktaturës komuniste”, tha Ndregjoni. Një tjetër kërkesë e shtresës së të përndjekurve do të jetë hartimi i një plani kombëtar për rehabilitimin e familjeve të të përndjekurve politikë. Sipas tij ky plan kombëtar nuk duhet të ngelet vetëm në kuadrin e një dëmshpërblimi apo dhënies së një statusi, por në rehabilitimin e tyre fizik, mendor, kulturor, arsimor dhe shëndetësor. Por kërkesa e vazhdueshme e të përndjekurve është hapja e dosjeve të regjimit komunist, të cilën do t'ia parashtrojnë sërish kryeministrit. "Në emër të konferencës së Berlinit do t'i kërkoj Kryeministrit, Presidentit, kryetares së Parlamentit, kryetarit të opozitës që politika shqiptare të hapë dosjet e të gjithë politikanëve, gazetarëve biznesmenëve dhe administratës shtetërore. Gjermania nuk kishte bërë ligj për hapjen e dosjeve. Vetë institucioni i dosjeve dhe drejtuesit e shtetit gjerman të kërkonin hapjen e dosjeve pa penalizuar individin, por edhe duke mos i ndalur edhe të drejtën e tyre për punësim në sektorë të tjerë privatë. Një ndër problemet politike më të mëdha që ne duhet të bëjmë urgjentisht është hapja e dosjeve", u shpreh më tej sekretari i përgjithshëm i të përndjekurve.