Të përndjekurit, kësti i dytë më 26 mars

Nga nje proteste e ish-te perndjekurve
Qeveria ka ndryshuar aktin e një viti më parë, ku përcaktohej shpërndarja e fondeve për këstin e parë.
Vendimi u hap rrugë rreth 12 800 përfituesve të tërheqin paratë.
Ish-të përndjekurit politikë do të fillojnë nga 26 marsi të marrin këstin e dytë të dëmshpërblimit. Qeveria miratoi dje vendimin që u hap rrugë rreth 12 800 përfituesve të tërheqin në bankë lekët, sipas ligjit që u miratua në vitin 2007. Për të nisur këtë procedurë, Këshilli i Ministrave ka ndryshuar aktin e një viti më parë, ku në pikën 6 të tij thuhej se kësti i dytë do të shpërndahej pasi të përfundonte miratimi i plotë i emrave për këstin e parë. Por, duke qenë se ka ngelur ende një numër i vogël të përndjekurish, të cilët nuk kanë përfituar për shkak të problemeve në dokumentacion, qeveria ka vendosur që ky problem të mos jetë shkak për të mbajtur peng këstin e dytë. Skema e shpërndarjes së kësteve të dëmshpërblimit për subjektet përfituese është, si më poshtë vijon: Afati i shpërndarjes së këstit të dytë fillon më 26 mars 2012, thuhet në pikën 6/a të vendimit nr. 419, datë 14.04.2011 Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist. Një çështje e rëndësishme është çështja e këstit të dytë që duhet të lëvrohet për të përndjekurit politikë. Ka pasur një vonesë, e cila është e diktuar nga amendimet e reja të ligjit për dëmshpërblimet, por kjo vonesë duhet të kapërcehet dhe Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave kanë marrë masat që kjo pengesë të kapërcehet nëpërmjet dy-tri vendimeve që duhet detyrimisht të miratohen për të kapërcyer pengesën ligjore të krijuar nga amendimet e fundit të ligjit, është shprehur Kryeministri pak ditë më parë. Në të njëjtën kohë, qeveria po përgatit një tjetër ndryshim në ligjin për të përndjekurit politikë, sipas të cilit, do të përfitojnë edhe rreth 300 të dënuar, të cilët me vendim gjykate u shtruan në spitalet psikiatrike për shkak të bindjeve të tyre politike. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, foli në mbledhjen e një jave më parë për këtë çështje teksa i la porosi Ministrisë së Drejtësisë të bëjë gati draftin. Në kategoritë përfituese duhet të shtohen edhe të gjithë qytetarët, të cilët u ndrynë për bindje politike, në spitalet psikiatrike. E vërteta e padiskutueshme dhe e dokumentuar qartësisht është se spitalet psikiatrike të Elbasanit dhe Vlorës u përdorën njëkohësisht si burgje për kundërshtarët politikë dhe u ndrynë me qindra qytetarë, vetëm se ata shprehën pikëpamjet e tyre kundër regjimit. Një praktikë e tillë ka vazhduar gjatë gjithë regjimit komunist dhe është zhvilluar mbi bazën e gjyqeve të caktuara ndaj këtyre qytetarëve, u shpreh Berisha.
Jemi kundër ndryshimit të ligjit
Kemi vuajtur dhjetëra vite në burgjet e komunizmit, por vuajtjen më të rëndë po e përjetojmë tani në demokraci, ku qeveria po na burgos për herë të dytë me ndryshimet që ka bërë me skemat e shpërndarjes së dëmshpërblimeve për të përndjekurit. Kështu është shprehur në emër të Shoqatës së të Përndjekurve Politikë në Durrës kryetari i saj, Asllan Patrioti. Shoqata e të Përndjekurve Politikë në qytetin bregdetar nuk ka qenë aspak dakord me ndryshimin e ligjit, propozuar dhe votuar nga të djathtët në Komisionin e Ekonomisë, ku vendosën me shumicë votash se përfitues do të ishin ata persona që janë mbi 85 vjeç.
Vendimi
Pika 6/a ishte
Skema e shpërndarjes së kësteve të dëmshpërblimit për subjektet përfituese është si më poshtë vijon: Afati i shpërndarjes së këstit të dytë fillon pas përfundimit të miratimit të plotë të dëmshpërblimit për të gjithë ish-të dënuarit politikë.Pika 6/a bëhet
Skema e shpërndarjes së kësteve të dëmshpërblimit për subjektet përfituese është si më poshtë vijon: Afati i shpërndarjes së këstit të dytë fillon më 26 mars 2012.Në pikat b, c, ç, d, dh, e hiqen fjalët me të zeza
Afati i shpërndarjes së këstit të tretë fillon një muaj pas përfundimit të pagesës së këstit të dytë për të gjitha subjektet përfituese.
ADI SHKEMBI