E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi në shtëpinë e Blloshmit: Përjetuan hakmarrjen më të egër

Topi në familjen Blloshmi

Presidenti Bamir Topi vizitoi dje familjen e poetit të pushkatuar gjatë periudhës së regjimit komunist, Vilson Blloshmi, në fshatin Fanjë të komunës Qukës të rrethit të Librazhdit. Ai u prit nga i ati i poetit, Sami Blloshmi, si dhe vëllezërit e tij. Bedri Blloshmi, duke shpjeguar historikun e përndjekjes së familjes e të historisë tragjike të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, të ilustruar edhe me fotografi e dokumente historike të ekspozuara në njërën prej dhomave-muze të shtëpisë, vuri në dukje se kryetari i shtetit meriton mirënjohje dhe vlerësim për nderimin dhe respektin e kujtimit dhe veprës së poetëve të pushkatuar, duke kontribuar në këtë mënyrë në vënien në vend të dinjitetit dhe vlerave të nëpërkëmbura nga sistemi diktatorial i Shqipërisë komuniste. Nga ana e tij, kreu i shtetit vlerësoi qëndresën e Vilson Blloshmit, por dhe të të gjithë të dënuarve e të pushkatuarve të kohës së diktaturës, vetëmohimin dhe papajtueshmërinë e tyre me ideologjinë komuniste të një prej sistemeve më diktatoriale që shkaktoi krime monstruoze. Familja Blloshmi, një familje me tradita të hershme historike e atdhetare, që është dalluar edhe për intelektualizmin e saj, përjetoi hakmarrjen më të egër të diktaturës. Sipas tij u takon vetë të përndjekurve të tregojnë historinë e patjetërsueshme, duke vlerësuar e respektuar në radhë të parë vuajtjet dhe përndjekjet e tyre gjatë regjimit të kaluar, në mënyrë që kujtesa dhe respekti të vendosen në projektimin e së ardhmes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›