Të përndjekurit, miratohet shtimi i përfituesve të dëmshpërblimit
Komisioni i Ligjeve debaton mbi ndryshimin
Shqyhet afati i kërkesave deri më 1 korrik 2009
Komisioni i Ligjeve miratoi dje ndryshimin në ligjin për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. Ndryshimi ka të bëjë me dy aspekte. Përfitojnë dëmshpërblim pasardhësit, si vëllezër dhe nipërit të të gjithë atyre që janë pushkatuar, apo që kanë vuajtur në kampet me gjemba. Ndryshimi i dytë ka të bëjë me shtyrjen e afatit të kërkesave për të kërkuar dëmshpërblim. Ish-të përndjekurit kanë kohë deri në datën 1 korrik të këtij viti të bëjnë kërkesat. Ndërkohë të gjithë ata që aktualisht kanë bërë dokumentet gati, do të duhet të bëjnë një kërkesë të re. Komisioni i Ligjeve debatoi ashpër në lidhje me këtë ndryshim, pasi deputetët nga opozita hodhën disa dyshime. Fillimisht drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhafellari, siguroi se dëmshpërblimi nuk do të vonohet, por ai, sipas ligjit, do të ndahet me këste për 8 vite. Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, kërkoi të dijë në rast se me këtë nismë ligjore, si rezultat i shtimit të përfituesve, mund të përfitojnë pasardhës të kolaboracionistëve të nazizmit dhe fashizmit, që janë eliminuar nga regjimi i Hoxhës. Drejtoresha Xhafellari tha se do të përfitojnë ata që janë dënuar politikisht. Ajo shpjegoi se ka mjaft gjyqe, që njerëzit janë dënuar me akuza të rënda ku akuzohen si tradhtarë, por në fakt nuk ka pasur fakte. Por deputeti Majko këmbënguli në tezën e tij, duke shkaktuar irritimin e deputetëve të mazhorancës. “Unë pyeta në rast se mund të dëmshpërblehen kolaboracionistët. Në Francë janë vrarë edhe prostitutat që kanë shkuar me gjermanët, prandaj duhet parë me kujdes. Këta janë njerëz që kanë vrarë bashkëkombësit e tyre për interesa të okupatorit”, - tha Majko. Deputetët e mazhorancës thanë se ky është deklarim i papërgjegjshëm. “Janë dënuar njerëz vetëm me terma të përgjithshëm, që një shtet i së drejtës nuk mund kurrsesi t’i pranojë. Automatikisht këta njerëz janë të dënuar politikë. Të dënosh një njeri me tre rreshta, pa përmendur asnjë fakt dhe të thuash se nuk është i dënuar politik, vetëm një djalë oficeri mund ta bëjë”, - u kundërpërgjigj Eris Hoxha, deputeti i PD-së.
Ndryshimi
Ligji rregullon dy situata problematike të nxjerra në pah nga zbatimi i ligjit bazë, si dëmshpërblimi financiar i të ekzekutuarve pa gjyq dhe dokumentacioni provues për të internuarit në kampe me rrethim me tela me gjemba. Pra, mjaft të eliminuar gjatë regjimit që s’kanë pasur pasardhës direkt, si kleri, pasardhësit e tyre si vëllezër, motra dhe nipër do të përfitojnë këtë dëmshpërblim.
Debati në Komisionin e Ligjeve
Pandeli Majko
“Unë pyeta në rast se mund të dëmshpërblehen kolaboracionistët. Në Francë janë vrarë edhe prostitutat që kanë shkuar me gjermanët, prandaj duhet parë me kujdes. Këta janë njerëz që kanë vrarë bashkëkombësit e tyre, për interesa të okupatorit. Prandaj të nderuar miq, që të mos i vendosim këta surretër mbi vuajtjet e të përndjekurve pas '44, se këta nuk e meritojnë. Këta janë në koshin e historisë, këta janë në plehrat e historisë. Prandaj këta nuk mund të mbivendosen mbi vuajtjet e atyre që kanë kaluar golgotën në periudhën e regjimit komunist. Prandaj, mos na provokoni. Mos thoni që e majta është kundër, por mos na thoni të bëjmë gjëra që s’kanë ndodhur në asnjë vend të Evropës”.
Eris Hoxha
“Dua të ndalem në një aspekt, sepse më vjen rëndë që opozita përdor terma të tilla. Kjo bëhet, pasi përfaqësuesja e ministrisë dha një vendim konkret se përse bëhet fjalë. Pra janë dënuar njerëz vetëm me terma të përgjithshëm, që një shtet i së drejtës nuk mund kurrsesi t’i pranojë. Automatikisht këta njerëz janë të dënuar politikë. Të dënosh një njeri me tre rreshta, pa përmendur asnjë fakt dhe të thuash se nuk është i dënuar politik, vetëm një djalë oficeri mund ta bëjë. Unë për vete nuk mund të mbaj në ndërgjegje, që këta njerëz të quhen kolaboracionistë se e thotë zoti Majko apo ndonjë tjetër”.
Aldo Bumçi
“U fol për kolaboracionizmin dhe bashkëpunimin me nazizmin, por dihet botërisht se bashkëpunëtorët më të mëdhenj të nazistëve kanë qenë komunistët. Ky është fakt me paktin e mossulmimit mes Hitlerit dhe Stalinit. Nisma ligjore përfshin një përmirësim të ligjit për përfitimin e dëmshpërblimit të atyre që kanë qenë në kampe dhe janë pushkatuar pa gjyq”.
Arian Madhi
“Ne duhet të shprehim një vullnet të përbashkët për këtë ligj, për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Nisma ligjore përfshin shtimin e familjarëve përfitues, si dhe shtyn afatin e depozitimit të kërkesave. Nuk ka arsye për të bërë një lojë kungulleshkash”.
Spiro Peçi
“Dua të ngre një shqetësim, pasi në nismë thuhet që preken edhe ata që kanë kaluar kufirin. Sot në rajonet e Policisë së Gjirokastrës, Sarandës apo Korçës janë dhjetëra të arrestuar se kanë tentuar të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme. Kjo është vepër penale tani dhe ashtu ka qenë edhe atëherë”.
Ramiz Çobaj
“Bëhet fjalë për ato kalime kufiri për të cilat janë kryer vrasje. Në kufi janë vrarë shumë njerëz padrejtësisht. Ndërsa për sa u përket termave të kolaboracionistëve, bëhet fjalë në fakt për nacionalistë, që Enver Hoxha i cilësoi si bashkëpunëtorë”.